Dokumentet sekrete të ngjarjes së 20 marsit 1989, në konviktin e vajzave që alarmoi udhëheqjen dhe u përjashtuan pesë studente nga shkolla

Dokumentet sekrete të ngjarjes së 20 marsit 1989, në konviktin e vajzave që alarmoi udhëheqjen dhe u përjashtuan pesë studente nga shkolla

Pjesa e parë

-Relacioni sekret: “Studentët A. Gj., M. N., V. G., Gj. Gj., E. S. e B. G., të Institutit të Lartë të Arteve, u treguan me të zellshmet, për të provokuar me fjalë dhe këngë të shëmtuara”!-

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje me korrespodencën ndërmjet Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, me Komitetin e Partisë së Universitetit Shtetëror të “Enver Hoxha”, Institutin e Lartë të Arteve dhe Drejtorinë e Qytetit “Studenti”, ku bëhet fjalë për ngjarjen e pazakontë të 20 marsit të vitit 1989, ku sipas variantit zyrtar, “u implikuan”, studentët konviktorë të godinave të Institutit të Lartë të Arteve dhe Inxhinierisë së Ndërtimit.

Ajo ngjarje që tronditi regjimin komunist të Tiranës, ka mbetur në kujtesën e pak njerëzve, vetëm nga dëshmitë që vinin prej studentëve konviktorë, që ktheheshin në shtëpitë e tyre atë fund marsi të vitit 1989, me thënie nga më kontradiktoret, të cilat rrëzonin njëra tjetrën!

Lidhur me këtë, bëhet fjalë në këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë ,por këto dokumente, tregojnë vetëm njërën anë të “medaljes”, variantin zyrtar dhe jo të vërtetën se çfarë ka ndodhur atë mbrëmje të 20 marsit të vitit 1989, në Qytetin “Studenti”…! Gjë e cila, mund të zbardhet një ditë nga dëshmitë e protagonistëve të saj!

DOKUMENTI ME RAPORT – INFORMACIONIN PËR NGJARJEN E 20 MARSIT 1989 NË QYTETIN “STUDENTI”, I HARTUAR NGA SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË SË UNIVERSITETIT SHTETËROR TË TIRANËS “ENVER HOXHA”, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së

 PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË

KOMITETI I PARTISË SË U. T. “ENVER HOXHA”                                   Tiranë, më 21.4.1989

Nr. 137/ Prot.                          

KOMITETIT QENDROR TË PPSH

    SHOKUT LLUKAN PUKA

              TIRANË

                                                        INFORMACION

MBI MASAT QË U MORËN PËR DISA STUDENTË TË IMPLIKUAR NË NGJARJEN QË KA NDODHUR MË 20.3.1989 NË QYTETIN “STUDENTI”

Sikurse ju kemi informuar, kjo ngjarje nuk pati asnjë nuancë politike dhe asnjë element organizimi. Megjithatë, Komiteti i Partisë dhe organizatat bazë, e vlerësuan atë si një ngjarje të jashtëzakonshme dhe nxuarën përgjegjësitë, konkluzionet dhe detyrat përkatëse, nëpërmjet analizash që u bënë, në të gjithë masën e komunistëve, me organizatat e Bashkimit të Rinisë, organizatat e Bashkimeve Profesionale dhe organizmat shtetërore.

Konkluzione dhe detyra për punën e tyre, nxorën dhe levat e organizata të Bashkimit të Rinisë në konvikte, si këshillat e godinave dhe Këshilli i Qytetit “Studenti”. Nga analizat e tyre, doli se kësi ngjarjesh, natyrisht jo në këtë përmasa, kanë ndodhur dhe më parë në konvikte, sa herë që ka ndonjë sebep, sidomos kur fiken dritat, e në kohë provimesh.

E keqja është që ato, shpesh janë nënvleftësuar dhe nuk janë marrë masa ndaj disa elementëve të prirur për rrëmujë, ndaj atyre që siç thuhet, ja kanë marrë dorën për prishje qetësie e situatash të pakëndshme. Këto elementë, u shquan edhe në ngjarjen e 20 marsit, jo thjesht si prishësh të qetësisë me këngë dhe humor të shëndoshë, por si studentë, me mangësi serioze në edukatën dhe në formimin e tyre të përgjithshëm, që edhe në mjedise publike, apo në institucione shtetërore, siç janë konviktet, cenojnë rëndë dhe në mënyrë të përsëritur, figurën morale të të riut tonë dhe bëhen nxitëse, të ngjarjeve të rënda.

Disa prej tyre, u evidentuan dhe për to janë vërtetuar këto fakte:

1.Studentët Gjergji Çollaku dhe Aurel Nauni, të fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, qenë nismëtarë të ngjarjes për godinat e djemve. Me gjithë thirrjen që u bënë shokët, ata nuk reflektuan. Gjergj Çollaku, ka përdorur një fjalor vulgar dhe ka kënduar edhe këngë të huaja. Ky student, ka krijuar shqetësime vazhdimisht në godinë. Prandaj për të, u mor masa e përjashtimit, për një vit nga konvikti.

Studenti Aurel Nauni, mori vërejtje me paralajmërim.

2.Studentet Sh. M. dhe E. K., të fakultetit të Shkencave të Natyrës, jo vetëm që qenë disa nga nismëtarët e ngjarjes, por e kthyen dhomën e tyre, në një vatër ku u grumbulluan edhe vajza të tjera dhe i dhanë “zjarr”, situatës së papëlqyer që u krijua. Sh. M., është një studente e diskretituar për çështje……dhe vetë rinia nuk e duron dot më në radhët e saja. Ajo u përjashtua për një vit nga konviktet dhe nga fakulteti. Meqenëse është studente përsëritëse, u përjashtua përgjithnjë. Kurse E. K., ju dha vërejtje me paralajmërim.

3.Studentët A. Gj., M. N., V. G., Gj. Gj., E. S., B. G., të Institutit të Lartë të Arteve, u treguan me të zellshmet, për të provokuar me fjalë dhe këngë të shëmtuara studentët, për të marrë pjesë në ngjarje. Veçanërisht dy të parat, kanë përdor me zë të lartë fjalor rrugaçësh të……!

Studentët, këshillat e godinave dhe vetë këto 6 shoqe, e kanë pohuar se, po të mos ishin sjellur ato siç janë sjellur, nuk do të kishte ndodhur ngjarja e shëmtuar që e dënojnë të tërë. Prandaj për këto të gjashta, këshilli i godinës dhe këshilli i Qytetit “Studenti”, morën vendim, për përjashtim për një vit nga konviktet. Drejtoria e Institutit të Lartë të Arteve, përjashtoi vetëm katër prej tyre, nga shkolla. Nuk përjashtoi M. N. dhe B. G.

Komiteti i Partisë, i shqyrtoi konkluzionet, mendimet dhe vendimet e forumeve të rinisë dhe i vlerësoi si të drejta, duke orientuar organizatat e rinisë dhe dekanatet, që t’i mbështesin ato. Me ndonjë hezitim të vogël, në ndonjë organizatë rinie, u miratuan plotësisht, masat që u morën.

SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË

                  Ilia Kongo

DOKUMENTI I HARTUAR NGA ANASTAS KONDO DHE LLUKAN PUKA, DËRGUAR SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, FOTO ÇAMI, ME SHKRESËN PËRCJELLSE PËR NGJARJEN E 20 MARSIT 1989, NË QYTETIN “STUDENTI”

 Për dijeni

Shokut Hekuran

Shoqes Lenka

Shoku Foto

Po u paraqesim informacionin për ngjarjen në konviktet e Universitetit) që ia kërkuam pas takimeve dhe bisedave me ta, shokëve të Institutit të Lartë të Arteve.

Ne pajtohemi me trajtimin e çështjes dhe masat që ata mendojnë të marrin. Po të jeni edhe ju dakord, t’u themi të veprojnë siç mendojnë.

Anastas Kondo

Llukan Puka

Shoku Anastas, mendoj se përjashtimi përgjithmonë, mos do parë.

Po të jenë përsëritëse, është tjetër. Masa shoh vetëm për vajzat! Nuk them të merren kot edhe për djemtë, për të balancuar. Të gjykohet si ta mendoni ju, pa prishur rregullat, por gjithnjë, duke pasur parasysh, se mendimet e para, janë nga gjaknxehtësia.

DOKUMENTI ME RAPORT – INFORMACIONIN PËR NGJARJEN E 20 MARSIT 1989 NË QYTETIN “STUDENTI”, I HARTUAR NGA DREJTORI I INSTITUTIT TË LARTË TË ARTEVE, JAKUP MATO

                                                           INFORMACION

Në Institutin e Lartë të Arteve, janë bërë për përpjekje të forcohet puna edukative me studentët dhe disiplina në shkollë dhe në konvikt. Duke pasur parasysh disa shfaqje jo të mira vitin e kaluar, u bënë disa analiza e diskutime në drejtori, në katedra dhe në kurset e studentëve.

Por ngjarja e papëlqyer që ndodhi në konvikt më 20 mars, tërhoqi edhe njëherë vëmendjen e organizatës së Partisë, të drejtorisë dhe të kolektivit pedagogjik, për përgjegjësitë tona, detyrat që na dalin për forcimin e punës edukative dhe për gjallërimin e punës kulturore-artistike.

Krahas masave të tjera, organizata bazë dhe drejtoria, e quajtën të nevojshme, që për disa studentë që kanë thyer disiplinën në shkollë dhe në ngjarjen në konvikt, janë evidentuar si më aktivët, të merren masa administrative disiplinore.

Konkretisht, drejtoria mori këto masa:

Studentët Xh. Gj., E. S., A. Gj., dhe V. G., të përjashtohen për një vit nga shkolla, për thyerje të rëndë të disiplinës, në shkollë dhe në konvikt. Me përjashtim të E. S., të tjerave, pas kësaj ngjarje, u është dhënë vërejtje me paralajmërim për përjashtim nga shkolla (për mungesa të paarsyeshme). Studenteve të sipërpërmendura, u është vënë kusht, që brenda këtij viti, të sistemohen me punë në rrethet e tyre. Studimet do t’i rifillojnë, duke paraqitur një dëshmi nga qendra e punës, ku të jenë vlerësuar veprimtaria dhe sjellja e tyre.

Drejtoria, njëkohësisht vendosi që studentes M. N., L. M., F. G., t’u tërhiqet vërejtje me paralajmërim për përjashtim nga shkolla, për thyerje të disiplinës në shkollë dhe në konvikt. Edhe disa studentëve të tjerë, u është hequr vërejtje, për thyerje të disiplinës në shkollë dhe në konvikt.

Në periudhën e tanishme, po i kushtojmë një kujdes të posaçëm, zbatimit të detyrave që janë përcaktuar, për forcimin e punës edukative, të disiplinës dhe të veprimtarive kulturore-artistike.

DOKUMENTI ME RAPORT – INFORMACIONIN E HARTUAR NGA SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË SË TIRANËS, PIRO LAKO, DËRGUAR SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, FOTO ÇAMI, PËR NGJARJEN E 20 MARSIT 1989 NË QYTETIN “STUDENTI”

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                                        Sekret

KOMITETI I PARTISË SË RRETHIT                                                               Ekzemplar Nr. 2

Nr. 355 Prot.                                                                                            Tiranë, më 22.3.1989 

                                                    INFORMACION

                                         KOMITETIT QENDROR TË PPSH

                                                Shokut Foto Çami

                                                       TIRANË

Në fakultetet e Ndërtimit, të Shkencave të Natyrës, të Ekonomikut dhe në Institutin e Lartë të Arteve, u bënë mbledhjet e organizatave bazë të Partisë dhe ato të organizatave të rinisë, lidhur me diskutimin e ngjarjeve në Qytetin e “Studentëve”.

Për të siguruar një analizë të frytshme, organizuam paraprakisht një takim me drejtuesit kryesorë të fakulteteve dhe me shokët drejtues të rinisë, të cilët i njohëm shkurtimisht me ngjarjen e shëmtuar dhe i udhëzuam se si duhet të vepronin. Kërkuam që, theksi të vihet në gjetjen e shkaqeve se, pse ndodhi një ngjarje e tillë dhe së dyti, pse nuk pati një kundërveprim të menjëhershëm, me iniciativë të të rinjve, për të parandaluar këtë ngjarje.

Nga ana tjetër, theksuam që, analizat të bëhen pa sektarizëm, d.m.th., që “fajin t’ja vëmë këngës, apo ndonjë ngacmimi të rastit, student me student”, dhe pa oportunizëm, d.m.th., “që këto janë gjëra që ndodhin’, janë në psikologjinë e studentit”, pra, s’kemi pse shqetësohemi.

Theksojmë se, me iniciativë, disa degë të fakultetit të Ndërtimit, kishin mbledhur organizatat e Partisë dhe ato të Rinisë, ku po diskutonin ngjarjet në Qytetin e “Studentëve”. Pas diskutimeve, u tërhoqën disa konkluzione në Komitetin e Partisë së Universitetit dhe në Byronë e Partisë në Institutin e Lartë të Arteve.

Çfarë u konkludua?

Së pari, në të gjitha diskutimet, u pranua se, kemi të bëjmë me një ngjarje të shëmtuar, në të cilën u tërhoqën spontanisht një masë jo e vogël studentësh (rreth 1.500 vetë), disa të futur “në lojë”, për ngacmim dhe humor banal, me shoku shokun, të tjerët për të asistuar, në këto skena, disa duke i parë nga dritaret apo tarracat.

Nuk u konkludua dhe as u pranua që, të ketë organizatorë, por u theksua se, disa student, i kanë qejf këto lloj skenash, që janë më të pranishme, në kohë provimesh, ose pas provimeve, që mund të identifikoheshin si liberalë, snobë, etj. Së dyti, pavarësisht se studentët, kanë nivel të mirë politik dhe ideologjik, fakti që vetëm disa prej tyre, ndërhynë për të parandaluar ngjarjen, flet se, ka probleme në formimin e tyre.

U shfaqën hapur mendime dhe u bënë kritika me emër, se në sferën etiko – morale, dobësitë janë më të theksuara. Kjo sferë, nënvleftësohet, si nga shkolla e lartë, nga katedrat dhe pedagogët, ashtu dhe nga vetë rinia.

Fjalori banal, mungesa e respektit për mjaft pedagogë, bisedat me zë të lartë, ofendimet e humori i pashëndetshëm, zënkat e hapura, bile dhe me grushta, sjelljet e pahijshme ndaj vajzave, fyerjet krahinore, etj., janë më të përhapura dhe për to nuk ka koncepte të drejta.

Nënvlerësimi i tyre, ka çuar në mungesën e qëndrimit dhe të kundërshtimit të tyre të hapur. Disa student, në Institutin e Lartë të Arteve, i kritikuan pedagogët, se ata u largohen këtyre problemeve, nuk nxisin dhe nuk përkrahin, qëndrimet pozitive që mbahen.

Së treti, efektiviteti i punës edukative të Partisë dhe të Rinisë, nuk duhet të matet me numrin e mbledhjeve, të lektoriumeve, të bisedave, por me përballimin e problemeve specifike, që ka shkolla e lartë dhe jeta kolektive në Qytetin e “Studentëve”.

Është ky një problem i rrahur gjerësisht, por u theksua se, shpesh kapemi pas anëve formale, të dukshme, për bujë, dhe nuk u futemi si duhet interesave, kërkesave, psikologjisë së studentëve, sidomos atyre konviktorë. Përgjithësisht, u pranua se bëhet një punë edukative, e sipërfaqshme, e bile pa përgjegjësi.

Vetëveprimi dhe iniciativa e studentëve, duhet kuptuar e pandarë, nga kujdesi e sidomos nga puna e menduar, e argumentuar e profesoratit, gjë që duket edhe në analizat jo të thella, që bëjnë organizatat e Partisë dhe katedrat.

Ngjarja u cilësua jo e rastit, sepse organizatës së Partisë së Universitetit, i është tërhequr edhe herë të tjera vëmendja dhe i është kërkuar të bëjë punë, më të kualifikuar edukative.

U përcaktuan disa probleme dhe disa shfaqje që duhet t’i atakojë puna e Partisë, siç janë ato të indiferentizmit, shikimi individualist i ngjarjeve në shkolla e Qytetin e “Studentit”, jeta disa pa preokupacion shoqëror dhe nerv politik, interpretimi i drejtë ideologjik e, shfaqjeve të huaja, sidomos i atyre etiko-morale, probleme të formimit kulturor në përgjithësi.

Edhe fakti që në disa organizata Partie e, te ndonjë anëtar i Komitetit të Partisë, ngjarja në Qytetin “Studenti”, u muar lehtë apo filloj si “lojë kungulleshkash”, që “fajin e kanë mjaft vajza të Institutit të Lartë të Arteve, që janë të shthurura në fjalor, e në ndonjë rast edhe në moral”, se djemtë e Inxhinierisë së Ndërtimit, janë të prirur në vagabondazh e, për ngacmime”, flet se problemeve, nuk u bihet në kokë, në thelbin e tyre, që nuk shihet një si një frymë liberale dhe ambientim në to.

Pasi u diskutuan gjerësisht, në Komitetin e Partisë së Universitetit, u morën disa masa:

-Sot do të bëhen analizat në organizatat e Partisë dhe të rinisë të fakulteteve të tjera, që nuk ishin të implikuara me ngjarjen.

-Për disa punonjës të konvikteve të qytetit, që nuk kryen detyrën, e që kanë pasur edhe shfaqje të tjera të mungesës së devotshmërisë, do të diskutohet, për largimin e tyre nga kjo punë.

-Do të bëhet një aktiv i përbashkët, partie dhe rinie, për të analizuar e përcaktuar detyra, për thellimin e punës edukative.

Shënojmë se, krahas qëndrimeve kritike pozitive, për dobinë e kësaj pune të bërë dhe vlerësimit që, çështja u kap në kohë dhe drejt, mjaft studentë dhe pedagogë, bënë vërejtje, se ndërhyrja e hetuesisë, është e tepërt dhe në një farë mënyre, ka krijuar një pasiguri.

U përpoqëm që t’i sqarojmë, e t’u qetësojmë ndërgjegjen, se hetuesia, nuk ka pse merret me këtë çështje.

Atë e ka në dorë vetë rinia, në shkollën e lartë. Gjithashtu doli, se është i pasaktë pohimi, se një student i godinës nr. 3, ka dalë lakuriq.

Vajzat theksojnë se, kanë parë një gjë të bardhë, por jo njeri. Më shumë, thonë ata, ky është indikacion nga një zë vajze, e që u përhap pa arsye dhe pa ndonjë bazë reale. Memorie.al

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023!  ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023! ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira