Mijëra jetë të humbura, e dhjetra mijëra të tjerë të dënuar apo të internuar kanë vuajtur pasojat e komunizmit në Shqipëri.
“Në 15 vjet punë kemi evidentuar mbi 46 mijë viktima të komunizmit, me emër, mbiemër, vendim gjyqi apo internimi. Kemi kryer rreth 200 intervista me të përndjekur politikë, dëshmitarë të asaj pjese të historisë që nuk gjendet në asnjë dokument.”, thotë Çelo Hoxha, drejtues i Institutit të Krimeve Kundër Komunizmit, institut, i cili mbush 15 vite të ekzistencës së tij.
Sipas Hoxhës, këto dëshmi janë pjesë e një kujtese që nuk duhet të humbasë e që rrëfehet nga ata që vuajtën nën regjimin e kohës.
“Na thërrisnin në apel dy herë në ditë… edhe te ambulanca 500 metra larg s’mund të shkoje pa leje me shkrim. Vetëm në tualet shkonim pa leje. Më 26 qershor të ’89 mora dënimin e 10-të. Por nuk na dukej aq i rëndë… sepse komunizmi po shembej. Por jeta nuk ka çmim. Ajo që kemi humbur nuk na kthehet.”, thotë Simon Mirakaj, ish i përndjekur dhe anëtar bordi i ISKK-së.
Por ndërkohë që zërat e viktimave mbeten dëshmi e gjallë e së shkuarës, studiuesit flasin për një problem të madh të së tashmes: mungesën e ndarjes nga komunizmi.
“Shqipëria e vitit ’90 ishte ende një shoqëri komuniste që hynte në demokraci pa e kuptuar demokracinë. Elitat e reja nuk drejtuan ndryshimin. Lejuan pluralizmin, por nuk të lejonin të flisje për Enver Hoxhën. Tre muaj pas hapjes politike, 1.2 milion shqiptarë votuan për Partinë e Punës. Sot, 35 vjet më pas, ne ende vuajmë nga mungesa e elitave meritokratike.”, thotë studiuesi Afrim Krasniqi.
Nga ana tjetër, të rinjtë nuk e njohin siç duhet regjimin komunist.
“Humbja e interesit nuk është thjesht një fenomen spontan. Është rezultat i mungesës së një politike të qartë shtetërore për kujtesën historike. Në 35 vjet Shqipëria nuk ka ndërtuar dot një arkitekturë koherente të politikave të kujtesës. Përkundrazi, e shkuara komuniste është trajtuar kryesisht si pjesë e konfliktit politik të ditës.”, thotë Mentor Beqa, kryetar i Bordit të ISKK-së.
Në 35 vjet demokraci, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, porse viktimat presin ende drejtësi, e cila nuk mund të vijë, nëse nuk përballemi në formën e duhur me të shkuarën.
Komente











