Një pjesë e raportit i kushtohet preferencës amerikane mes projekteve të furnizimit me gaz, TAP dhe Nabucco West. Kompanitë që qëndrojnë pas konsorciumit Shah Deniz do të vendosin në qershor se cili nga variantet do të miratohet. Raporti në fjalë, i cili mban datën 12 dhjetor 2012 rekomandon që SHBA të përkrahë Nabucco West kundrejt TAP për arsye të interesave gjeostrategjike amerikane.
Në raport pranohet fakti se TAP ka përparësi nga pikepamja ekonomike e kostove të ndërtimit, duke e sjellë gazin e Kaspikut drejt Italisë në një distancë më të shkurtër dhe me një pjesë të gazsjellesit nën detin Adriatik, ç’ka i ul kostot inxhinierike të mirëmbajtjes. Por, sipas raportit, interesat amerikane do ta donin që sa më shumë vende aleate të kishin mundësinë të shkëputeshin nga varësia prej gazit rus.
“Nabuko West në mënyrë shumë të qartë mund të avancojë interesat e politikës së jashtme të SHBA, për të sigurimin direkt të energjisë për ato vende në Europën Qendrore dhe juglindore të cilët kanë nevojë të madhe të diversifikimit të furnizimit, larg nga furnizimi rus. Në mënyrë të veçantë Nabucco West do të fusë konkurencën ndërkombëtare në rajon që do të përmirësojë dhe sjelljen negociatore me Rusinë, do të zvogëlojë ndikimin e ndërprerjeve të mundshme të furnizimeve dhe do të forcojë sovranitetin politik dhe ekonomik të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s.
Nga ana tjetër përfitimet strategjike që BE dhe SHBA do të rrjedhin nga lehtësirat e tubacionit të TAP do të jenë jashtëzakonisht të vogla, duke rezultuar kryesisht në një furnizim me tepri të gazit për Italinë. Projekti Nabuco West është qartësisht superior ndaj TAP për interesat e politikës së jashtme amerikane në rajon.“- thuhet në raport.
TAP kalon nëpër Greqi, Shqipëri dhe Itali, ku Shqipëria nuk bën asnjë blerje te gazit rus, kurse qëndrimi i Italisë, qe do të jetë porta shpërndarëse e gazit kaspik në Europë, do të varet nga qeveria që vjen në fuqi dhe lidhjet e saj me Rusinë. TAP ndërkohë nuk ka në projekt ndonjë degëzim për të përfshirë vendet e tjera të Ballkanit.
Ndërsa Nabucco West do të krijonte potencialin që vende të vlefshme si aleate amerikane dhe që tani varen nga gazi rus, të kishin mundësi të diversifikonin furnizimet e tyre. “Bullgaria, Rumania, Hungaria, Austria dhe potencialisht edhe Cekia e Sllovakia, do të perfitonin nga Nabucco Ëest për të mos qenë të varura nga gazi rus (që plotëson aktualisht shumicën dërrmuese të nevojave energjitike të tyre).”
Raporti rekomandon që SHBA të përkrahë variantin Nabucco West. Megjithëse në raport pranohet që SHBA nuk kanë ndonjë ndikim në vendimarrjen me karakter tregtar që do të marrin kompanitë e konsorciumit, (ku SHBA nuk ka pjesë dhe vendimi do të varet më së shumti nga Azerbajxhani), ka një mënyrë që SHBA të ndikojë.
Në gazjelles ka një pjesë të vogël të përqindjeve Kompania Kombetare Iraniane e Naftës. Kongresi nuk ka preferuar deri tani të vendosë sanksione ndaj korridorit jugor të futjes së gazit kaspik në Europë, pikërisht për të lejuar aleatët të diversifikojnë furnizimet e gazit. Raporti rekomandon që Kongresi mund të rishqyrtojë qëndrimin e tij në fushën e sanksioneve, nëse gazsjellesi që do të miratohet nuk u shërben interesave amerikane në rajonin Kaspik-Europë.
TAP E NABUCCO
TAP ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit mes Italisë Greqisë e Shqipërisë. Projejkti Nabucco ende nuk ka nisur aplikimin. Ai është 1200 km i gjatë dhe kalon gazin nga Azia përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë në Austri e më tej në Europën Qëndrore. Projekti TAP ka gjatësi 800 metra . Nga Turqia kalon nëpërmjet Greqisë në Shqipëri, dhe nëpërmjet detit Adriatik në Itali. Në Shqipëri TAP kalon 204 km në linjë tokësore dhe 60 km vijë detare.
PROJEKTI TAP NE SHQIPERI
Qeveria shqiptare miratoi më 26 shtator marrëveshjen trelaterale me Greqinë e Italinë për kalimin e gazsjellësit TAP në territorin e saj. Ndërkohë që më 28 shtator në Nju Jork u nënshkrua marrëveshja mes Shqipërisë, Italisë e Greqisë. Edhe BE deklaroi se e mbështeste projektin.
Në Shqipëri gazsjellësi do të kalojë përmes zonave bujqësore, terreneve malore dhe kodrinore për të cilat TAP tashmë ka bërë vlerësimin e ndikimeve të mundshme dhe në vartësi ka modifikuar rrugëkalimin dhe projektimin. Drejtues të Entit Rregullator thonë se paraprakisht është menduar që në Fier të ndërtohet një stacion tjetër kompresorësh, përfshirë edhe matësit fiskalë etj. Pjesa në vijim prej 4 km kalon përmes zonës fushore drejt Adriatikut dhe më tej në Itali. Realizimi i këtij objektivi mund ta kthejë Fierin në rajonin më të rëndësishëm në vend dhe jo pa qëllim, duke pasur parasysh zonat naftëmbajtëse aty dhe burimet e vogla të gazit.
Tregu kryesor i gazit që do të transportohet prej këtij tubacioni është ai italian, megjithatë në aplikim është shprehur interes dhe vëmendje ndaj krijimit të mundësive për furnizim me gaz të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Projekti ka një kosto të vlerësuar prej 3,7 miliardë eurosh, për pjesën e Shqipërisë, kurse punimet për ndërtimin e tij parashikohen të fillojnë në vitin 2014 në mënyrë që tubacioni të jetë gati për shfrytëzim në 2017-n, i cili është edhe viti i fillimit të prodhimit të fazës së dytë të vendburimit Shah Deniz 2. Tubacioni është projektuar në mënyrë të tillë që kapaciteti i tij transportues të mund të zgjerohet nga 10 deri në 20 miliardë metër kub gaz në vit.
Redaksia online
(ep/sg/shqiptarja.com)