Pas barrierës në shtëpitë botuese, kryesisht “Naim Frashëri”, veprat letrare ku pikaseshin gabime ideologjike klasifikoheshin si të pabotueshme. Por regjimi nuk mjaftohej me kaq. Pasi cilësoheshin ‘të pabotueshme’, këto vepra analizoheshin ende dhe diskutimet për to mbërrinin deri në zyrat e Komitetit Qendror.
Nga ky dokumentacion, kemi shkëputur sot dy dokumente mbi letërsinë e botuar e të pabotuar dhe problemet që regjimi konstatonte tek disa autore kryesisht të rinj, të prirur drejt modernizmave. Poezitë e tyre shiheshin si formaliste, me figuracion të paqartë e të errët, me të meta që ishin kritikuar në Plenumin IV të Komitetit Qendror të Partisë, të vitit 1973, për letërsinë e artet. Ndër këta autorë, disa poetë të rinj, e disa mësues dhe studentë, veçoheshin: Ndoc Papleka, Rudolf Marku, Visar Zhiti, Mihallaq Peta, Simon Vrusho, Fatmir Musaj, student; Adil Shamata, etj…
Më poshtë i sjellim të plotë të dy këto dokumente: një informacion të detajuar për Komitetin Qendror hartuar nga zv.kryeministri Manush Myftiu dhe një informacion nga sektori i kulturës në Komitetin Qendror, hartuar nga Jakup Mato.
Dokumenti1
INFORMACION PËR DISA PROBLEME TË LETËRSISË SË BOTUAR E TË PABOTUAR
Nga të dhënat e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” del se nga viti në vit janë shtuar dorëshkrimet që dorëzohen për botim.
Pas Kongresit të 7-të të Partisë dhe deri tani janë shqyrtuar dhe recensionuar 1 400 tituj dorëshkrime të gjinive të ndryshme, ndërsa janë botuar 400 tituj. Në të gjithë këtë krijimtari, një vend të rëndësishëm zënë veprat e letrarëve të rinj, numri i të cilëve ka ardhur duke u rritur nga viti në vit.
Tematika dhe problematika që kanë trajtuar krijuesit në përgjithësi ka qenë e larmishme. Ajo nis me qëndresën dhe traditat luftarake të popullit tonë gjatë shekujve, me luftën e rilindësve, me revoltën kundër regjimit të Zogut, vazhdon me Luftën Nacionalçlirimtare, e cila zë vendin kryesor si nga sasia ashtu dhe nga shumëllojshmëria e motiveve dhe shtrihet në të gjithë periudhën e pasçlirimit.
Në tematikë, me gjithë arritjet e shënuara, për disa tema ndihet mungesë si në drejtim të sasisë, ashtu edhe të gjerësisë e të thellësisë së tyre.
Në gjininë e romanit, megjithëse këta dy vjetët e fundit janë botuar disa romane me vlerë e janë pritur mirë, si “Dimri i madh” i Ismail Kadaresë, “Midis dy kohëve” i Skënder Drinit, “Vëllezërit” i Agim Cergës, “Lëndina e lotëve” i Teodor Laços, “Prova e zjarrit” i Sabri Godos, “Ja vdekje, ja liri” i Sterjo Spasses, “Çufoja dhe Bubi kaçurrel” i Gaqo Bushakës, “Mërgata e qyqeve” i Nasho Jorgaqit etj., akoma nuk e kanë zënë sa e si duhet vendin që u përket disa tema të mëdha të ditëve tona, si p.sh., ajo e rolit hegjemon të klasës punëtore, tema e fshatit, e luftës kundër liberalizmit e burokratizmit, kundër imperializmit e social-imperializmit etj. Mungesa vërehen në botimet për fëmijë, si në legjendat, në përrallat, sidomos në përrallën e re socialiste, në tregimet e ilustruara etj.
Në përgjithësi krijimtaria e botuar ideologjikisht është e shëndoshë dhe e pastër. Megjithëkëtë, në ndonjë botim gjejmë cektësi, skematizëm, mungesë e thellësi mendimesh në përshkrimin e ngjarjeve e të karaktereve. Në ndonjë vepër ka proliksitet, zgjidhje artificiale dhe të shpejtuar të konflikteve.
Por probleme më të mprehta të karakterit artistik dhe ideor ka në dorëshkrimet e pabotuara, që i janë dorëzuar Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” nga autorë të ndryshëm. Pjesa më e madhe e dorëshkrimeve letrare që nuk botohen, janë të paarrira nga ana e nivelit artistik. Shumica e dorëshkrimeve të pabotuara për arsye të nivelit të ulët artistik janë ato të letrarëve të rinj, të cilët nuk kanë një formim të plotë, u mungon përvoja letrare dhe puna sistematike për edukimin ideoestetik të tyre, por disa nga këto dorëshkrime u përkasin edhe autorëve që kanë botuar mbi dy libra.
Gabime e mungesë ideore konstatohen në dorëshkrimet në prozë që trajtojnë temën e Luftës Nacionalçlirimtare, temën e fshatit dhe të aktivitetit të organeve të punëve të brendshme.
Në këto tema nuk del roli organizues, mobilizues dhe udhëheqës i Partisë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, në ndonjë tjetër lihet mënjanë kontradikta kryesore e kohës, ajo midis popullit e pushtuesve. Në dorëshkrimet që trajtojnë temën e fshatit, kooperativistët paraqiten të pazotë e të paaftë për ta ndryshuar gjendjen, nuk gjendet personazhi pozitiv kooperativist që lufton për afirmimin e vijës së Partisë. Në ndonjë rast edhe organizatat e Partisë dalin të paafta për të udhëhequr punët dhe në kryesitë e kooperativave grumbullohen me hatër njerëz indiferentë, karrieristë e burokratë.
Në disa dorëshkrime për temën e vigjilencës dhe punën e organeve të sigurimit ka shabllonizëm dhe skematizëm. Problemet merren të shkëputura nga jeta e popullit, krimet e armiqve zgjidhen në rrugë detektive, hetuesit, operativët, shefat ngjajnë me “komisarët e policisë sekrete” sesa si punonjës sigurimi që janë të shkrirë me masën. Armiku thjeshtësohet deri në leshko, pijanec e i degjeneruar gjer në grotesk, gjë që ul edhe vlerat pozitive të heronjve tanë.
Në dorëshkrimet me poezi ka krijime me shfaqje të poezisë formaliste, me figuracion të paqartë e të errët, me të meta që u kritikuan në Plenumin IV të Komitetit Qendror të Partisë, të vitit 1973, për letërsinë e artet.
Kështu në vëllimin e pabotuar me poezi të Agim Gjakovës, i cili i kushtohet Kosovës, në mjaft poezi gjuha është e paqartë, e errët, ka edhe poezi simbolike e formaliste.
Në ndonjë poezi pohohet mendimi se bota gjendet në udhëkryq, jepet një tablo e errët dhe prej këtej kalohet në pesimizëm. E tillë është poezia “Zhgënjimi i piktorit të mëhallës”, që po japim më poshtë:
Më kot i kërkova botës dashuri e rreze
ajo më dha gjithnjë ngjyra të zverdhura prej beze
I kërkova ngjyrë të bardhë
ajo si shitëse e bukur me buzëqeshje
më shiti ngjyrë të zezë.
I lypa një fije ngrohtësi
ajo më solli erë të ftohtë, borë e shi
pak çiltërsi, i thash, pak çiltërsi
ajo buzëqeshi me gjysmën e fytyrës
me lagështinë e shpirtit të qullur si vesë
më afroi dyfytyrësi
Ah, ia mësova botës të dy llojet e ngjyrës!
- Në vëllimin e Ndoc Paplekës, ka poezi të veçanta me figuracion të ndërlikuar dhe me simbolikë të pakapshme, si:
E qeshura jote rreze dielli që thyen mbi burime
të çel mbi fytyrë si lule bore e madhe
nga sytë të del si dy zambakë ajo
të del nga goja si pëllumb i bardhë
që fluturon drejt meje.
Ose në vjershën “Ulqini”:
Ulqin qytet ulërimë
Brenda emrit tënd
Ulërima e ujkut
Brenda ulërimës sate
Njeriu me emrin ujk.
Agim Isaku dhe Rudolf Marku që kanë botuar poezi të mira, në vëllimet e dorëzuara kohët e fundit kanë ndikime të letërsisë moderniste jo vetëm në strofa të veçanta, por edhe në poezi të tëra:
- Ja një vjershë nga Agim Isaku:
Si pa pritur më shkojnë duart drejt erës
dhe ndjej si më kullon ajri nëpër gishta
me një mall të largët vere.
Si papritur ujërat që rrjedhin
më rrëmbejnë emrin tënd
dhe boja e gjetheve shkruan në qiellin
e ndezur ato germa,
kurse unë turpërohem nga ky zbulim,
që më bëjnë,
thua se më kanë vjedhë jo emrin tënd,
por rrobat dhe ndjehem lakuriq.
Në dorëshkrimin e Rudolf Markut “Dyer që hapen pa trokitur” ndeshen poezi si:
Ka një gabim në lindjen e trishtimit
përderisa është e dashura ime.
Ka një gabim në lindjen e ajrit
e gjithë hapësira mbushet
vetëm me frymën e së dashurës sime.
Shfaqje të huaja dhe ndikime formaliste ka dhe në poezitë e disa autorëve të rinj, vëllimet e të cilëve janë kthyer disa herë nga shtëpia botuese. Përmendim si më tipike poezinë e Visar Zhitit, arsimtar në Kukës, në të cilën gjejmë vargje si:
Një fëmijë me violinën e vogël sa zemra
luan mençurinë e jetës
...................................
Te perçja e kalit varen pemë dhe mall
në sytë e kalit – dritaret e shkollës
...................................
Vëllime me recidive moderniste kanë paraqitur edhe poetët e rinj Mihallaq Peta, mësues në Vlorë; Simon Vrusho, mësues në Berat; Fatmir Musaj, student; Adil Shamata, arsimtar në Tropojë etj.
Për letërsinë e botuar si nga shtëpia botuese, Lidhja e Shkrimtarëve e Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, organet e shtypit letrar, problemet që dalin janë trajtuar gjatë analizave, diskutimeve krijuese, apo edhe në shtyp.
Për letërsinë e pabotuar kam folur me shoqen Tefta dhe shokun Dritëro Agolli e Anastas Kondo që për këto probleme herë pas here të bëhen studime dhe të shtrohen për diskutim edhe me krijuesit, me qëllim që nga të metat të nxirren mësime dhe veprat të korrigjohen.
Shtypi letrar, në mënyrë të veçantë, duhet të shkruajë e të kritikojë sipas rastit. Ndërsa fakultetet dhe institutet e larta që përgatitin kuadro të këtyre profileve duhet të njihen me këto të meta dhe të forcojnë punën për edukimin ideoartistik të studentëve.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe degët e saj herë pas here duhet të organizojnë me talentet e reja seminare për kualifikimin e tyre.
Ministria e Arsimit dhe e Kulturës herë pas here t’ua bëjë të njohura këto probleme Komitetit të Partisë të Tiranës dhe komiteteve të Partisë të rretheve të interesuara.
Tiranë, më 05.09.1979 Manush Myftiu
(firma)
Dokumenti 2
DISA PROBLEME E DETYRA QË DALIN
NGA KRIJIMTARIA E PABOTUAR
Për të studiuar problemet që dalin nga krijimtaria e pabotuar, kemi nxjerrë disa të dhëna për veprat që u janë kthyer autorëve nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, gjatë 9 muajve të vitit në vazhdim.
I. Përgjithësisht krijimtaria është karakterizuar nga një përmbajtje e shëndoshë. Megjithatë numri i veprave që nuk botohen është shumë i madh. Nga 431 tituj të shqyrtuar gjatë këtyre 9 muajve, janë gjetur si të botueshëm 110. Raporti midis krijimtarisë që u kthehet autorëve dhe asaj që botohet është 3 me 1. Ky raport në poezi është shumë më i lartë dhe arrin 6 me 1.
Pjesa dërrmuese e veprave janë kthyer për nivelin e ulët artistik. Përgjithësisht në mjaft gjini, shumica e autorëve që u janë kthyer dorëshkrimet, janë krijues që bëjnë përpjekjet e para ose që kanë dëshirë të shkruajnë, por u mungojnë aftësitë e duhura. Vetëm 28 për qind e këtyre autorëve janë anëtarë ose kandidatë të Lidhjes së Shkrimtarëve.
Në redaksinë e romanit shkrimet e kthyera për nivelin artistik përbëjnë rreth 80 për qind të tyre. Në poezi nga dorëshkrimet e pabotuara, rreth 50 për qind janë kthyer se nuk kanë asgjë më shumë se vargëzimet e rëndomta; edhe pjesa më e madhe e veprave të tjera janë kthyer për dobësi artistike.
Shënojmë se një pjesë e dorëshkrimeve u kthehen autorëve për ripunim, të cilat pas korrigjimeve, i arrijnë kërkesat e duhura artistike. Kështu në poezi, këto përbëjnë rreth 30 për qind të veprave të kthyera.
II. Ndonëse pjesa dërrmuese e dorëshkrimeve është kthyer për nivelin artistik, disa prej tyre kanë pasur të meta në përmbajtje. Shpesh në vëllime ka disa tregime ose poezi me gabime ideore, por s’është i tërë vëllimi me të meta të tilla.
Gabimet ideore më të theksuara kanë qenë në poezi. Në 5 vëllime të autorëve me përvojë (si Agim Gjakova, Rudolf Marku, Agim Isaku, Ndoc Papleka) në pozitë e ndryshme janë vënë re kërkime formaliste, figuracion i errët që lë shteg për ekuivokë, vargje çapraze e pa ide dhe ndonjë vjershë me përmbajtje të gabuar.
Për dobësi ideore në prozën e gjatë janë kthyer edhe 4 romane.
Nga të dhënat e shtëpisë botuese shihet se veprat me të meta në përmbajtje në prozë kryesisht janë kthyet meqenëse, duke pasqyruar shfaqjet negative të shoqërisë sonë, autorët i nxjerrin ato në plan të parë, duke lënë në hije forcat pozitive. Më qartë të meta të kësaj natyre vihen re në prozën humoristike. Shihet se disa herë gabimet në përmbajtje e kanë burimin si në paqartësinë ideologjike dhe në paaftësinë artistike të autorëve.
Në disa tregime vihet në qendër konflikti me disa persona të borgjezuar, që në koncepte e veprime janë kundër vijës së Partisë, por lufta kundër tyre ose nuk jepet, ose është e zbehtë. Kështu, disa herë ngjyrat e errëta trashen dhe duket sikur shoqëria jonë është e mbushur me njerëz të tillë.
Në tërësi vepra me gabime ideore në vëllimet me tregime zënë 15 për qind të dorëshkrimeve të kthyera.
Për të meta në përmbajtje janë kthyer edhe dy drama. Në njërën prej tyre, vihet në qendër të dramës besa shqiptare, por për hir të kanunit, besa himnizohet deri në atë shkallë sa një malësor fsheh dhe mbron edhe armikun e tij okupator.
III. Nga të dhënat që përmendëm na dalin një sërë detyrash të përmirësojmë më tej punën me krijuesit, sidomos me të rinjtë. Për t’i ndihmuar ata ekzistojnë të gjitha format e nevojshme, por lind nevoja të rritet efikasiteti i tyre.
- Në radhë të parë duhet të gjallërojmë atmosferën letrare, përmes diskutimeve që duhet të organizohen në shtypin letrar, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe në rrethe. Midis disa krijuesve shihet se ka paqartësi për probleme ideoestetike si për tipiken, për shtruarjen e zgjidhjeve e konflikteve, për disa specifika të humorit dhe të satirës. Diskutimet krijuese do të ndihmojnë të sqarohen më mirë këto probleme dhe të rritet niveli ideoprofesional i shkrimtarëve.
Për të gjallëruar diskutimet, veç kujdesit më të mirë që duhet të tregojnë organet e Partisë, mendojmë se lind nevoja të rishikohet kuadri që merret me drejtimin e letërsisë në Lidhjen e Shkrimtarëve (sekretari dhe instruktori përkatës) me qëllim që të vendosen kuadro më aktivë.
- Ministria e Arsimit të studiojë rrugët e format për të rritur nivelin e përgatitjes ideoartistike të mësuesve të letërsisë. Po ashtu të shikohet gjendja e dhënies së mësimit të letërsisë në shkolla, dhe veçanërisht në fakultetet ku përgatiten mësues të kësaj lënde.
Në Fakultetin e Filologjisë, në Universitet shumë rrallë aktivizohet si pedagog i jashtëm ndonjë shkrimtar apo studiues.
- Në shtypin letrar artistik të marrim disa masa të veçanta për të forcuar kritikën, mbasi vihet re që vitet e fundit ajo është varfëruar mjaft.
- Nga komitetet e partisë në rrethe të shikohen dhe një herë masat që mund të merren për t’i njohur më mirë shkrimtarët me jetën dhe për edukimin e tyre. Nga ana tjetër lind nevoja të tërheqim vëmendjen e organeve të Partisë në rrethe që të merren më mirë me krijuesit, të rrisin kujdesin e organizatave të Partisë për krijimtarinë e autorëve të tyre.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)