Doktor Kërrma nuk është aspak i spikatur, i shquar, i rrallë etj. Cilësime të tilla për Doktor Kërrmën janë broçkulla të përhapura nga vetë Doktor Kërrma dhe legenat bythlëpirës që mban rrotull.

Doktor Kërrma është një politikan absolutisht mediokër, mëse qesharak, banal dhe ordiner në çdo pikëpamje. Të tjerat—jopo lider, jopo misionar, jopo historik—janë tallava rakie kumbulle te kafeneja e bregut të lumit.

Sot Doktor Kërrma s'është asgjë tjetër përveçse 100 kilogram mish i kalbur. Megjithatë mbahet qerrataj. Nuk është keq, për shembull, për dordolec që tremb laraskat, manekin butiku, objekt muzeal për t'u kujtuar brezave të ardhshëm kush e nxiu sa mundi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Gjithçka që mund të thuhet sot për Doktor Kërrmën në hjekë është në nivelin e një kurioziteti intelektual për një rrenacak, llafazan dhe hajdut që erdhi e iku, e vetëm rrejti dhe vodhi.

Doktor Kërrma s'ka asnjë spikatje, asnjë zotësi, asnjë talent.

Të vetmet zeje që Doktor Kërrma ushtroi gjatë jetës janë: rrena, hajnia, hilja, dobiçlliku, zilia, pabesia. Cilësi këto të lindura dhe të farkëtuara nëpër gjirizet staliniste, veç të cilave Doktor Kërrma s'njeh asnjë habitat tjetër të jetës dhe luftës politike.

Sekretar partie në Diktaturë ishte diçka aq e përvjellë, e urryer, e padenjë, sa s'ke me çfarë ta krahasosh. Nuk ka ekzistuar kurrë, as në llumin e llumit të kazanit shoqëror, një pozicion aq i ndyrë, aq i fëlliqur, aq i frikshëm dhe i turpshëm sa të qenët sekretar partie. Si rregull, sekretar partie vinin gjithmonë më banalin, më budallain, më perversin, më injorantin, më lolon, më të urryerin.

Doktor Kërrma i përket tipologjisë së provincialëve ambiciozë, të cilët, me të ardhur në kryeqytet, në përpjekje për të plotësuar sa më shpejt pamjaftueshmëritë sociale dhe materiale, nguteshin të bëheshin—dhe bëheshin—komunistë, jo rrallë sekretarë partie. Jo gratis. Duke lënë peng në tezgën e pazarit ekzistencial: burrërinë, dinjitetin, besën, moralin, humanizmin, gjithçka.

Pati në Diktaturë raste kur nga llumi komunist, edhe sekretarë partie që e hidhnin ndonjë ickël, bënin ndonjë proçkë, shfaqnin ndonjë mosbindje sado minimale.

S'ka asnjë të dhënë, asnjë gjurmë, nga askush dhe prej askujt, se burracaku Doktor Kërrma në Diktaturë të ketë bërë as hijen e hijes së ndonjë kontestimi, sado të papërfillshëm, sado të sipërfaqshëm, sado të pazarueshëm.

Doktor Kërrma ishte aq i zellshëm në konformizëm, sa në pak kohë u pranua në të gjitha nivelet e nomenklaturës komuniste. Deri te mjek i Diktatorit. E deri në varkë me familjen e Diktatorit në Volorekë, dhe gjithkund tjetër në superstrukturën kriminale e gjakatare komuniste. Por kurrë dhe në asnjë rast të vetëm nuk u pranua nga asnjë ishull qytetar ku flitej për fermente sociale, ngjarje politike, shkencë, modë, art, letërsi, muzikë, thashetheme rozë.

Uzurpimin e Partisë Demokratike, Doktor Kërrma nuk e bëri për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, apo se e mori malli për pluralizmin dhe të tjera dëngla. E bëri vetëm për të kontrolluar flakët e zjarrit të frustrimit që nuk u bë kurrë urban, qytetar, evropian, por mbeti përgjithmonë me një trastë në dorë mbi karrocerinë e një "Zisi" mes Milotit dhe Laçit, mbi një "Skodë" kromi mes Mamurrasit dhe Fushë-Krujës.

Shqiptarët e votuan, e besuan, e duartrokitën Doktor Kërrmën si nëpunës, si menaxher, si kalë për të tërhequr karrocën e tranzicionit. Jo përgjithmonë. Për një kohë të caktuar. Se kuajt ndërrohen. S'ia mori mendja kërkujt se Doktor Kërrma, në pak kohë, nga kalë do të bëhej kalorës, dhe nga kalorës pronar i karrocës bashkë me ngarkesën, rrotat, rrugën, dhe gjithçka në horizont, sikur ia kishte lënë baba; dhe pasi u pasurua duke vjedhur, veten do e shpallte Misionar, të dërguar të Zotit. Po mjaft se na bëre me vjellë o Doktor Kërrma, me këto ngrehjet e tua folklorike!

S'kanë të mbaruar turpet dhe tmerret e Doktor Kërrmës. Po kush ua ka ngenë t'i numërojë, thuaj?

I falimentuari serial në gjithçka Doktor Kërrma, po përpëlitet t'i ikë ndëshkimit të merituar nga Drejtësia me truke procedurale, lumë me rrena, pare të vjedhura. Nuk do të mundet.

Dilema e sotme e Doktor Kërrmës është:

Në cilin funeral duhet të marr pjesë më parë: të partisë, të vetes, të elektoratit, të foltoreve, të pronave, kullave, rrokaqiejve, vilave?

Po të kishte qenë njeri serioz dhe politikan vizionar, Doktor Kërrma duhej të qëndronte sa më larg biznesit. Por bëri të kundërtën. Dhe ja ku ndodhet. Në çkurdisje totale.

Së shpejti, Doktor Kërrmën, që kurrë nuk zbret nga gomari i Sanço Pançës, do e kafshojnë hienat, do e çukisin korbat, do e lëpijnë macet.

Do thonë për Doktor Kërrmën:

"Ishte se ç'na ishte: një rrenacak, një llapaqen, një hajdut, një kapobandë, një servil, një puthador, një lepepeqe, një dështak total, një skarcitet biologjik, një fundërrinë shoqërore, një kërrmë njerëzore..."