I konsideruar si martir i gjallë i Kishës në Shqipëri, eminenca e tij, kardinali Ernest Simoni Troshani, i cili këto ditë po qëndron në Shqipëri, mbrëmjen e së enjtes ka qendruar me besimtarët e krishterë të Mirditës, të cilët e pritën me gëzim pikërisht aty ku kardinal Troshani në momentin e mbërritjes tha se ‘këtu kam rrënjët’.

Në Meshën Solemne, kardinali u ndal, ndër të tjera, te rëndësia e familjes dhe besnikëria ndaj saj.

 “Besnikria ndaj kurorës martesore është gjeja më e shenjta. Kurora është besnikëria ndaj Krishtit, ç’ka është lidh në tokë është lidh në qiell. Thonë bashkejetesa, çka është kjo bashjetesë?! Nana është veora ndër më të madhnueshnet që ka kriju Zoti me zbulu mbarë boten. Shtonju e shumonju, është fjala e të madhit Zot. Ky është shërbimi i jetës”, Ernest Simoni Troshani, Kardinal i Vatikanit.

Besimtarët e shumtë në kishë kanë marrë bekimin e tij. Edhe pse mban 97 vite mbi supe, Kardinali vijon të shërbejë e të lutet me devotshmëri për popullin shqiptar.

 “Kushtojuni të gjithë nën flamurin e dashurisë, të paqes dhe begatisë. Krishti i bekoftë gjithë popullin e Mirditës dhe Shqipërisë”, u shpreh ne meshe.

Gjatë qëndrimit në katedralen e Rrëshenit, kardinali u nderua edhe nga pushteti vendor me titullin e mirënjohjes, ndërsa për kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Monsinjor Gjergj Meta, vizita është historike.

“Për ne si dioqezë e Rreshenit dhe në mënyrë të veçantë si Mirditë ishte një nder i madh prania e tij për faktin vetë se ai e pranoi se është mirditor si origjinë, gjë që na bën më krenar. Shpresojmë që me këtë bekim të tij jeta jonë këtu, jeta shpirtërore dhe sociale te ketë më shumë fryte, të jetë me shumë aktive dhe e bukur”, tha Imzot Gjergj Meta.

Kardinali shqiptar po zhvillon një tur të celebrimit të meshave në disa prej katedraleve të vendit. Më herët ai ishte në Shkodër, ku bekoi besimtarët për të cilët ka shërbyer vite me radhë.