TIRANE- Neurokirurgu i njohur Mentor Petrela, zbulon ekskluzivisht për gazetën Shqiptarja.com diagnozën e sëmundjes së presidentit të votuar Bujar Nishani. Një ditë pas apelit të bërë përmes “Shqiptarja.com” nga vetë z.Nishani dhe me lejen e tij, dr.Petrela sqaron ndërhyrjen kirurgjikale që presidenti i është nënshtruar 3 vjet më parë.

I kontaktuar me e-mail, doktor Petrela pasi ka marrë edhe ftesën publike nga presidenti i votuar z.Bujar Nishani dhe nënvizon se ka marrë edhe një leje gojarisht nga ai, publikon për qytetarët shqiptarë gjendjen shëndetësore të zotit Nishani duke hedhur dritë mbi çdo dilemë rreth shëndetit të Presidentit të votuar.

KOMUNIKIMI ME PETRELEN
-Pyetjes suaj mbi gjëndjen shëndetësore po t'i referohem betimit te Hipokratit nuk duhet ti përgjigjesha. Zhvillimet mediokratike nuk njohin më kufi midis jetës private e asaj publike dhe për këtë kam bindje se në pak vite "privacy" nuk do të ekzistojë më. Jam plotësisht dakort me ju dhe interesimin e publikut për shëndetin e "guvernantëve" ndryshe do të mbeteshim në pathografitë e Pierre Rentchnick.

Shkurt, duke zbatuar kodin e sekretit profesional kam marrë lejen e z.Nishani për t'ju dhënë informacionin mbi gjendjen e tij shëndetësore:
Kam diagnostikuar disa vite më parë tek zoti Nishani një Kavernomë në një zonë të trurit për të cilën ai është operuar nga neurokirurgët më të njohur të këtij planeti. Kavernomat janë gjetje në të gjithë trupin në popullatën normale e mund të mos japin asnjë shqetësim. Takohen edhe në tru, ndonjëhere kur japin shqetësime ose kanë rrezik të provokojnë hemoragji kurohen me kirurgji. Janë beninje.

Zoti Nishani është tashmë i kuruar me funksione konjitive të pa prekura përgjegjësitë e funksioneve të mëparshme që ai ka kryer e që kryen vërtetojnë më së miri maksimën latine "medicus curat natura sanat". Mjeku kuron, natyra shëron!"- përfundon shpjegimi i mjekut të njohur Mentor Petrela.

Një ditë më parë gazeta shqiptarja.com botoi rrëfimin ekskluziv të presidentit të votuar z. Bujar Nishani ku një nga pikat më delikate ishte çështja e shëndetit të tij. Z. Nishani u tregua i hapur me shqiptarët dhe pa asnjë kompleks informoi mbi problemin e tij estetik dhe aspak shëndetësor tashmë prej vitesh. Ai brenda një vit e gjysëm do të jetë në gjendjen e mëparshme sigurojnë mjekët e tij dhe ai vetë.

(sg/shqiptarja.com)