Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputetja demokrate Jorida Tabaku kanë debatuar në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme lidhur me projektligjin për ndryshimet në median audiovizive, ku një pikë me rëndësi ishte dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët.

Gjatë fjalës së saj në Komision, Tabaku tha se ka pasur një debat të vijueshëm për çështjen e dekriminalizimit të shpifjes, si për gazetarët, ashtu edhe për qytetarët e thjeshtë.

Tabaku vijoi duke thënë se dekriminalizimi i shpifjes është një prej detyrimeve të grupkapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sipas Tabakut, kjo bëhet për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Ajo nuk ndenji pa sulmuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama, për të cilën tha se ka qenë burimi kryesor i sulmeve ndaj gazetarëve, kryesisht atyre verbale.

“Ka pasur një debat të vijueshëm nisur që nga viti 2007 deri në vitin 2012 kur ligjvënësi shqiptar ndërhyri për herë të parë në drejtim të dekriminalizimit të fyerjes dhe shpifjes për shkak të detyrës, ndaj subjekteve të veçanta e të posaçme.

Ju jeni në dijeni edhe për vendimet dhe rekomandimet që ka marrë Këshilli i Europës. Është vendosur dekriminalizimi i shpifjes, jo vetëm për gazetarët, por ndaj çdo qytetari, si pjesë e lirisë së shprehjes. Pse vjen në këtë komision? Sepse është një prej detyrimeve të grupkapitullit të parë.

Qeveria ka qenë burimi kryesor i sulmeve ndaj gazetarëve, sidomos i atyre verbale. Qeveria shqiptare mendon se mund t’i fyejë gazetarët dhe e ka lënë nenin 19 të paprekur”, tha mes të tjerash Tabaku.

Nga ana tjetër, Balla tha se dekriminalizimi i shpifjes do të shqyrtohet me një vëmendje shumë të veçantë, për shkak të komplikacionit që sipas tij situata paraqet.

Sipas Ballës, në mënyrë që dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët të jetë funksional, fillimisht duhet ndarë kush është gazetar dhe kush jo.

Ai vijoi më tej duke thënë se dokumenti i qeverisë për këtë projektligj ka marrë dakordësinë e BE-së, teksa tha më tej se shumë vende kyçe të BE-së nuk e kanë dekriminalizuar shpifjen.

“Këtë gjë unë mendoj që gazetarët e kanë shumë të thjeshtë. Ata duhet të organizohen dhe bujrum të hartojmë ligjin për profesionin e rregulluar të gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Dhe dua të garantoj sot çdo gazetar se nuk ka vepër penale për shpifje për shkak të detyrës. Por këtu duhet të ndajmë kush është realisht gazetar. Por jo për ata që e vetë-shpallin veten gazetar, vënë një bexh këtu dhe e quajnë veten gazetar. Ne do kemi shumë punë për këtë gjë dhe komisioni do ketë shumë punë për këtë gjë.

Në rastin në fjalë ajo që kemi marrë nga qeveria është dokumenti që ka marrë edhe konfirmimin nga Brukseli për këtë hap që do të hedhim. Të vijojmë të hulumtojmë edhe më shumë, edhe pse personalisht dua t’ju kujtoj se ndër vendet e BE-së që vijojnë ta mbajnë shpifjen si vepër penale janë Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Greqia, Italia, etj... Megjithatë ta them se është një hap i madh ndryshimi që ka sjellë qeveria sepse e ndan shpifësin profesionist nga shpifësi amator. Shpifësit profesionist i tregon vendin”, tha mes të tjerash Balla.