Dokumentari i Amazon për Melania Trump thuhet se ka tejkaluar pritshmëritë në arkën e fitimeve duke arkëtuar 7 milionë dollarë në arkën e SHBA-së gjatë fundjavës së premierës. Kjo e bën atë të jetë dokumentari më i suksesshëm në një dekadë që në prezantimin e tij.

Megjithatë, ai kushtoi shumë më tepër se një dokumentar tipik: 40 milionë dollarë për t’u realizuar dhe 35 milionë dollarë për t’u promovuar.

Filmi, i cili tregon për Melania Trump ndërsa përgatitej të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2025, u mund në arkën e fitimeve nga dy filma horror: Iron Lung dhe Send Help me Rachel McAdams. Megjithatë, ai arriti të linte pas filmin aksion Shelter.

Melania i siguroi të ardhurat duke synuar konservatorët më të moshuar dhe është vënë re se luan me kujdes me tema që thuhet se janë të afërta me interesat e mbështetësve të bashkëshortit të saj: patriotizmi, krishterimi dhe rëndësia e familjes.

Deadline raportoi se Melania pritej të arkëtonte 5 milionë dollarë në fundjavën e debutimit. The Hollywood Reporter tha se këto parashikime për dokumentarin me regji të Brett Ratner ishin “bazuar në harta vendesh bosh, ose pothuajse bosh, në kinematë në mbarë vendin”.

Media vlerësoi se filmi kishte pasur sukses te konservatorët në jug të SHBA-së, veçanërisht te gratë mbi moshën 55 vjeç, të cilat përbënin 72% të audiencës në ditën e hapjes.

EntTelligence, një kompani kërkimore, vlerësoi se kinematë në zonat rurale do të kontribuonin rreth 46% të arkëtimeve të fundjavës së hapjes, ndërsa ato në qarqe republikane rreth 53% të shitjeve të biletave. Shtetet kryesore për nga arkëtimet për filmin përfshinin bastionet konservatore, Florida dhe Teksasi.

Në një deklaratë, kreu i shpërndarjes kinematografike brenda SHBA-ve në Amazon MGM Studios, Kevin Wilson, tha se kompania ishte “shumë e inkurajuar nga nisja e fortë dhe reagimi pozitiv i publikut”, duke përsëritur se rezultatet e para në arkën e fitimeve kishin tejkaluar pritshmëritë.

Duke iu referuar një serie të planifikuar dokumentarësh vijues për zonjën e parë, Wilson shtoi gjithashtu: “Ky kulm është një hap i parë i rëndësishëm në atë që ne e shohim si një cikël jetëgjatë për filmin dhe serinë dokumentare që do të pasojë, duke u shtrirë shumë përtej shfaqjes në kinema dhe drejt asaj që besojmë se do të jetë një rrugëtim i rëndësishëm për të dyja në shërbimin tonë.”

Amazon thotë se operon mbi një sistem ekonomik të ndryshëm nga ai i një studioje tradicionale filmike, duke kompensuar kostot e shpërndarjes dhe promovimit kinematografik përmes shpërndarjes te 200 milionë abonentë të shërbimit Prime Video.

Megjithatë, Melania ka marrë vlerësime kritikash kryesisht negative. The Guardian e cilësoi filmin si “dëshpërues, të lodhshëm dhe pa ngjarje”. “Ka një dokumentar të mirë që mund të bëhej për ish-modelen nga Sllovenia, por ky është i pakorrigjueshëm,” thuhej në vlerësimin me një yll të Guardian.

Ndërkohë, The Hollywood Reporter e përshkroi atë si një “dokumentar propagandistik të shtrenjtë” dhe “një film që e lëvdon subjektin e tij me aq tepri, sa të duket krejtësisht jopatriotike të mos entuziazmohesh”. Në përmbyllje, shtohej se arritjet e Zonjës së Parë paraqiten “në një mënyrë aq lavdëruese sa Koreja e Veriut do të skuqej”.

Donald Trump u tha së fundmi gazetarëve se ai “nuk ishte i përfshirë” në negociatat për çmimin 75 milionë dollarësh të dokumentarit. Melania Trump tha se producentët kishin kontaktuar disa distributorë dhe se “Amazon ishte më i miri sepse pranoi ta shfaqte filmin në kinema në mbarë botën”.

Ratner, regjisori, i cili ishte tërhequr kryesisht nga Hollyëoodi pas akuzave të shumta për sjellje të pahijshme seksuale gjatë lëvizjes #MeToo, u pyet drejtpërdrejt në premierën e Melania nëse ndiente se ishte pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë “quid pro quo”.

“Kjo është qesharake, por është në rregull, do të përgjigjem,” tha ai. “Mund t’ju them tani, nëse do të auditohej dhe të thuhej: ‘Sa u shpenzua për këtë film?’, ky film është një nga dokumentarët më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë në këtë zhanër. Nuk bëhej fjalë për t’u pasuruar. Dua të them, mendoj se familja Trump është mjaftueshëm e pasur dhe e suksesshme. Kjo kishte të bënte me mundësinë për të punësuar ekipin më të mirë në botë, jo vetëm për të realizuar kolonën zanore me kompozitorin më të mirë… Dua të them, kur ta shihni filmin, do të thoni: ‘Ah, tani e kuptojmë ku kanë shkuar paratë.’ Kjo nuk kishte të bënte me korrupsion. Melania kujdesej vetëm për një gjë, të bënte një film të shkëlqyer për publikun.”

Në të njëjtën ditë kur Melania u shfaq në kinema, Ratner u shfaq në fotografi të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i administratës Trump, si pjesë e publikimit të 3 milionë dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Fotot e tregojnë Ratnerin pranë Epsteinit, përfshirë edhe një ku ai ka krahët rreth një gruaje që ndodhet mes tyre.

Personat e përmendur ose të shfaqur në fotografitë e përfshira në dosjen Epstein nuk janë implikuar apo dënuar për krime. Shumë figura të njohura që kanë pasur lidhje me Epsteinin, një ish-mik i Trumpit, kanë mohuar të kenë pasur gisht.