Ja koncesionet politike dhe ekonomike që Zogu i dha si shpërblim për borxhet e herëpashershme që merrte nga Italia. Çfarë zbulon dokumenti i datës 18 gusht 1933, ruajtur në Arkivin e Shtetit në fondin e Legatës Italiane në Tiranë
REGJIMI ZOGIST
(24 dhjetor 1924-7 prill 1939)
TIRANE - Benjamin Franklini, një nga presidentët e hershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka dhënë një porosi, të vlefshme për të gjitha kohët: “Nuk shoh ndonjë dallim midis atij që vete të kërkojë borxh dhe atij që shkon të mbytet në lumë”. Kjo për arsye se kur nuk ke mundësi për të shlyer borxhin duhet të marrësh borxh, i cili për t’u shlyer nga ana e vet kërkon të merret përsëri borxh. Kështu, borxhi vete vazhdimisht duke u fryrë, derisa borxhmarrësi nëse nuk ka vend ku të fshihet, duhet ose të varë veten, ose të mbytet në lumë.
Kjo është sinteza e veprimtarisë së A. Zogut si kryetar i shtetit shqiptar. Për të anashkaluar marrëveshjen që kishte lidhur me N. Pashiçin më 14 gusht 1924, Ahmet Zogu kërkoi shpëtim duke rënë në prehërin e Benitto Mussolinit, kryeministri i mbretërisë italiane, në të njëjtën kohë kryetari i Partisë Fashiste të Italisë. Nuk dimë nëse me këtë kthesë A. Zogu ishte i ndërgjegjshëm se po kalonte nga një greminë në një tjetër.
Historia e marrëdhënieve të Shqipërisë së A. Zogut me Italinë e Benitto Mussolinit, është e mbushur me dallgë, me batica dhe me zbatica, me përgëzime dhe me zemërata. Megjithatë, ajo ka një linjë që e përshkon si një fill i kuq gjithë periudhën e ashtuquajtur zogiste, që kur Ahmet Zogolli u kthye nga Jugosllavia në Shqipëri më 24 dhjetor 1924 deri kur Lartmadhoria e tij Zogu I-rë la më 7 prill 1939 Shqipërinë dhe mori rrugën e mërgimit.
Këtë fill të kuq e përfaqësojnë, nga njëra anë, kërkesat e vazhdueshme të qeverisë zogiste për të marrë kohë pas kohe borxhe nga Italia fashiste dhe, nga ana tjetër, koncesionet politike dhe ekonomike që ajo i jepte qeverisë italiane si shpërblim për borxhet e herëpashershme që merrte prej saj. Huatë dhe kreditë që merrte nga Italia fashiste, Shqipëria parimisht duhej t’i investonte për të mëkëmbur ekonominë e prapambetur të saj, e cila do t’i sillte asaj të ardhura për të shlyer kreditë që merrte nga Italia fashiste. Por huatë dhe kreditë shpenzoheshin nga pala shqiptare kryesisht për të përballuar deficitin buxhetor dhe bilancin pasiv të tregtisë së jashtme. Kështu, sa herë mbaronin afatet e kredive, Shqipëria kurdoherë me financat bosh nuk ishte në gjendje të shlyente detyrimet që përmbanin marrëveshjet financiare. Si rrjedhim, ajo shtrinte drejt Italisë dorën e majtë për të kërkuar kredi të reja, kurse me dorën e djathtë i dorëzonte Romës koncesione të tjera. Kështu, Italia fashiste përgatiti 7 prillin kur së bashku me pushtimin fashist të Shqipërisë, ia hoqi A. Zogut edhe kurorën mbretërore.
(Në foto: Ahmet Zogu duke shkuar në Parlament për të bërë betimin si mbret)
Në fakt, kthesa e Zogut për marrëdhëniet politike me Romën, filloi siç u tha, me koncesionet – siç ishte koncesioni i Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe ai i shfrytëzimit të rezervave vajgurore të nëntokës shqiptare. Për këtë arsye, grupi financiar italian që krijoi BKSh-në i kryesuar nga Mario Alberti prapa të cilit qëndronte qeveria e Romës, i akordoi Shqipërisë nëpërmjet shoqërisë SVEA një hua prej 50 milionë frangash ari për ndërtime botore. Kjo hua kaq e madhe u shpenzua për ndërtime zyrash qeveritare (ministri, spitale dhe burgje) dhe për ndërtime rrugësh sipas interesave strategjike të Italisë. Nuk mund të mohohet se pavarësisht nga interesat strategjike të Italisë, nga ndërtimet e fondit SVEA, Shqipëria pati përfitime. Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare mori hua një shumë prej 10 milionë frangash ari për buxhetin deficitar të shtetit.
Koncesionin e Bankës me karakter financiar e pasuan dy marrëveshje politike që lidhi Shqipëria e Zogut me Italinë fashiste. Ato qenë “Marrëveshja e miqësisë dhe e sigurimit midis Italisë dhe Shqipërisë” (pakti i parë i Tiranës), nënshkruar në Tiranë më 26 nëntor 1926 dhe “Traktati i aleancës mbrojtëse midis Italisë dhe Shqipërisë” (pakti i dytë i Tiranës), nënshkruar në Tiranë më 22 nëntor 1927.
Në nenin 1 të paktit të parë të Tiranës me afat prej pesë vjetësh, i cili mund të përsëritej, thuhej: “Italia dhe Shqipëria deklarojnë se çdo cënim i status-kuosë politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat politike të të dy palëve”. Me ndryshime politike, juridike dhe territoriale nuk nënkuptohej vetëm cenimi i kufijve, por edhe ndryshimi i regjimit, madje edhe ai i orientimit politik të Shqipërisë. Ky nen cënonte sovranitetin kombëtar, mbasi e lidhte fatin e Shqipërisë dhe të regjimit zogist me atë të Italisë. Pakti i jepte të drejtë Romës të ndërhynte deri me armë për të mbrojtur gjoja në emër të pavarësisë së Shqipërisë, edhe regjimin e A. Zogut. Me këtë pakt, Shqipëria hynte, edhe pse nuk thuhej haptazi, nën protektoratin e Italisë.
(Në foto: Mbreti Zog me ministrat e qeverisë së parë të monarkisë)
Edhe pakti i dytë i Tiranës, i cili vlente për 20 vjet, shënonte një hap të mëtejshëm drejt vartësisë së Shqipërisë nga Italia. Me gjithë nënshkrimin e këtyre akteve, Zogu nuk e ndiente veten të garantuar për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit. Ekzistonte gjithnjë rreziku që pushteti i tij presidencial të përmbysej nga kundërshtarët e brendshëm. Kjo për arsye se ekzistonte mundësia që në mbarim të mandatit presidencial, A. Zogu të mos zgjidhej më President i Shqipërisë. Për të siguruar përjetësinë e sundimit për vete dhe për pasardhësit e vet, Zogu vendosi ta shpallte Shqipërinë monarki dhe veten e vet mbret i saj. Për këtë hap të guximshëm, Zogu siguroi jo vetëm përkrahjen e Romës, por edhe të Britanisë së Madhe, e cila kërkonte ta mbante sa më afër saj Italinë fashiste, për të përballuar në këtë mënyrë divergjencat që kishte me Francën në detin Mesdhe. Kështu, më 1 shtator 1928 Asambleja Kushtetuese e mbushur me partizanë zogistë e shpalli Shqipërinë monarki dhe Zogun mbret.
Atë ditë Ahmet Zogu, tani e tutje Zogu I, bëri këtë betim para Asamblesë Legjislative:
“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarvet, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnor, betohem përpara fuqis së Zotit me mbajtë Bashkimin Kombëtar, Pavarësinë e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pasë parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.
Në vitet e para të regjimit monarkik Shqipëria u ndodh në vështirësi të mëdha financiare, e cila u thellua për shkak të krizës ekonomike botërore të viteve 1929-1932. Në vitin 1931 kur mbaroi afati 5-vjeçar i kreditit prej 10 milionë frangash që kishte marrë më 1926, Zogu u detyrua të bënte lëshime të tjera për të zgjatur afatin e huasë. Situatën e vështirë ekonomike dhe financiare në të cilën u ndodh qeveria shqiptare, Mussolini u orvat ta shfrytëzonte për të detyruar A. Zogun të pranonte një varg kërkesash politike, financiare dhe ushtarake, të cilat do ta shndërronin Zogun nga mbret i pavarur në një vartës të Romës. Zogu rezistoi. Për të shpëtuar veten nga laku që kishte në fyt, ai kërkoi ndihmën e Britanisë së Madhe dhe të Francës, të cilat së bashku me Italinë ishin bërë më 1922 garante për pavarësinë e Shqipërisë.
(Në foto: Mbreti Zog me familjen mbretërore)
Në pranverën e vitit 1933, kur situata kritike për Shqipërinë dukej e pashpresë, kundërshtarët politikë të A. Zogut, të nxitur nga Roma, u gjallëruan. Një ndër kundërshtarët më aktivë ishte Hasan Prishtina, i cili kishte siguruar mbështetjen e Romës. Pikërisht në këto rrethana, A. Zogu organizoi vrasjen me atentat të Hasan Prishtinës në Selanik. Në një letër sekrete që Benitto Mussolini ia dërgoi ministrit fuqiplotë të Italisë fashiste në Tiranë, më 18 gusht 1933 – një letër, me sa dihet, e pabotuar deri sot – Zogu paditej si organizator i vrasjes së Hasan Prishtinës. Në atë letër thuhej ndër të tjera: “Vrasja e Hasan bej Prishtinës, të cilin të gjithë e dinë se ishte miku ynë dhe mbahej nga ne, sigurisht nuk mund të mos ketë ngjallur aty (në Shqipëri – K.F.) një përshtypje të madhe dhe të mos jetë interpretuar si një fyerje e tërthortë që na është bërë neve nga mbreti (Zog – K.F.)”. Më tej Mussolini e porosiste shefin e Legatës Italiane, nëse do të ishte e përshtatshme në përputhje me opinionin që ka populli shqiptar për këtë vrasje, që ai të ndërmerrte hapin për pajtimin me A. Zogun “të nesërmen e vrasjes së një mikut tonë, që është bërë, sipas opinionit më të përhapur, me urdhërin e mbretit”. (Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi i Legatës Italiane në Tiranë. Dosja A/1, Nr. 3700, 24/8, Romë 18 gusht 1933).
Zogu e kapërceu deri diku këtë krizë. Por tashmë ai e kuptoi se rruga që kishte nisur nuk mund të kthehej mbrapa. Ai vazhdoi të bënte lëshime, të cilat arritën shkallën më të lartë me 6 marrëveshjet që nënshkroi me Italinë më 1936.
Nuk mund të mohohet se gjatë regjimit mbretëror u kryen vepra në dobi të Shqipërisë. Por vlerësimet që bëjnë për regjimin mbretëror partizanët zogistë janë të tepruara. Nuk është plotësisht i saktë pohimi i tyre se mbreti Zog krijoi për të parën herë një administratë shtetërore të stabilizuar. Ndërtimi i administratës shtetërore filloi që në Kongresin e Lushnjës. Majde, në kohën e Kongresit administrata shtetërore u ngrit në luftë kundër pranisë së ushtrive të huaja, pa harruar provokacionet e shteteve fqinje.
Para kundërrevolucionit zogist, Shqipëria funksiononte si një shtet demokratik. Administrata shtetërore ishte shtrirë në mbarë atdheun. Institucionet shtetërore ishin mëkëmbur sipas shembullit të demokracive perëndimore. Pluralizmi politik, ndonëse ishte në hapat fillestare, funksiononte rregullisht, pa mohuar shkeljet që kryente jo opozita, por vetë qeveria. Si rrjedhim, kur në fund të dhjetorit 1924 A. Zogu vendosi autoritetin e vet shtetëror, problemet e mprehta që kishin shkaktuar shqetësime për sovranitetin kombëtar ishin kapërcyer. Vendi ishte krejtësisht i lirë. Kufijtë e Shqipërisë ishin në parim caktuar. Brenda kufijve pas vitit 1926 nuk kishte asnjë ushtar të huaj. Pavarësia e Shqipërisë ishte njohur në shkallë planetare. Po ashtu dhe kufijtë e saj politikë. Shqipëria ishte pranuar në Lidhjen e Kombeve. Marrëdhëniet diplomatike funksiononin rregullisht me të gjitha shtetet.
(Në foto: Familja Mbretërore Zogolli)
Megjithatë, nuk mund të mohohet se gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër, veçse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Trazirat e brendshme politike nuk rreshtën. Pas kryengritjes së Dukagjinit (1926) ndodhi Lëvizja e Vlorës (1932), më tej kryengritja e Fierit (1935), më në fund rebelimi i Delvinës (1937). Pluralizmi politik u asgjësua. Përndjekjet politike nuk rreshtën. Ndonëse në masa numerike të pakta, Shqipëria kishte të burgosur dhe të internuar politikë.
Stabiliteti i rendit shtetëror, së bashku me dispozitat ligjore që nxorri qeveria mbretërore, krijuan deri diku një klimë të favorshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Rëndësi vendimtare pati dhe korpusi juridik i kodit civil, penal dhe tregtar me frymë evropiane dhe shfuqizimi i kodeve juridike të Perandorisë Osmane, të cilat ishin ende në fuqi. Ndërtimi i rrjetit rrugor, i cili i lidhi krahinat e vendit me njëra-tjetrën, hyn gjithashtu në bilancin pozitiv të regjimit mbretëror. Një vend parësor në bilancin pozitiv të kësaj periudhe, zë organizimi i rrjetit arsimor në mbarë vendin – jo aq nga numri i shkollave, i cili për arsye të kuptueshme mbeti i kufizuar, sesa për përmbajtjen mësimore të shkollave. Për të parën herë shkollat në Shqipëri patën, pa përjashtim, karakter kombëtar. Programet qenë laike. Lënda mësimore u mor nga shkollat perëndimore. Rëndësi e veçantë iu kushtua gjuhës shqipe. Në bazë të dispozitave ligjore, shkollat e vendit i ndiqnin me të drejta të barabarta nxënësit e të gjitha besimeve fetare, të cilët për të parën herë rrinin në bankat e mësimit njëri pranë tjetrit. Toleranca fetare u ngrit më lartë. Shkurt, në fushën e arsimit mbisundoi ideologjia e Rilindjes Kombëtare.
Megjithatë, nuk duhen nënçmuar edhe anët negative. Para së gjithash, duhen patur parasysh marrëveshjet e përmendura dhe lëshimet politike dhe ekonomike që Zogu lidhi me Italinë fashiste. Në statutin e Mbretërisë Shqiptare të miratuar më 1928, Shqipëria shpallej Mbretëri Kushtetuese. Si e tillë, pushteti ekzekutiv duhej të ishte i veçuar nga pushteti legjislativ dhe të dyja këto nga pushteti juridik. Por, A. Zogu njësoj si kur ishte president, edhe kur u bë mbret, e shkeli parimin themelor të monarkisë kushtetuese perëndimore, se “Mbreti mbretëron, por nuk sundon”, pra mbreti qëndron mbi tre pushtetet pa përvetësuar asnjërin prej tyre. Përkundrazi, ai përqendroi në duart e veta, disa haptazi, disa tërthorazi, të tria pushtetet. Ai e shndërroi Shqipërinë në monarki absolute. Të gjitha fijet e administratës civile, ushtarake, juridike, ekonomike, shoqërore, diplomatike – u përqendruan në Pallat. Parlamenti u shndërrua në një foltore lajkatarësh. Deputetët bënin garë kush t’i thurrte më tepër lavde mbretit “August”, siç thirrej Zogu. Edhe vendimet që merrte qeveria buronin nga Pallati.
Shtypi ishte nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme. Në faqet e tij mund të kritikoheshin nëpunësit e vegjël, por jo Parlamenti, qeveria, gjykatat e mbi të gjitha Pallati. Mbreti Zog nuk lejoi të krijoheshin parti opozitare, madje as parti qeveritare. Kundërshtarët e regjimit përgjigjeshin se Zogu nuk kishte nevojë për parti qeveritare, mbasi këtë detyrë e kryente fare mirë administrata dhe shtypi me në krye xhandarmërinë.
Pa mohuar rezultatet pozitive të arritura gjatë regjimit monarkik, vlen të përsëritet se në vlerësimin historik të një regjimi, vendin më të rëndësishëm e zë konsolidimi i pavarësisë kombëtare. Nga kjo pikëpamje ka vend për debat.
Shqipëria ishte shteti më i ri në Kontinentin Evropian. Më 1937 ajo kremtonte 25-vjetorin e pavarësisë kombëtare. Po të kemi parasysh se pavarësia kombëtare është pasuria më e çmuar që ka realizuar një popull, gjithashtu po të kemi parasysh se këtë pavarësi Shqipëria e realizoi pas mijëra vjetësh sundimesh të huaja, historiani ka të drejtë të shtrojë pyetjen: Çfarë kontributi dha ky regjim në konsolidimin e pavarësisë kombëtare? Përgjigjen besoj se na e jep dita e zezë e 7 prillit 1939.
Kushdo mund të thotë se me furinë që kishin marrë dy fuqitë agresore të boshtit Romë-Berlin – Italia fashiste dhe Gjermania naziste – Shqipëria nuk kishte mundësi ashtu si më vonë shtetet e tjera të Gadishullit Ballkanik që ta mbronte pavarësinë kombëtare. Por, ndryshe nga simotrat e saj ballkanike, Shqipëria, si pasojë e politikës së Ahmet Zogut, ishte shndërruar në një shtojcë e Italisë fashiste përpara se të pushtohej prej saj. Megjithatë, jo vetëm opinioni publik shqiptar, por edhe qarqet politike ndërkombëtare e parashihnin se me politikën kapitulluese që ndiqte mbreti Zog ndaj Romës, Shqipëria shumë shpejt do të pushtohej nga Italia fashiste.
Përballë rrezikut të agresionit fashist italian mbreti Zog dhe qeveria mbretërore e tij kishin për detyrë parësore të mos e lejonin qeverinë fashiste të Romës që ta minonte nëpërmjet administratës shtetërore zogiste rezistencën e armatosur popullore shqiptare. Është padyshim një fakt i dhimbshëm kur mendon se ushtria kombëtare shqiptare e formuar për të mbrojtur atdheun nga okupacioni i huaj – ditën e pushtimit italian, më 7 prill 1939 u mbyll nëpër kazerma pa shkrehur asnjë pushkë. Është gjithashtu një fakt i dhimbshëm kur mendon se ndërsa në pragun e agresionit, në ditët e para të prillit të vitit 1939 rinia shqiptare kërkonte armë për të mbrojtur atdheun – qeveria zogiste përpiqej ta mashtronte opinionin duke pretenduar se marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë fashiste ishin si kurdoherë miqësore. Nuk ka dyshim se rezistenca e armatosur që ndeshën ushtritë italiane më 7 prill 1939, edhe pse në përmas modeste i bëri nder atdheut. Për më tepër, ajo që peshon në dëm të dinjitetit të mbretit Zog është mungesa e detyrës politike që atij i takonte si sovran i Shqipërisë.
Të shpjegohemi! Nëse me politikën kapitulluese 15-vjeçare ndaj Romës mbreti Zog e cenoi sovranitetin kombëtar të Shqipërisë - me qëndrimin që mbajti më 7 prill 1939 ai i dha goditjen mortore pavarësisë së Shqipërisë, madje edhe vetë kurorës mbretërore.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.07.2013
Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe
EKSKLUZIVE/ Fischer: Pse dështoi Zogu për Shqipërinë perëndimore
EKSKLUZIVE Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
Gabimi i rëndë i Ahmet Zogut: Nuk mbajti qeveri në mërgim
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë
Redaskai Online
(b.m/shqiptarja.com)