Dom Gjergj Meta në Report TV: 2 janë arsyet kryesore pse shqiptarët po largohen!

TIRANË- Për Dom Gjergj Metën, dy janë arsyet pse shqiptarët kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit dhe ato kanë të bëjnë me të ardhmen e fëmijëve. I ftuar në emisionin ‘Kontrast’ në Report TV, Meta u shpreh se mungesa e arsimit cilësor dhe e një ambienti të kulturuar i shtyjnë të rinjtë dhe familjet e mesme të emigrojnë. Sipas tij, arsimi dhe kultura mbeten dy probleme akute të shoqërisë.

“Unë do të veja dorën në një plagë, siç është ajo e shqiptarëve që përditë kërkojnë largimin nga Shqipëria. Çdo ditë kemi emra dhe familje. Nuk di të them se çfarë guximi kanë, por ajo që mendojnë se do të gjejnë është më e rëndësishme dhe më e madhe se ajo që lejnë këtu. Për sensibilizim, çështja e kulturës dhe arsimit është arsyeja kryesore. Sepse pa një komb të paarsimuar dhe të pakulturuar është e vështirë të krijosh një të ardhme. Kur flasim për varfërinë nuk flasim vetëm për minimumet jetike, që për fat të keq e hasim në periferitë e qendrave të mëdha apo qytete. Por ka një gjendje e cila në fund të muajit shkon zero më zero dhe idea për të shkolluar më mirë fëmijët dhe shumë nuk mund t’i përballojnë këto shpenzime. Ka disa nga këto probleme që varen nga varfëria kulturore dhe arsimore, dy probleme akute për mendimin tim” – tha Dom Gjergj Meta.

Duke folur për rolin e shoqërisë, ai u shpreh se duhet një qytetari më e gjerë nga ana e shqiptarëve. Sipas tij, janë vetë këta të fundit që duhet të kenë një rol më të madh në frenimin e së keqes dhe abuzimet.

“Këtu ka pushtete si politika apo drejtësia. Por s’duhet të harrojmë që ka një aspekt tjetër, që është qytetaria. S’dua të them shoqëria civile, sepse ka pësuar një inflacion si term. Më ka ndodhur me një qytetar që ankohej për drogën dhe akuzonte policinë për kultivimin. Edhe kur i thashë pse nuk e denoncon ato që di, për vendet ku kultivohet, më tha se nuk është spiun. Por të denoncosh të keqen nuk do të thotë të jesh spiun, por t’i bësh një shërbim edhe të ardhmes së fëmijëve. Pra është qytetari, sepse në fund të fundit ky fenomen varfëron edhe atë vetë. Shkaqet pse jemi në këtë situatë, janë komplekse dhe të shumta. Përderisa ne kemi zgjedhur disa njerëz. Në kishën katolike, në dioqezën time, përgjegjësinë në fund do ta mbaj unë nëse verifikohet një skandal apo abuzim. Jam unë që jap dorëheqjen ose marr masa, sepse jam aty për të marrë një vendim. Por kjo është beteja ime e përditshme për edukimin dhe qasjen e qytetarëve” – deklaroi Dom Gjergj Meta në ‘Kontrast’.

Por sipas tij, situata e krijuar nuk duhet të na bëjë fatalistë. Meta deklaroi se shoqëria shqiptare ka edhe anën tjetër të medaljes. Ai u shpreh se në vend ka njerëz mjaft të përgjegjshëm dhe që e bëjnë punën e tyre me ndershmëri.

“Nuk duhet të jemi fatalistë. Ka shumë djem e vajza që punojnë për këtë vend. Unë kam hasur edhe në admnistratë, edhe në universitete private, që e bëjnë me dashuri dhe ndershmëri punën e tyre” – tha Dom Gjergj Meta në Report TV.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:48
Debati për abortin, Dom Gjergj Meta: Krim ndaj të pambrojturve, njësoj si vrasja e fëmijëve në luftë

 

Vendimi i Gjykatës Supreme Amerikane për abortin ka rikthyer debatin në shumë vende të botës. Por ndërkohë, në Shqipëri ende nuk ka një prononcim në lidhje me ketë çështje. Dom Gjergj Meta tha për emisionin ‘Kontrast’ në Report TV se kisha edhe pse dihet që qëndron në krahun kundër abortit, ajo duhet t’i mbështesë ato nëna që kërkojnë një ngushëllim për abortet, apo burrave dhe mjekëve që marrin pjesë në to. Kjo sipas Metës, sepse askush nuk ndihet mirë pas një ‘krimi’ të tillë. Dom Meta tha se aborti është njësoj si një krimqë kryhet ndaj fëmijëve të pambrojtur në zonat me konflikt.

“Unë nuk e kam parë vendimin apo termat që janë përdorur aty. Por ky është një debat kompleks, jo i lehtë për t’u bërë. Sepse ka një ndeshje mes të drejtës së jetës dhe të drejtës së gruas. Ka një pjesë që thonë se në atë embrion ka një subjekt, është një person me një AND të veten të ndryshme nga nëna dhe që përkohësisht për 9 muaj është brenda një gruaje. Por është një trup i veçuar. Por ka nga ata që thonë se është pjesë e trupit të femrës dhe me atë embrion mund të bëjë ç’të dojë, sikure bën me gjymtyrët e saj. Mirëpo po të presësh një gisht, ky gisht nuk do të bëhej kurrë njeri. Kurse ai embrion është e vetmja qelizë që bëhet njeri. Ky është debati i madh dhe sigurisht që unë jam në anën e atyre që mbrojnë jetën nga ngjizja deri në vdekje. Unë s’jam as për ato persona që përdorin argumentin ‘pro life’ për të demonizuar dhe anatemuar gratë të cilat kanë kryer një abort.

Asnjë grua nuk është e kënaqur që e ka bërë një gjë të tillë, dhe asnjë burrë apo mjek që ka ndikuar dhe ka marrë pjesë në këtë gjë s’është i kënaqur. Ne si kishë duhet të mbajmë këtë qëndrim me të njëjtën forcë ndaj atyre personave që kërkojnë një ngushëllim. Unë s’mendoj që kisha katolike ka vetëm këtë problem. Për mua është e barabartë me vrasjen e të pafajshmëve, si ata fëmijë që vriten sot në konflikte të tjera” – tha Dom Gjergj Meta për Report TV.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 28/06/2022 03:42

    Nuk mund te cilesohet aborti si krim nga nje grup qe dikur digjte njerez ne turen e druve dhe bente fushata ushtarake ne emer te besimit.E verteta eshte qe kishat tani e kane humbur kontrollin mbi shume gjera.Ne betimin kishtar, Zoti cilesohet si krijuesi i gjitheckaje,por tani njeriu njeh sekretet qe nga galaksite e largeta e deri tek mikro-bota qe shihet vetem me mikroskop elektronik.Dhe misteri i fundit,jeta dhe vdekja duket qe po behen me te kontrollueshme dhe po zbulohen me shume te panjohurat e tyre cdo dite e me teper.Reagimi i zoterise dhe kolegeve te tij ne lidhje me abortin,duket si i atij qe do te mbetet shpejt pa pune.

    Përgjigju
  • Pellazg: 27/06/2022 22:14

    Sa për dështimin që bëjnë grat Kisha një pyetje për ty o prift A ka grua në bot që dështon për qejf Ke dëgjuar ti se un kurr skam dëgjuar Madje grat e marrin me shum vështirsi një veprim të till Prandaj nuk jemi në kohën kur feja bënte ligjin edhe i përdorte grat si skllave i shfrytzonte për qejfet e tyre Mos harro se ajo grua është fëmija motra nëna jon Që fal saj ka jet Edhe nuk duhet të përdoret veç për shtim Feja ti shigoj punët e fes Se për të tjerat ka kush merret

    Përgjigju
    • Loku: 28/06/2022 07:20

      O Zot na ruaj nga pellazgët, se nga të tjerë ruhemi vetë!

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë