Dokumenti sekret/Kush e informonte
Zogun nga Beogradi per atentatet?

Dokumenti sekret/Kush e informonte<br />Zogun nga Beogradi per atentatet?
Është fakt i njohur që Mbreti Zog gjithmonë shpëtonte për mrekulli nga atentatet që i organizoheshin. Por shpesh është shkruar se kjo lidhet me rrjetin e fortë agjenturial që ai kishte krijuar, të cilët mblidhnin çdo informatë dhe dinin pothuajse gjithçka mbi aktivitetin e kundërshtarëve të tij politikë e personal.

Dokumenti që sjellim sot është një raport informativ hartuar në zyrat e legatës shqiptare në Beograd në 12 tetor 1923. Punonjësi i legatës shqiptare raporton me imtësi të gjithë të rejat e fundit që ka mbledhur lidhur më kundërshtarët e kryeminsitrit të asaj kohe Ahmet Zogu. Informatori e njofton Zogun se  ishin krijuar tre bërthama kundërhstarësh që po planifikonin atentate ndaj Zogut, nji në Gjeneve, nji në Vjenë dhe nji në Beograd. Më tej ai përshkruan edhe shumë informata të tjera me karakter sekret dhe nej listë nevojash që kishte për të mbajtur rrjetin agjenturor që e “furnizonte” me informacione.
Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin që ruhet në fondin personal të Ahmet Zogut në AQSH. 


Belgrade le 12 Tetuer 1923
 
Légation d’Albanie
Belgrade
N. 730/V
 
Shkëlqesisë Tij Kryetarit të Republikës
Tiranë

 
  Shkëlqesë,
Në vijim të raportit t’im N. 712/V, kam nderin të ju lajmoj Shk. Juej këto që pasojnë:
N’atë raport thoshnja se Ministrija e P. Jashtme këtu ka organizuar një propapagndë të madhe për të ndaluar kthimin në Shqipëri të emigrantëvet që Shk. Juej me amnistinë e fundit i falte. Gjithashtu në atë raport flisnja që, po për këtë arësye Sejfi Vellamasi erdhi këtu në Beligrad, dhe së shpejti do të nisesh për Vjenë Xhevat Korça. Me të vërtet, të nesërmen e nisjes të raportit t’im, Xhevat Korça u nis për Vjenë, dhe pasi ndenji atje tri a katër ditë, dje u kthye përsëri në Beligrad. Kryqëzimi i këtyne dy udhëtimevet, si thoshnja dhe në raportin t’im të përparëshmë, më kish vënë në dyshim, dhe mora gjitha masat e mia që të zbulonja qëllimin e vërtetë. Bana hetimet e duhura dhe resultati i këtyne më dolli që, Sejfi Vllamasi erdhi këtu me qëllim që të meresh vesh me Guvernën e këtushme në kjo ish e dispozuar me të vërtet të ju ndihmonte emigrantëvet dhe të ju shiguronte një jetesë të mirë që të muntnin të vazhdonin oposicionin e tyre kundra regjimit sotshmë në Shqipëri.
 
Pas lajmevet që më nep informatori im, në Vjenë edhé nuk janë marë vesh Bashkimi Kombëtar me Konaren dhe antagonizmi egziston gjithënjëj si në krye. Bashkimi Kombëtar nga ana e tij ka formuar tre komisione: njeri me qendër në Vjenë dhe me qëllim që të organizojë me gjithë mjetet e tij një atentat kundër personit të Shk. Juej, dhe tjetri me qendër në Gjenevë me qëllim që të bëjë propagandë pranë Shtetevet ndryshme, dhe i treti, me kryetar Sejfi Vellamasim dhe me qendër Beligrad, do të ketë për qëllim organizimin e emigrantëvet, dhe të jetë në kontakt permanent me Guvernënë e këtushme.

Sejfi Vellamasi, pra, tue u fshtetur në premtimet e Guvernës këtushme që do t’a shtojë kredinë e subvancionevet të emigrantëvet, dhe që do të ju ndihmojë të gjithëvet në bazë të gradit shoqënor dhe politik të çdo emigranti, i ka paraqitur Ministrisë së P. Jashtme një listë me emrat dhe gradat që kanë pasur emigrantët duke propozuar dhe shumën e subvancionit që duhet të marrë si cilido. Bisedimet nërmjet Sejfi Vellamasit dhe të Ministrisë së P. Jashtme po vazhdojnë, dhe hala nuk kanë marrë fund. Unë po i ndjek çapë për çapë, dhe sa po të jem në positë që të mësoj nonjë përfundim o se gjë gjetër, do të ju lajmoj Shkë. Juej.

Xhevat Korçën e dërgoj Ministrija e P. Jashtme në Vjenë, d’açord me Sejfi Vellamasin që të ju shpinte emigrantëvet atjeshmë shigurimet e Guvernës Jugosllave se ka me ju ndihmue, dhe porositë e saj që të mos kthehen në Shqipëri. Ndoshta Xhevat Korça ka pasur dhe nonjë mision tjetër, por, me që dije u kthye prej Vjene, informatori im hala nuk e ka parë, dhe hala jam tue ba hetime, përfundimin e të cilavet kam me ju lajmue Shk. Juaj regullisht.
Këtu ndodhet dhe Riza Dani i cili është një nga ata shënuar prej Ministrisë së P. Jashtme për të bërë propagandë ndaj emigrantëvet që të mos kthehen në Shqipëri, dhe më rezulton se nër këto ditë do të niset për Tuzlë, qenër e madhe emigrantësh, për Sarajevë, dhe më von do të shkojë për Vjenë. Vëllaj i tij Dan Hasani që ndodhet në Sarajevë, ka me ardhë nër këto ditë këtu në Beligrad.

Sot për sot gjithë aktiviteti i Guvernës Jugosllave për sa i përket Shqipërisë, është përmbledhur në organizimin dhe në ndalimin e emigrantëvet këtu në Jugosllavi, dhe nuk më resulton që Guverna e këtushme të ketë qëllime që, me anën e migrantëvet të bëjë nonjë revolucion në kuptimin e vërtetë të fjalës. Lipset shtuar masandaj që, inçidenti i Shtipit që mbaroj me vrasjen e Gjeneralit Serb Kovaçeviç, dhe aktiviteti i bandavet Maqedhonas në Jugosllavi, ka paralizuar tepër dhe përmbledhur gjithë aktivitetin e Guvernës. Gjithashtu kriza intestine e partivet, që në shumë Qarke thuhet se do të mbarojë me rëzimin e Guvernës tanishme, i pengon të zhvillojnë një aktivitet në dëm të vendit t’onë. Për njërën dhe për tjetrën çështje i kam dërguar një raport Ministrisë t’onë me N.732/I me datë 12 Tetuer 1927.

     Thoshnja në raportim t’im të përparshmë që, Konsulli italjan i Shkupit i kish adresuar një raport Ministrit tij këtu në Beligrad, të cilën e këndova vetë, dhe e lajmonte mbi aktivitetin e Aqif Leshit nga ana e Dibrës. Prapë këtë javë ay Konsull, po me një raport adresuar Ministrit tij, flet mbi këtë çështje. Lajmonja Shk. e Juej se do t’i kontrollonja ato lajme në ishin të vërteta, dhe me të vërtet ashtu bëra: mësova pikë së pari që informatori i Konsullit Italjan të Shkupit është po ay që më nep lajme mua, me që më shkruan dhe ay vetë. Aqif Leshi me të vërtet po vazhdon të shkruajë njerës me armë në Qarkun e Dibrës, dhe pas si i armatos tue pasur ndihmën e autoritetevet ushtarake, i dërgon mer shpijat e veta.

Pas fjalëvet që thuhen, këto Banda, prej 8 e deri në 10 veta, do të jenë në dispozitën e Aqif Leshit dhe të autoritetevet ushtarake, për t’i përdorur kur e ku duhen, tue i hedhur në Shqipëri që të prishin qetësinë. Është për të vënë re se Aqif Leshi, përveç Ahmet Dakliut dhe të Irfan Ohrit, ky i fundit është një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërmë, nuk ka marëdhënje me emigrantët e tjerë, kaqë sa, më resulton nga burime të shigurtë që, disa nga emigrantët e këtushmë, kanë çfaqur hidhërimin e tyne në Ministrinë e P. Jashtme duke u qarë që kjo pse të punojë me Aqif Leshin dhe jo me ta.
Sulejman Beg Kryeziu ndodhet këtu në Beligrad, dhe po më lajmon se atij i është mbushur mendja që së shpejti Guverna e këtushme me anën e emigrantëvet, ka me fillue një aksion kundra Shqipërisë. Nga ana e tij ay po bëh hetime dhe ka me më lajmue kur të mësojë lajme positive. Sulejman Begu thotë se Deputeti i Pejës Sefedin Begu, me që ësht demokrat dhe mik i Z. Marinkovic, po ju ndihmon seriozisht emigrantëvet.

Të dy me Sulejman Begun jemi të mendjes që kufini i Dibrës sidomos të ruhet mirë se Aqif Leshi n’atë anë po banet dita me ditë i rezikshmë.
Prej Ceno Begut mora disa ditë më parë një telegram, por deri tash nuk më ka shkruar nonjë letër. Ceno Begu kish marë me vete këtu në Beligrad një farë Zeqir Rexha, i cili ishte dënuar për vdekje prej autoritetevet këtushme, dhe me një mijë bela me zi e shpëtuam pse këtu në Beligrad e kishin marë vesh të gjitha autoritetet që ndodhesh mbyllur në Legatë, dhe shpesh herë kishim parë detektivë që shëtisnin para Legatës. Sot shkova ke Z. Jovanoviç dhe tue më fol se relacionet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë ditë për ditë po normalizohen, më tha se, është një provë miqësije që ne i dhamë Ahmet beut duke mos kapur Zeqir Rexhën i cili është dënuar për vdekje prej Gjyqevet t’onë për krime komune, dhe i cili është nënështetas i ynë, pse po t’a kapnim më tha, athere do të bënesh një gjë më e madhe se çështja e Gjurashkovicit.

Shtoj masandaj tue thanë se, për këtë çështje Ministrija e P. Jashtme bani një luftë të madhe me Ministrinë e P. Mbrendëshme pse kjo donte medoemos t’a kapte në Legatë Zeqir Rexhën, dhe me një mijë bela arrijtëm t’i mbushnim mendjen. Unë ju përgjigja Z. Jovanoviç që, këtë çështje as nuk e dinte, as nuk e di hala Shk. e Tij Kryetari i ynë, prandaj kur se si nuk duhet përmendur emri i tij në këtë çështje: kjo çështje i përket personit të Ceno Begut të cilit i dhatë fjalën se nuk do t’i bënit gjë Zeqir Rexhës. Më në funt m’u lut Z. Jovanoviç të ndërmjetësonja pranë Guvernës t’ime për të marë masa kundër komitaxhinjëvet bulgarë, pse thotë që, ay ka lajme të shigurta që disa prej tyneve ndodhen në Shqipëri. Si thashë më sipër, mbi këtë çështje i kam shkruar gjer e gjatë Ministrisë t’onë.

Z. Jovanoviç më lajmoj masandaj se kish marë një telegram prej Jeftiçit i cili e lajmonte se autoritetet t’ona të Durrësit paskeshin burgosur Visarion Xhuvanin, duke e akuzuar se vinte në Shqipëri me një mision të Guvernës Jugosllave. Pas si më foli mjaft kundër Visarionit tue thënë se është një aventuriet i njoftun, dhe që ay kish marë lajme se kur ish këtu në Beligrad u kish kërkuar të holla Legatavet Greke dhe Rumune, mëtha se nuk është e vërtetë as fare që ay ka një mision të Guvernës tij, dhe që ay ish i kënaqur që Visarioni, më në fund, ju hoq qafet. Informatori im më konfirmon gjithënjëj se Visarioni u nis me një mision për në Shqipëri, dhe që mori mjaft të holla prej autoritetevet këtushme. E kam kontrolluar vet që ay më parë se të hikte u pa me Minitrinë e fevet, dhe atë ditë që u nis me Z. Marinkoiç. Z. Jovanoviç më tha se, prej Ministrisë tyne Visarioni nuk mori tjetër pare përveç se një shume të vogël, të cilën ja kish dhënë ay vetë aqë sa me mujt me çlirue do tesha që Visarioni i kish lënë penk në një Bankë, dhe që këtë gjë e kish bërë pas demarshevet që kish bërë Patriarku i këtushmë i cili e gjente për turp që një Epishkop të linte penk, sidomos teshat zyrtare të kishës.

Tash më nepni përsëri leje, Shkëlqesë, të ju flas mbi çështjen e mjetevet që na mungojnë për të kryer detyrën t’ime ashtu si dëshëroj. Si kam pasur rastin të flas dhe në raportet e përparëshme, që t’a kryej detyrën t’ime ashtu si dëshëroj, duhet të kem një shumë të hollash në dispozitën t’ime. Përveç dy informatorë të regulltë që kam, një këtu në Beligrad dhe tjetrin në Ohër, për të marë lajme o se për të kontrolluar ato që mar, duhet të adresohem në burime të ndryshme, dhe për gjithë këto punë duhen të holla se as njeri nuk punon pa të holla, sidomos këtu në Beligrad që frika është e madhe. Për të treguar zelin dhe besnikërinë t’ime ndaj personit të Shk. juaj, që kur kam ardhur tash herën e fundit e deri tash nga ajo roga ime që nuk më mjafton për jetesën t’ime, kam bërë sakrificë duke dhënë andej këtej tri mijë dinarë, dëftesat e të cilëvet i kam me vete dhe në dispositën e Shk. juaj kur t’i dëshëroni.

Prandaj ju lutem shumë të urdhëroni që, një shumë e vogël prej shpenzimevet fshehta të më viret në dispositën t’ime që të munt t’a përdor kur t’a lyp nevoja, dhe pas përdorimit të çoj llogaritë e duhura, se për ndryshe, pa patur një shumë të vogël, do të më mbetet puan gjëri. Jam shigur që Shk. juej do t’a ndjeni këtë nevojë dhe do të ma kënaqni dëshirën. Gjithasht ju lutem, Shkëlqesë, të urdhëroni dhe për shtimin e alokacionit t’im, pse gjithë Sekretarëvet ja u kanë shtuar, dhe vetëm unë jam përjashtuar. Këtu në Beligrad jeta kushton ma shumë se gjeti, dhe sidomos tani që kam mbejtur si I Ngarkuemë me Punë, dhe do tëkem shpenzime ma të mbëdha. Ministri ynë Ilias Beu kur ndodhesha në Tiranë më premtoj se do të ma shtonte alokacionin tue mar shumën prej shpenzimevet fshehta, me që nuk munt të baheshin ndryshime në butxhet.
Gjithasht dhe Sulejman Begu më ngarkoj të lajmon Shk. e juej që, si e kishit lajmue kur ndodhesh në Tiranë, ka nevojë të ketë në dispozitën e tij një shumë të hollash për shërbim informatash në anën e kufinit Gjakovës.

Këto ditë i janë adresuar kësaj Legate disa emigrantë nga të falurit e amnistisë fundit, prej të cilëvet një farë Dom Frano, dhe një farë Hamdi Kadiqi, të cilët pas si kërkojnë Leje-kalim për në Shqipëri, kërkojnë dhe ndihmë prej kësaj Legate për shpenzimet e udhëtimit me që nuk kanë, me konditë që t’i kthejnë kur të jenë në Atdhe. Unë ju jam përgjigjur se Legata nuk ka nonjë fond në dispositën e saj, dhe i kam shkruar Ministrisë t’onë për këtë çështje.
Ju Lutem, Shkëlqesë, të pranoni nderimet e mija ma të nalta.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin