Dokumenti që nxori në pah planin e Rusisë për aneksimin e Bjellorusisë deri më 2030

Dokumenti që nxori në pah planin e Rusisë për aneksimin e Bjellorusisë deri më 2030

Aleksandër Lukashenko dhe Vladimir Putin

Rusia planifikon ta aneksojë Bjellorusinë deri më 2030, sipas një dokumenti që rrodhi nga zyra e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe i cili është siguruar nga gazetarët e disa mediave në botë.

Sipas dokumentit, synimi përfundimtar është bashkimi i Rusisë me Bjellorusinë, jo më vonë se viti 2030.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtij dokumenti.

Në kuadër të planit përfshihet forcimi i sentimentit pro-rus, zgjerimi i prezencës ushtarake ruse atje dhe lehtësimi i procedurave për pajisje me pasaporta ruse.

Qëllimi përfundimtar, sipas raportimeve të mediave, është që të krijohet një “shtet i përbashkët” nën udhëheqësinë ruse.

Dokumenti është siguruar nga Yahoo News, gazeta suedeze, Expressen, ajo gjermane Suddeutsche Zeitung dhe ukrainase, Kyiv Independent.

Realizimi i këtij plani do të përbënte kërcënim serioz të sigurisë për shtetet fqinje të Bjellorusisë - Lituaninë dhe Poloninë - të cilat janë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe në një skenar të tillë mund të bëhen shtete fqinje me Rusinë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX”, dhe prej kur e ka marrë pushtetin ka përmendur në shumë raste konceptin e “Rusisë historike” dhe “botës ruse”.

Hollësitë e planit

Dokumenti që rrodhi nga, siç është thënë në raportime, një nëndegë e zyrës së Putinit, daton prej vitit 2021 dhe nuk është raportuar që strategjia ruse të ketë ndryshuar prej atëherë.

Ende nuk është e qartë nëse lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në atë plan.

Lideri bjellorus, Alexander Lukashenka, njihet si një prej aleatëve më të ngushtë të Putinit.

Në plan janë përfshirë afate kohore për aneksim.

Deri më 2022, është paraparë “formimi i sentimentit pro-rus në elitën politike dhe ushtarake, dhe në pjesën tjetër të popullsisë”, si dhe “kufizimi i ndikimit të forcave ‘nacionaliste' dhe pro-perëndimore në Bjellorusi”.

Mes tjerash raportohet se plani parasheh që Kushtetuta e Bjellorusisë të jetë më pro-ruse.

Bjellorusia ka bërë përparim në këtë drejtim.

Pas referendumit të mbajtur në shkurt të vitit 2022, Bjellorusisë i është hequr statusi i shtetit jobërthamor.

Perëndimi i ka konsideruar rezultatet e referendumit si mashtrim.

Rusia, po ashtu, e ka zgjeruar prezencën ushtarake në këtë shtet, si para ashtu edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Ukraina dhe Perëndimi shqetësohen se ushtria bjelloruse do të mund t’i bashkohet dikur Rusisë në luftime.

Moska i ka rreth 10.000 trupa ushtarake në Bjellorusi dhe e ka shfrytëzuar tokën e këtij shteti për nisje të luftës në Ukrainë, meqë disa batalione janë nisur nga kufiri bjellorus për në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Sipas dokumentit, deri më 2025 parashihet të ketë prezencë më të madhe ushtarake në Bjellorusi, lehtësim të procedurave që shtetasit bjellorusë të marrin pasaporta ruse, si dhe shtrirja e ndikimit pro-rus në politikën, ushtrinë dhe bizneset bjelloruse.

Sipas raportimeve të mediave që kanë pasur qasje në informacion, deri më 2030 Rusia duhet të ketë “kontroll në hapësirën informative” në Bjellorusi.

Kjo strategji përputhet në disa aspekte me atë që është duke bërë tani Rusia në Ukrainë.

Në disa pjesë të Ukrainës që forcat ruse i kanë pushtuar, Rusia ka tentuar të asgjësojë jetën kulturore të Ukrainës, duke përfshirë ofrimin e pasaportave ruse, zëvendësimin e politikanëve ukrainas me figura të përkrahura nga Rusia, si dhe zëvendësimin e teksteve shkollore ukrainase.

Michael Carpenter, ambasador amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ka thënë për Yahoo News se “synimi i Rusisë, sa i përket Bjellorusisë, është i njëjti sikurse me Ukrainën”.

“Vetëm se në Bjellorusi, [Rusia] mbështetet më shumë në shtrëngim sesa në luftë. Synimi kryesor është gjithpërfshirja”, ka shtuar ai.

Liderja opozitare bjelloruse, Svetlana Tsikhanovskaya, që është larguar nga shteti pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe jeton në Lituani, ka thënë për Yahoo News se bashkimi i shteteve është kërcënim për popullin dhe shtetësinë bjelloruse.

“Nuk është bashkim i të barabartëve. Është një udhërrëfyes për përthithjen e Bjellorusisë nga ana e Rusisë”.

Për dallim prej gjashtë ish-shteteve të Bashkimit Sovjetik, Bjellorusia nuk e ka përqafuar kurrë demokracinë e stilit perëndimor.

Lukashenka është politikani i parë dhe i vetëm i Bjellorusisë prej rënies së Bashkimit Sovjetik, duke e bërë atë liderin me mandatin më të gjatë në Evropë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk e njohin Lukashenkan si president të shtetit, pas zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat është raportuar për mashtrime zgjedhore.

Si pasojë e pakënaqësive në rritje pas rezultatit zgjedhor, mijëra persona janë arrestuar, në përpjekje e sipër të pushtetit për t'i shtypur protestat.

Tentime për destabilizim edhe në Moldavi

Edhe ish-republika tjetër sovjetike, Moldavia, është përballur vitin e fundit me ato që dyshohet të jenë ndërhyrje ruse.

Më 16 shkurt, në këtë shtet ka nisur udhëheqësinë një qeveri e re pro-perëndimore në krye me Dorin Recean.

Ai e ka zëvendësuar Natalia Gavrilitan, e cila ka dhënë dorëheqje 18 muaj pas marrjes së pushtetit.

Qeverisja e saj është përcjellë me sfida të shumta ekonomike dhe ndërhyrje të supozuara nga Rusia.

Moldavia është shtet me 2.5 milionë banorë, që kufizohet me Ukrainën dhe Rumaninë – vend anëtar i BE-së.

Moldavia është kandidate për anëtarësim në BE, por ky proces zakonisht zgjat me vite.

Ekonomia e saj është thellësisht e varur nga rrjedhjet e gazit rus, të cilat kanë pësuar goditje pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Presidentja e shtetit, Maia Sandu, e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë se ka tentuar të destabilizojë Moldavinë, dhe e ka akuzuar Moskën se ka tentuar të rrëzojë udhëheqësinë e shtetit, duke e pamundësuar rrugën e shtetit drejt BE-së dhe shfrytëzimin e tokës moldave në luftën kundër Ukrainës.

Rusia, e cila ka trupa ushtarake në rajonin e shkëputur moldav, Transdnjestër, i ka hedhur poshtë akuzat.

Tensionet me raste janë përkeqësuar kur mbetjet e raketave kanë rënë në territorin moldav, pas sulmeve ruse në Ukrainë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë