Dokumente/ 100-vjetori Banda “Vatra”, flamuri që e shoqëroi në rrugëtimin legjendar

Dokumente/ 100-vjetori  Banda “Vatra”, flamuri që e shoqëroi në rrugëtimin legjendar

Flamuri legjendar që shoqëroi bandën "Vatra"

Vite më parë, në 1999, u desh të merresha për një kohë të gjatë me flamurin e Bandës “VATRA”. E mora në laborator për ta shpëtuar. E shikoja përditë. Nuk i a dija historinë. E panjohura kurioze më bëri të kërkoja shumë. Interesimi më çoi tek Prof. Ethim Dodona. E ftova në mjediset e restaurimit.

Flamuri kishte muaj që rrinte i shtrirë në një tavolinë të vogël të laboratorit. Në sfondin e kuq të pëlhurës së mëndafshtë vezullonte lira dhe shkrimi i artë:

 BANDA

 KOMBЁTARE

 VATRA

 DHURATЁ

 NGA SHOQЁRIA

 DRENOVARE

 BASHKIMI

 1918

Ethimi u afrua, e pa dhe ra në gjunjë. Me dorën e djathtë kapi një cep të flamurit, e afroi me ngadalë në buzë dhe e puthi.

-Ёshtë flamuri i babait tim,- tha. Dukej i tronditur.

Ne, punonjësit e laboratorit, rrinim të heshtur prapa tij dhe shikonim me sy të përlotur. Mbas pesëdhjetë e katër vjetëve harresë, apo gjashtëdhjetë, rizbulohej flamuri i bandës më të famshme shqiptare, historia e së cilës ka qenë një nga ato ngjarje që krijojnë në shpirt një akord ekzaltimi nostalgjik.

Për Bandën kombëtare “VATRA” është shkruar disa herë, por për flamurin e saj jo. I nisur nga ato që vëzhgova në flamur dhe nga ato që më tregoi Ethimi, do të mundohem të shkruaj historinë e tij.

Historia e flamurit është historia e një simboli. Lavdia e tij ka rrëmbyer fluturimthi nga lavdia e bandës. Ai e shoqëroi bandën në të gjithë rrugëtimin e saj legjendar, prandaj është i pandarshëm nga historia e saj.

Që në fillimet e shek.XX në Amerikë kishte disa shoqata të shqipëtarëve të emigruar atje, si ajo “Besa-Besën” , ”Dallandyshja” ,etj. Ndjeheshin të vetmuara, si antarët e ndarë të një familjeje. Duhej të bashkoheshin. Ato u bashkuan me 28 prill 1912 dhe nga mozaiku i shoqatave politike lindi Ferderata “Vatra”.

     Thuajse gjithmonë ndodh, që ashtu si në një qenie, organizimi shoqëror të ketë edhe strukturat e tij më të vogla, si qeliza të veçanta të tërësisë, pa të cilat nuk mund të ekzistojë. Ky kompleksitet shoqëror, në këtë rast, shprehet fare mirë me qenien e njëkohshme të grupeve, apo të shoqatave të vogla muzikore, të cilat kishin emrin e fshatit të origjinës, si p.sh. “Mandolinata Morava“ nga Hoçishti, Ziçishti, e Devolli, kishte grupe me fyej, etj. Në dhe të huaj nuk ka shprehje më mallëngjyese se sa nostalgjia e traditës!

     Në vitin njëmijë e nëntëqind e pesëmbëdhjetë në Xhejmstaun ishte formuar një bandë kombëtare që quhej “Mbretëresha Sofia”. Me 28 nëntor 1915 ata dhanë një koncert në qytetin e Usterit ( Ëorcester ). Patriotizmi ndezi flatrat e shpirtit artistik të dëgjuesve. E pse të mos kishin edhe ata në Uster një bandë po si kjo, ose ndoshta edhe më të mirë?


(Flamuri që shoqëroi bandën "Vatra")

     Me 11 dhjetor 1916 u mblodhën të gjithë, e të gjithë, me aq sa mundën, dhanë para për të blerë veglat muzikore, më të mirat, prej tunxhi , e të ndritshme.

     Banda u formua me 17 dhjetor. Dirigjenti i saj ishte Thoma Nashi, nga Dardha. Ky kishte mbaruar konservatorin, i binte flautit dhe luante në orkestrën filarmonike të Bostonit. Thoma Nashi u bë jo vetëm dirigjenti i bandës, por edhe mësuesi i instrumentistëve të saj. Anëtarët e bandës, gjithësej njëzet e nëntë, apo tridhjetë vetë, një e treta e të cilëve drenovarë, mblidheshin mbasditeve, e mësonin të luanin me instrumenta. Shpirti i muzikës, i frymëzuar nga muzat, zbuti mosakordimet dhe i eliminoi, duke krijuar harmoninë e domosdoshme të tingujve të orkestrës.

     Shumë shpejt, në janar të vitit njëmijë e nëntëqint e shtatëmbëdhjetë u dha koncerti i parë. Me paret e fituara u blenë kostumet, të gjithë të zij, e me shirita të kuq anash. Në mos rastësi, a mos ishte vallë simbolikë e variantit të flamurit kombëtar?

     Dega e Usterit e Shoqatës “Vatra“ , ajo Nr. 5, kishte kryetar Faik Konicën. Ai dha mendimin për ta quajtur këtë bandë, Banda Kombëtare “VATRA“, e që kjo bandë, kur të çlirohej Shqipëria të kthehej në Shqipëri, e atje të shpërndahej. Zorr se mund të ishte projektuar një trajektore me një apogje më mbresëlënës!

     Në Uster ishte organizuar edhe Shoqëria drenovare “Bashkimi“. Me 30 dhjetor 1917 ata u mblodhën, e vendosën t’i dhuronin Bandës “VATRA“ një flamur, por me kusht, që në atë flamur të shkruhej që ishte dhuratë e Shoqërisë drenovare “Bashkimi“. Ky flamur simbol u realizua në vitin 1918. Ja pra, sekreti i shkrimit të tij!

     Flamuri nuk është shumë i madh, 101 me 66 cm, pra normal, nga ata që mbahen në shkop, e që paraprijnë marshimin e bandës.

     Një tantellë e vërtetë, e realizuar me fill të verdhë metalik që imiton arin, qarkon të gjithë flamurin. Temina të vogla, e të rrumbullakta, xixëllojnë në rrjetën e tantellës, duke i dhënë ca shkrepëtima tërheqëse. Poshtë, në fund, varen thekët e gjatë, e të dredhur spiral, prej filli metalik. Në mes është lira dhe shkrimi, edhe këto që shkëlqejnë si ar. Në të vërtetë shkrimet dhe lira janë realizuar me varak të verdhë, ndërsa filli metalik është prej bakri, sipërfaqja e të cilit e pasuruar me zing, jep tunxhin me pamje të artë. Kishte kohë, shekuj të tërë, që ari i pastër nuk përdorej më në qëndistari, madje as për veshjet mbretërore.

      Për ta mbajtur flamurin të parrudhosur, në pjesën e sipërme, midis pëlhurave, është futur një shufur e hollë prej hekuri. Pastaj i gjithë flamuri varej me veriga në një shkop druri, në fundin e të cilit janë montuar dy si kupa bronzi të shndritshëm. Një kordon i gjatë, edhe ky prej filli të verdhë metalik, shërbente për të varur flamurin në shkopin e flamurmbajtësit.

     Copa e kuqe e syprinës është prej mëndafshi natyral. Nga mbrapa ka një hastar të pambuktë me ngjyrë të kuqe në vishnje. Aty dallohet ertiketa e zezë e prodhuesit, në të cilën shkruhet me fill të verdhë:

 Faller Reglia and Costume Co

 TRADE MARK

 DORËARD

 ËORCESTER , MASS

     Le të kalojmë dy vjet dhe të vijmë në ato ngjarje që e skalitën Bandën “VATRA“ në kujtesën historike të kombit.

     Ishte koha e Kongresit të Lushnjes. Viti 1920. Shqipëria e shpëtuar nga coptimi, por edhe e drobitur, kërkonte përkrahje dhe moral. Askush nuk mund ta bënte këtë më mirë nga vetë shqiptarët. Dihet që entusiazmi është në gjëndje të kryej atë punë që nuk e bën dot as ushtria dhe as thesarët. Në fund të fundit është shpirti ai që bën mrekullira. Këtë faktor kapi me zgjuarsi kryeministri i asaj kohe Sulejman Delvina. Ai shfrytëzoi psikollogjinë e impresionit. Ai i kërkoi Faik Konicës që të organizohej në Amerikë, e të vinte në Shqipëri, një trupë ushtarake vullnetare prej njëqint e gjashtëdhjetë vetësh me në krye një bandë. Kështu, Sulejman Delvina u tregua psikollog , veprimi i tij ishte mjeshtëror.

     Trupa u organizua nga kapiten Aqif Përmeti. Banda do të ishte Banda “VATRA“, po ajo, me tridhjet e pesë vetë, por tani në një kuadër ushtarak.

     Të gjithë u mblodhën në Nju Jork. Emocionet e pritjes dhe të nisjes! Me 16 mars vaporri lundroi për të arritrur në fillim të prillit në Brindisi. Autoritet italiane nuk deshën t’i lejonin të vazhdonin rrugën për në Shqipëri, sepse kishin hallin e Vlorës. Por gjithandej gjenden njerëz të mirë, në këtë rast disa punëtorë, që i mundësuan udhëtimin me një vapor të vogël për në Durrës.

     Me 3 prill arritën në Durrës. Pritje madhështore. Fjalët janë të pafuqishme për të shprehur atë se çfarë ndodhi atë ditë në Durrës. Namik Delvina, kryetari i bashkisë, e përshkruan pak a shumë kështu: Sirena! Afsh! Duket sikur u shtua e gjithë Shqipëria!

     Në krye të trupës banda, e në krye të bandës flamuri! E gjitha kjo ishte kaq e bukur, sa që drithëronte shpirtin, që nuk mund të përmbahej!

     Me 5 prill banda arriti në Tiranë. E priti populli, e në krye, i pari i Tiranës, Zoti Ndroqi. Entusiazëm spontan, më i çiltri në botë!

     Me 11 prill në Elbasan. Ishte ditë pashke. Aqif Pashë Elbasani shtroi një drekë nderi.

     Me 17 prill në Berat. Flamuri italian u ul, por në rrugët e kalldrëmta të Beratit paraprinte flamuri i kuq i Bandës “ VATRA “.

     Me 24 prill në Gjirokastër. Mbas pesëmbëdhjetë ditëve edhe atje u ul flamuri italian, ndërsa ngrihej, e ngrihej lavdija e flamurit të Bandës “ VATRA “.

     Mbas kësaj ngjarjeje banda shkoi në Delvinë, pastaj në Vuno. Nga Vunoja u kthye për në Tepelenë. Tepelena ishte akoma e pushtuar. Në Luzat, aty pranë, bandën e ndaloi postoblloku italian. Nga kalaja gjuajtën me top. U plagos lehtë kali i flamurmbajtësit.

     Edhe Tepelena u çlirua. Banda u nis për në Korçë, nëpërmjet të Leskovikut. Korça valaviste akoma flamurin francez. Ky flamur u ul me 26 maj. Trupa dhe banda nuk arritën të shkonin atë ditë në Korçë, por të nesërmen. Ata udhëtonin me ca makina të vjetra, që nuk ecnin më.

     U detyruan ta bënin rrugën në këmbë , trupa dhe pas trupës banda. Dhe ata ecnin, dhe ecnin, dhe ecnin… Marshi bandës shpërndahej nëpër fusha, arrinte kodrat ,arrinte fshatrat. Erdhi banda! Erdhi banda! Njerëzit nga fshatrat përgjatë rrugës vërsuleshin për të parë bandën legjendare. Dikush takonte vëllain, dikush babën, dikush… dhe në se nuk takonte njeri, ai kishte parë legjendën! Hyrja në Korçë ishte apogjeu i lotëve. Kjo ndodhi të ejte, me 27 maj 1920. Ajo që pasoi në ditët e ardhme në Korçë, ngjante me një ekstazë.

     Në fund të korrikut banda u nis për në Vlorën akoma të pushtuar. Në fillim shkuan në Drashovicë, pastaj në Kotë. Atje u takuan me pjestarët e Kryqit të kuq amerikan, shëronin të sëmurët, ndihmonin të plagosurit dhe robërit e luftës. Ato ditë mori jetë edhe kënga e Thoma Nashit “ Vlora, Vlora”. Ajo u bë hymn i luftëtarëve të lirisë. U këndua në fushime, në llogore, në sulm. Tingujt e saj përziheshin me erën e barutit dhe përshkoheshin nga plumbat. Ishin ditë lavdije! Me 3 shtator Vlora u çlirua. Banda hyri në Vlorë. Misioni i saj u plotësua.

     Epilogu i bandës u mbyll në vitin 1925. Në muain mars ajo dha koncertin e fundit në Korçë. Zogu kërkoi që banda të shkonte në Tiranë. Kësaj ftese i u përgjigjën vetëm disa anëtarë të saj. Kështu u shpërnda kjo bandë legjendare e lirisë.

     Kanë kaluar njëqint vjet.

     Dirigjenti i saj Thoma Nashi prehet në varrezat e Kejp Koud (Cape Code) në afërsi të Bostonit. Thuhet se varri i tij tashmë është harruar. Kurrë nuk është parë njeri të vendosë ndonjë tufë me lule, madje as në ditët e shënuara.

     Disa anëtarë të bandës prehen në varrezat e vjetra të fshatrave të tyre, ku rrallë herë, me rast, ndonjë pasardhës i kujton me nderim, duke i çuar buqeta të freskëta. Të tjerët prehen në tokën amerikane, ku u kthyen më vonë.

     Disa vite më parë Muzeu Historik Kombëtar bleu një vegël frymore shumë të dëmtuar. Në kartelën e saj shkruhet se është e Bandës “VATRA“, por jo ndonjë gjë më kuroize. Tashmë të vërtetën e saj e kemi zbuluar dhe do ta trajtojmë në një shkrim më vete: nuk eshtë instrument i bandës “Vatra”.

     Vite më parë mësova se në familjen Gjergji ruhet skedari i plotë, me të gjitha të dhënat e hollësishme të anëtarëve të bandës dhe të luftëtarëve të Trupit, vullnetar, ashtu siç u plotësuan atëhere në Amerikë.

     Nuk dimë të ruhet ndonjë kostum i uniformës. Thuhet se i fundit u prish fare kot disa vjet më parë.

     A ka relike të tjera?

Po fati i flamurit? Vite të tëra e patëm enigmë historinë sesi u bë pjesë e këtij fondi, por ja, erdhi një ditë dhe fare rastësisht gjetëm në Arkivin e Shtetit disa dokumente që na ngritën mendjen. Ato mund të kërkohen në AQSH, Fondi 295, Viti 1939, Dosja 272 (450). Po i botojmë për herë të parë:

Dokumenti i parë:

“MBRETNIJA SHQIPTARE

MINISTRIJA’ E ARSIMIT

Nr 2351                   

                                     Tiranë, më 13/6/1939

                                Drejtoris së Bibliotekës Kombëtare

                                           Këtu

Shkurtim:

      Autorizoheni me marrë në dorëzim nga P.T. Komanda e Mbrojtjes Kombëtare nji gran cassa (daulle e madhe) e nji tambure (daullkë) t’ish Bandës Kombëtare “Vatra” si edhe nji Flamur i dhuruem Bandës në fjalë prej Shoqnisë Drenovare t’Amerikës në vjetin 1918 për t’i ruejt si vlera historike.

                                           Ministri”

Dokumenti i dytë është ai i datës 3/VII/1939, me Nr. Prot 1461 që Biblioteka dhe Muzeu Kombëtar i dërgonte Ministrisë së Arsimit:

                     “Ministrisë së Arësimit

                                           Tiranë

Në lidhje me shkresën Nr 2351 dt. 13/VI/1939 të së Shkëlq. Ministri, kemi nderin t’ju bëjmë të njohur se të Premten më 30 Qershor 1939 na u dorëzuan për t’u ruajtur si vlera historike, prej Kapterit Aleks Lubonja, sekretar i Bandës Ushtarake, një flamur, një gran cassa dhe një tambure, pronë të ish Bandës Kombëtare “Vatra”. Me rastin e dorëzimit të tyre u nënshkrua një proces-verbal, dy kopje prej të cilave u ҫkëmbyen dhe njëra ju përcjellet bashkë me këtë shkresë.

                                           Drejtori”

Dokumenti i tretë është procesverbali përkatës:

“MBRETNIJA SHQIPTARE Tiranë, më 3/VII/1939

BIBLIOTEKA DHE MUZEU KOMBETAR

 PROCES –VERBAL

Sot, më tridhjetë Qershor një mijë e nëntëqint e tridhjetë e nëntë, në selinë e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, në praninë e Kapterit Zotit Aleks Lubonja, Sekretar i Bandës Ushtarake, në vështrim të shkresës Nr 2351 dt 13/VI/1939 të Ministrisë së Arësimit, iu dorzua Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, në praninë e Drejtorit të saj Zotit A. Tasi, për t’u ruajtur si vlera historike, sendet që vijojnë:

1)Një flamur i vjetër me shkronjat:

                     BANDA

                KOMBETARE

                     VATRA

                 DHURATE

                 NGA SHOQERIA

                 DRENOVARE

                 BASHKIMI

                      1918

2)Një Gran Cassa

3)Një Tamburo

zv. Drejtor i Bandës Ushtarake Drejtori i Bibliotekës

Kapiten. II”

Kështu u zgjidh enigma e pazbuluar e dorëzimit të flamurit të Bandës Kombëtare“Vatra”.

 Flamuri ka të qepur nga mbrapa një karton gjysëm oval me numurin 3, që nuk përputhet me numurin përkatës të rregjistrit themeltar të inventarit të fondit etnografik. Ҫfarë përfaqëson ky numur? Kush e ka patur fillimisht flamurin? Akoma nuk dimë gjë.

Duhet të them, se ndërhyrjet laboratorike, që bëmë disa vjet më parë, nuk ishin të plota nga pikpamja e restaurimit, sepse aq ishin mundësitë. Ja, duket në foto se si është dëmtuar, e si po bija boja e shkrimeve. Sot teknika ka avancuar dhe do të duhet një përpunim i dytë, më i thellë, e ndoshta përfundimtar.

# # #

Banda kombëtare “VATRA“ ! Historia i dha fatin e legjendës: reputacioni i saj është legjendar. Ajo u projektua si një gonxhe shpirti. Këtë mund ta bënte vetëm gjenia e Faik Konicës. Lulja do të çelte dhe kjo lule nuk do të lihej të vyshkej, do të këputej në kulmin e saj. Kështu do të mbetej në kujtesë e freskët, e bukur në përjetësi. Jam krenar që e shpëtuam flamurin, një petale të kësaj luleje. Kishte fatin e përjetësisë. Ejani miq, ejani të bashkohemi , e të bëjmë diçka për të kujtuar njëqint vjetorin e ardhjes së bandës në Shqipëri, 3 prillin e vitit 1920. Kemi dy vjet përpara. Hajde Ethim, edhe ti Vaso , edhe ti, edhe ti, edhe ti…Le t’i drejtohemi Presidentit të Republikës, Kryeministrit, shoqërisë civile, të gjithëve, të gjithëve, për ta patur në përkujdesje këtë njëqint vjetor! A nuk duhet të ngremë një lapidar, apo monument? Po ku? Banda “VATRA“ i takon të gjithë Shqipërisë!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Lirimi i Berishës nuk është vendim pafajësie por thjesht masë sigurie

Spahiu: Lirimi i Berishës nuk është vendim pafajësie por thjesht masë sigurie