Dokumenti/ Si do të zgjidhen drejtorët e Qendrave dhe Instituteve Kërkimorë. Kryesia e Akademisë së Shkencave ‘fiton’ pushtet mbi ta, Krasniqi: Ja pse votimi i Asamblesë çedon!

Dokumenti/ Si do të zgjidhen drejtorët e Qendrave dhe Instituteve Kërkimorë. Kryesia e Akademisë së Shkencave ‘fiton’ pushtet mbi ta, Krasniqi: Ja pse votimi i Asamblesë çedon!

Studiuesi Afrim Krasniqi

Dokumenti që po qarkullon, me datën 4 janar, përmban nën emrin e Akademisë së Shkencave, kapitullin VI për “Institutet dhe qendrat kërkimore të përhershme”, me ndryshimet  përkatëse të propozuara për t'u bërë në Statut, pas “mbylljes së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimit të saj në “çatinë” e “Shkencave”.

Vjen 3 ditë pas datës që u caktua për hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave mbi “Ngritjen dhe organizimin e njësive të Përhershme të kërkim-studimit në Albanologji pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Në çështjet kryesore që trajtohen në 12 faqe kapitull, është padyshim ajo e zgjedhjeve të drejtuesve përkatës të 4 Instituteteve (Gjuhësi dhe Letërsi; Arkeologji; Histori dhe Antropolgji) si dhe të 2 Qendrave (Studim i Arteve dhe Botimet Enciklopedike e Albanologjike).

Për çdo Institut, siç kuptohet nga dokumenti do të ketë 2 organe drejtuese bazë:a) këshill shkencor dhe b) drejtor. Ky i fundit duhet të ketë së paku kategorinë Mjeshtër Kërkimesh, dhe ka të drejtën e rizgjedhjes edhe për një mandat 4-vjeçar të dytë.

Por, si zgjidhet drejtori i Instituteteve?

-Referuar dokumentit, përmes një trupe zgjedhore që do të përbëhet nga:

1.     Punonjësit kërkimorë-shkencorë

2.     Anëtarët e komisionit të përhershëm përkatës

-Kandidati i zgjedhur do të emërohet nga Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Si do të zgjidhet drejtori i qendrave?

-         Bazuar në dokument drejtuesi, i propozuar nga bordi shkencor i qendrës do të zgjidhet nga Kryesia e Akademisë së Shkencave.

-         Kur Qendrat kanë të njëjtin Këshill Shkencor me një tjetër Institut apo Qendër, zgjedhja bëhet njësoj si për drejtuesit e Instituteteve.

 

Në fund të dokumentetit sqarohet si “dispozitë kalimtare” se:

-Zgjedhjet e drejtuesve të Instituteve dhe Qendrave bazuar në këtë Statut, mbahen në fund të këtij viti.

-Anëtarët e zgjedhur të Këshillave Shkencorë do të vazhdojnë të jenë  në këtë funksion.

Afrim Krasniqi konteston ndryshimet në Statut

Drejtori i Institutit të Historisë, studiuesi Afrim Krasniqi, ka kontestuar në mediet sociale kalimin e këtij kapitullin për “Institutet dhe qendrat kërkimore të përhershme”  nga Asambleja e ASH-së. Pasur parasysh se Institutet dhe Qendrat kërkimore ngrihen në zbatim të :

1.     Ligjiit “Për Akademinë e Shkencave”

2.     VKM-së nr. 338 datë 31.5.2023 Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e njësive kryesore të saj

3.     VKM nr. 821 datë 28.12.2023 Për ngritjen dhe organizimin e njësive të përhershme të kërkim-studimit në albanologji pranë Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë si dhe nenit 46 të këtij Statuti

Kundërshtimi i studiuesit Krasniqi, që thekson mënyrën e diskutimit ‘online’ të propozimeve për ndryshim në Statutin e ASH-së dhe mungesën e transparencës lidhet me faktin se VKM-ja e 28 dhjetorit, nuk është publikuar ende në Fletoren Zyrtare, ndërsa Ligji për Shkencën ende nuk ka kaluar në qeveri.

“E dini? Asambleja e ASH është thirrur dje të votojë online një dokument jopublik, ndjeshëm kufizues dhe cenues i parimeve kushtetuese të lirisë akademike dhe kërkimit shkencor në institutet albanologjike, dokument i cili në vetvete referohet në dy akte ligjore:

-Në Vendimin e Këshillit të Ministrave 821/2023, i cili zyrtarisht nuk ka hyrë në fuqi sepse nuk është botuar ende në Fletoren Zyrtare siç e përcakton ligji dhe vetë neni i fundit i tij.

-Si dhe në emërtime/kategorizime të bazuara në ligjin për shkencën, i cili ende nuk ekziston. Sipas programit analitik të qeverisë drafti i ligjit parashikohet të kalojë në qeveri më së shpejti në katërmujorin e dytë 2024, pra pas pranverës së ardhshme! Absurde! Në formë dhe përmbajtje.”, shprehet Krasniqi.

 

Akademia e Shkenceve hesht

Report tv ka kontaktuar gjatë ditës së sotme Akademinë e Shkencave për një shpjegim lidhur me propozimet për ndryshim të Statutit, në kapitullin në fjalë, por, përfaqësuesit e saj ende nuk janë shprehur lidhur me detajet e votimit të ndryshimeve (pse online dhe në heshtje), nëse është konsultuar me eksponentët drejtues të Instituteve dhe Qendrave, apo këshillat shkencorë të tyre; cilat janë hapat që pasojnë?; parë kontestimet dhe argumentet që e shoërojnë a do të rishikohet neni 47 i miratuar për ngritjen e institutive dhe qendrave kërkimore etj.

Risjellim në vëmendje mbylljen dhe riorganizimin e imponuar të ASA-s

Me Vendim të Këshillit të Ministrave, u vulos  në 31 maj mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimi i saj pranë Akademisë së Shkencave. Kujtojmë se Senati i  ASA-s kontestoi vendimin madje dërgoi disa shkresa zyrtare në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, si dikasteri i linjës përkatëse për shkak të dilemave dhe paqartësive që haste në argumentim. Senati i ASA-s, këmbënguli se një riorganizim i tillë i heq studiuesve pavarësinë si dhe cenon kërkimin shkencor e projektet ndërkombëtare. Akademia e Studimeve Albanologjike, në 21 qershor depozitoi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë kërkesë padinë për shfuqizimin e Vendimit. Procesi i riorganizimit u shoqërua me dorëheqjen e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike Luan Përzhitës, që u zëvendësua përkohësisht nga Valter Memishaj. Përpos studiuesit Përzhita, dorëheqjen e parevokueshme dha gjithashtu edhe drejtori i Institutit të Antropologjisë, Nebi Bardhoshi. Ndërkaq burime bëjnë me dije se shkurtime ka pasur edhe në sektorin administrativ sa i përket punonjësve me kontratë të përkohshme (si shkak është dhënë përfundimi i kontratës në kohë të riorganizimit pranë Akademisë së Shkencave, kur ASA nuk kishte më kompetencë rinovimi apo punësimi).
Deri në momentin e riorganizimit, ASA deklaroi mbi 60 projekte ndërkombëtare dhe 32 kërkime arkeologjike në bashkëpunim me të huaj. Ndërsa në çdo vit ka botuar mbi 50-60 monografi shkencore, dhe 7-8 revista periodike me të cilat ka furnizuar universitetet në të gjitha trojet shqiptare si dhe në vende të tjera të rajonit.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?