VLORE - Zbulohen detaje të reja, pas grabitjes së ndodhur të dielën në mbrëmje në Vlorë. Pronari i një subjekti këmbimi valutor u grabit sapo mbylli subjektin në lagjen "Çole" të qytetit të Vlorës. Konfirmohet se shuma e grabitur është 8 mijë euro dhe 4 mijë dollarë, shuma të cilat pronari Arsen Lilaj, i mbante në një çantë, në momentin që sapo mbylli subjektin.

Mësohet se kanë qenë tre persona të maskuar, të cilët kanë kryer grabitjen. Një prej prej tyre i armatosur me një armë zjarri pistoletë. Pronari i subjektit të këmbimit valutor sapo kishte mbyllur dyqanin e tij, ndërsa po i drejtohej automjetit të parkuar shumë pranë zonës, kur të tre personat i janë afruar duke e goditur dhe kanosur me armën e zjarrit. Nën kërcënimin e armës, grabitësit kanë arritur t'i rrëmbejnë nga dora çantën, ndërsa më pas janë larguar duke përfituar edhe nga errësira në mbrëmje.

Për disa minuta, pavarësisht goditjes nga autorët, pronari është vënë në ndjekje të tyre, por në ndjekje ka qenë edhe policia pas ngjarjes, por pa arritur që t'i arrestojnë. Hetimet vijojnë për këtë ngjarje të rëndë. Në momentin e grabitjes Arsen Lilaj ka qenë i shoqëruar edhe nga djali i tij i mitur.