Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut, vendosi shkarkimin nga detyra të ish-kryeprokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prela, bazuar mbi një dokument të Komisionerit Publik Florian Ballhysa, paraqitur në KPA në 18 shtator 2020, ku hidheshin poshtë provat dhe pretendimet e zonjës Prela për justifikimin e pasurisë. Komisioneri ritheksonte në dokumentin në fjalë se Donika Prela duhej të shkarkohej nga detyra, me argumentin se prokurorja ndodhej në kushtet e deklarimit të pasaktë të pasurisë, të paplotë, të pamjaftueshëm dhe jo në përputhje me ligjin. Pothuajse të gjitha konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik për pasurinë e Donika Prelës janë pranuar nga Kolegji i Posaçëm të Apelimit.

Sipas Komisionerit Publik, bashkëshorti i Donika Prelës nuk ka paguar detyrimet tatimore për të ardhurat. Për rrjedhojë, një pjesë të kursimeve cash të prokurores, të përdorura për blerje të pasurive të paluajtshme, janë konsideruar të paligjshme. Në vitin 2007, Prela ka blerë një apartament në Tiranë 32 mijë euro, me sipërfaqe 95.6 m2. Sipas Komisionerit, nga shuma 32 mijë euro, Prela nuk justifikon 2.8 milionë lekë ose rreth 23 mijë euro. Konkretisht, në vitet 2006-2927, Prela rezulton me balancë negative 7.7 mijë euro si dhe nuk provon dot një hua 15 mijë euro.  

Për të gjitha llogaritë bankare me vlerë rreth 37 mijë euro, nuk justifikon 12 mijë euro. Bashkëshorti i zonjës Prela, sipas Komisionerit, nuk ka deklaruar një hua 25 mijë euro si dhe një transaksion 14 mijë euro. Në total, sipas dokumentit, zonja Prela nuk justifikonte 74 mijë euro. Komisioneri i ka kërkuar KPA-së që të marrë në konsideratë edhe sjelljen e zonjës Prela gjatë procesit gjyqësor, pasi ka tentuar të zvarrisë procesin, suke iu referuar edhe kërkesave të saj për të përjashtuar nga trupa gjykuese Ina Ramën dhe Natasha Mulajn. KPA nuk e ka konsideruar këtë kërkesë, megjithatë kanë mjaftuar gjetjet rreth pasurisë, për shkarkimin e Prelës. 

(Kliko ketu për të lexuar Dokumentin e Komisionerit Publik Florian Ballhysa që rrëzoi Donika Prelën)