Një miku im 45 vjeç në Tiranë ka 32.000 miq në Instagram dhe 40.000 në Facebook.
Ai është beqar, s’ka fëmijë dhe e shihja çdo ditë duke pirë kafe vetëm. Në rrjete sociale ai ndjek, por edhe e ndjekin, me mijëra gra dhe burra.
Më çudiste gjithmonë jeta e tij e izoluar.
Njerëzit kanë zgjeruar miqësitë, shoqëritë, dashuritë në mënyrë dixhitale, duke pakësuar njohjet njerëzore.
Në këtë botë virtuale këmbehen miliona puthje, buzëqeshje, përqafime ndërsa në jetën reale ndodhin shumë më pak.
Ka miliona njerëz që jetojnë për pak vëmendje dhe ndjekin jetën e të tjerëve. Të tjerë planifikojnë dhe ëndërrojnë stilin e jetës, veshjen, aromën apo prekjen e dikujt që e kanë parë vetëm në foto dhe s’e kanë takuar kurrë.
Madje, sapo fle burri apo gruaja, kontrollojnë profilin e dikujt tjetër. Po kështu, sapo debatojnë me partnerin apo partneren, shkojnë në Messenger për të shikuar një opsion tjetër.
Ka edhe nga ata që kërkojnë takim me dikë që nuk e njohin aspak dhe kanë informacion vetëm nga videot dhe fotot në Facebook dhe rrjete sociale.
Nga kjo botë dixhitale lindin miliona xhelozi, zili, kureshtje, inate dhe keqkuptime.
Sa orë, ditë, javë dhe muaj harxhojnë njerëzit në ekranin e telefonit duke kërkuar njeriun e ëndrrave, shtëpinë magjike, pushimet përrallore, veshjet e dëshiruara, femrat apo meshkujt e pëlqyer?
Sa miliona zhgënjime, lëndime apo befasime janë sjellë nga njohjet fiktive?
Dhe sa rrezik paraqet kjo botë me të panjohura për fëmijët e mitur që hyjnë në të?
Nëse do kufizoheshin rrjetet sociale:
Do të takoheshim më shpesh me njëri-tjetrin dhe do të bisedonim sy më sy.
Do të kuptoheshim më mirë.
Në vend që të postonim aforizma, do t’i këndonim serenata njëri-tjetrit apo do të recitonim vargje në dritën e hënës dhe jo në story në Instagram.
Do t’u kushtonim më shumë vëmendje miqve të zemrës sesa shokëve të panjohur.
Nuk do të harxhonim kohë me lexime të njerëzve të çmendur, as nuk do të ndërtonim komunikime false apo të stresoheshim nga komentet e budallenjve dhe perversëve.
Do të jetonim për vete dhe jo për të tjerët.
Do të flinim më herët dhe do të merreshim me më shumë sport, art dhe kulturë.
Mbi të gjitha, nuk do të humbisnim miq të vërtetë.
Njeriu u krijua si qenie sociale, jo imazh për media sociale.
Rrjetet sociale nuk po i zgjerojnë askujt miqësinë, por po rrisin vetminë.
Miliona puthje dhe përqafime virtuale nga ata që kanë bosh zemrën dhe jetën reale.
Kjo është metamorfoza e njeriut dixhital.
Të gjithë ne kemi mbushur botën me miq virtualë, por kemi zbrazur jetën nga njerëzit e vërtetë. Kemi mësuar të prekim miliona zemra me një gisht, por kemi harruar të përqafojmë fort dikë me të dy krahët.








Komente
Komento