TIRANE- Një procesverbal i mbledhjeve ditore të sekretariatit të Komitetit Qendror i datës 19 qershor 1990, zbulon faktin se në ç’masë shqetësohej regjimi komunist për ndryshimet që po përjetonte rinia shqiptare, në prag të ndryshimit të sistemeve.

Të mbledhur për të diskutuar për këtë çështje, nga procesverbali që po botojmë, të bën përshtypje se bisedat në mbledhjen e 19 qershorit 1990, nuk  prekin asnjë prej problemeve të të rinjve të kohës, as për varfërinë, as për etjen e të rinjve për të thyer izolimin, për lirinë e të shprehurit e të drejta të tjera të munguara.

Drejtuesve të regjimit ju intereson më shumë krahasimi mes rinisë së fshatit dhe asaj të qytetit, mes të rinjve të shkolluar dhe atyre me shkollim minimal, për mënyrën si i shprehin idetë se sa të hapura janë vajzat në diskutime, etj. Më poshtë vjen pjesa e parë e këtij dokumenti, që mban sipër shënimin sekret.