Shembulli se si i survejonte Sigurimi i Shtetit klerikët në Shqipëri, veçanërisht ata kaltolikë, jepet përmes këtij dokumenti të 29 shtatorit 1967. Rreth 7 muaj pasi Enver Hoxha kishtë shpërndarë në të gjithë institucionet në vend një urdhëresë për ndalimin e feve dhe dhe mbylljen e të gjithë objekteve të kultit, një valë arrestimesh e burgosjesh do të ndodhnin në rradhët e klerikëve.
Dokumenti sekret që sjellim sot është një informacion i Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit dhe i drejtohet Komitetit Qendror të PPSH-së duke shpjeguar gjithë survejimin që ju ishte bërë disa klerikëve të arrestuar atë kohë. Sipas shefave të Sigurimit ishte zbuluar një grup agjentural i Vatikanit.
Sipas tyre këta klerikë përmes lidhjeve të tyre kishin dërguar në vatikan “të dhëna me karakter informativ mbi marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe fesë në vendin tonë, mbi gjendjen ekonomike të famullive dhe të vetë klerikëve, mbi numrin e klerikëve të arrestuar, të dënuar e të ekzekutuar..”.
Por më shumë se dërgimi i këtyre të dhënave, që ishte në realitet një e vërtetë e pastër e situatës së nderë në shqipërinë e regjimit komunist, shefat e Sigurimit i preokuponte një çështje më delikate.
Sipas tyre këta klerikë veç të dërgimti të të dhënave i kishin kërkuar Vatikanit që “ai, të bashkëpunonte me shtete të tjera besimtare të botës, të krijoheshin kushte më të mira për të ushtruar lirisht profesionin”.
Më interes në këtë dokument është pasqyrimi i ndjekjes që iu është bërë këtyre klerikëve, të cilët ishin survejuar pareshtur përgjatë aktivitetit të tyre.
Informacioni sekret i Sugurimit zbërthen të gjithë përgjimet që iu ishin bërë klerikëve, të cilët sipas tyre kishin në plan të krijonin një parti demokristiane dhe siç shkruahet në raportin e Sigurimit “me ndryshimin e situatës (rënien e regjimit), kjo do të ishte partia e vetme që do të merrte pjesë në qeveri dhe nëpërmjet kësaj do të përfaqësoheshin të gjithë klerikët”.
Por një tjetër “mëkat” i madh i këtyre klerikëve sipas këtij dokumenti, ishte dhe agjitacioni e propaganda që ata kishin bërë në popull.
“Kanë zhvilluar dhe agjitacion e propagandë në këto drejtime: socializmin dhe komunizmin e kanë paraqitur si sistem terrori dhe dhune, ku mungon liria e fjalës, e shtypit dhe e besimit; gjendjen ekonomike të vendit tonë, duke e krahasuar me gjendjen ekonomike të vendeve kapitaliste, e duke e paraqitur të vështirë. Gjithashtu kanë folur kundër sistemit kooperativist, që sipas tyre, ky keqësonte akoma më shumë jetën e fshatarit”, shkruhet në raportin informativ të 29 shtatorit 1967, që Drejtoria e I-rë e Sigurimit i niste Komitetit Qendror të PPSH-së...
Dokumenti i plotë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E I-rë
Nr. 1695 Prot.
“Tepër Sekret”
Ekz. Nr. 5
Tiranë, më 29.09.1967
INFORMACION
Mbi procesin e disa klerikëve arrestuar kohët e fundit
KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË SHOKËVE:
HYSNI KAPO, BEQIR BALLUKU
DHE SEKRETARIT I TË KOMITETIT TË PARTISË TË QYTETIT
SHOKUT MANUSH MYFTIU, SHOKUT HAKI TOSKA
TIRANË
Kohët e fundit janë arrestuar klerikët katolikë Mark Hasi dhe Zef Bici, mbasi zhvillonin veprimtari spiunazhi në favor të zbulimit italian. Të dy përpunoheshin aktivisht nga ana e organeve tona.
Këta të pandehur duke qenë kundërshtarë të pushtetit popullor në Shqipëri që nga viti 1953 e deri në arrestimin e tyre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë klerikë e besimtarë, kanë zhvilluar jo vetëm agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, por në të njëjtën kohë kanë realizuar lidhje me Vatikanin nëpërmjet personave të arratisur, gjeneralit italian Domeniko Bandini, ardhur në vendin tonë për të mbledhur eshtrat e ushtarëve italianë, të grave vizitore të ardhura nga Italia dhe të atyre që kanë shkuar në Itali dhe kryesisht nëpërmjet funksionarëve të ambasadës italiane në Tiranë.
Nëpërmjet lidhjeve të mësipërme, kanë dërguar në Vatikan të dhëna me karakter informativ mbi marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe fesë në vendin tonë, mbi gjendjen ekonomike të famullive dhe të vetë klerikëve, mbi numrin e klerikëve të arrestuar, të dënuar e të ekzekutuar.
Njëkohësisht, nëpërmjet këtyre informacioneve dhe kontakteve personale, këta armiq, kanë kërkuar nga Vatikani që ai, të bashkëpunonte me shtete të tjera besimtare të botës, të krijoheshin kushte më të mira për të ushtruar lirisht profesionin.
I pandehuri Zef Bici, dukje qenë prift në famullinë e Tiranës, në fillim nëpërmjet të njohurës së tij Liza Vuksani që shërbente në ambasadën italiane, nga viti 1960-1961, bie në kontakt me zbuluesin e kësaj ambasade Luçiano Bertolinin dhe vihet në shërbim të tyre duke realizuar me të disa takime në kishë, qelë, varreza etj. Në takimet me këtë zbulues i ka raportuar atij mbi gjendjen e klerit në Shqipëri, mbi marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe fesë, i ka paraqitur gjendjen ekonomike si shumë të vështirë dhe çështje të tjera që i janë kërkuar nga ky zbulues.
Për të zgjeruar rrjetin e spiunazhit, zbuluesi i ambasadës italiane në Tiranë, Luçiano Bertolini, me anën e Zef Bicit, në muajin maj të vitit 1963 organizon një takim me të pandehurin Mark Hasi në zyrat e kishës katolike në Tiranë, të cilin e vë në shërbim të këtij zbulimi dhe të dyve së bashku u ngarkon detyrën që të grumbullojnë informata me karakter ushtarak, politik dhe ekonomik për vendin tonë, dhe të zgjerojnë veprimtarinë e tyre me anën e propagandës në radhët e klerikëve e besimtarëve.
Në takimet e mëvonshme me zbuluesit e ambasadës italiane, këta të pandehur kanë raportuar mbi realizimin e detyrave të ngarkuara, kanë dhënë informata me karakter sekret dhe kanë marrë prej tyre shpërblime si tesha, para etj., në pretekstin e ndihmave kishës nga besimtarët e përfaqësisë italiane.
Të dy të pandehurit kryesorë të këtij grupi kanë deponuar që sipas orientimit që kanë marrë nga zbuluesit e ambasadës italiane në Shqipëri, kanë biseduar paraprakisht rreth mundësive, formave dhe strukturës për krijimin e një partie demokristiane në Shqipëri, por duke parë kushtet e vështira për një punë të tillë kanë arritur në përfundimin që kjo të mbetej një detyrë për t’u kryer në të ardhmen.
Qëllimi i krijimit të kësaj partie, sipas të pandehurve, është që veprimtaria e tyre armiqësore të organizohej dhe të drejtohej nga kjo parti, aktiviteti i së cilës do të përfshinte në radhët e saj masën e klerikëve dhe të besimtarëve dhe pas kësaj, me ndryshimin e situatës, kjo do të ishte partia e vetme që do të merrte pjesë në qeveri dhe nëpërmjet kësaj do të përfaqësoheshin të gjithë klerikët.
Deri tani, në hetuesi del që rreth këtij problemi, këta të pandehur kanë biseduar edhe me klerikët Mark Dushi, Frano Ilia dhe Geg Luma, si dhe me të pandehurin Alfons Radovani.
Përveç veprimtarisë së mësipërme, këta të pandehur kanë zhvilluar dhe agjitacion e propagandë në këto drejtime: socializmin dhe komunizmin e kanë paraqitur si sistem terrori dhe dhune, ku mungon liria e fjalës, e shtypit dhe e besimit; gjendjen ekonomike të vendit tonë, duke e krahasuar me gjendjen ekonomike të vendeve kapitaliste, e duke e paraqitur të vështirë. Gjithashtu kanë folur kundër sistemit kooperativist, që sipas tyre, ky keqësonte akoma më shumë jetën e fshatarit.
Ndryshimin e kursit nga udhëheqja tradhtare sovjetike e kanë paraqitur si fitore dhe kanë shprehur se së shpejti një gjë e tillë do të ndodhte dhe në Shqipëri, gjë e cila do të sillte ndryshime lidhur me lirinë e fesë ashtu siç kishte ndodhur dhe në vendet ku kishte triumfuar revizionizmi.
Për këtë agjitacion e propagandë janë frymëzuar nga takimet që kanë pasur me zbuluesit e ambasadës italiane si dhe nga dëgjimet e rregullta që u bënin radiostacioneve të huaja, sidomos radiostacionit të Vatikanit. Në agjitacionin e propagandën kundër pushtetit popullor, të pandehurit implikojnë një sërë personash klerikë e besimtarë, ndërmjet të cilëve edhe Ernest Çobon, ish-kryetar i kishës katolike, klerikët Mark Dushi, Frano Ilia, Geg Luma, Marjan Prela etj.
Në bazën e materialeve të dala nga hetuesia dhe atyre operative, kohët e fundit u arrestuan si pjesëtarë të kësaj veprimtarie edhe klerikët Mark Dushi, Frano Ilia e Geg Luma. Me këta të pandehur vazhdojnë hetimet për të zbuluar deri në fund veprimtarinë e tyre armiqësore.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com