Zonat e Tenës dhe Kodër Rrëshenit, në bashkinë Mirditë, vijojnë të jenë nën pushtetin e flakëve, të cilat po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, në një lidhje për Report Tv e përshkroi situatën si tepër shqetësuese.
Dom Gjergj Meta tha se ajo që e bën situatën më shqetësuese është fakti që zjarret sipas tij ndizen nga dora e njerëzve.
Ipeshkvi i bëri edhe një apel institucioneve të shtetit shqiptar që të përpiqen maksimalisht për shuarjen e vatrave të zjarrit.
“Për situatën mund t’u flasë shumë mirë kryetari i Bashkisë, por për aq sa shohim, duket që situata është mjaft shqetësuese, për arsye se është edhe nxehtë dhe era e shpërndan shumë zjarrin. Ajo që është më shqetësuese, është që këtu duket se këtu është dora e njeriut. Fakti që njerëzit vendosin zjarrin, prishin pyjet dhe dëmtojnë jo vetëm natyrën, por edhe jetën e njerëzve dhe shtëpitë e tyre. Kjo e bën shqetësues shumë faktin. U bë disa ditë që jemi në situatë alarmante në gjithë Shqipërinë. Ajo që unë kam nga vetja ime është një apel ndaj të gjithë njerëzve, që të jemi të kujdesshëm, të mos e dëmtojmë vetë natyrën dhe ta ruajmë atë. I bëj thirrje të gjitha institucioneve që të përpiqen maksimalisht dhe t’i shuajmë të gjitha vatrat e zjarrit. Këtu shoh që njerëzit janë në këmbë të gjithë për të shuar zjarret dhe për të garantuar jetët e njerëzve”, tha mes të tjerash Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi, tha për Report Tv se në terren po operojnë edhe 2 helikopterë, që po përpiqen për shuarjen e flakëve nga ajri.
Ai tregoi se deri në këto momente nuk ka dëme në banesa dhe se prioritet mbetet ruajtja e jetëve të qytetarëve.
Për Melyshin, zjarrvëniet janë të qëllimshme dhe sipas tij ka një dorë që po përpiqet të djegë natyrën. Melyshi tha gjithashtu se po punohet intensivisht për mos-lejimin e përhapjes së flakëve drejt fshatit Malaj, që është ngjitur me fshatin Tenë.
“Në fakt sot është ndër situatat më të rrezikshme që mund të kemi pasur në Bashkinë Mirditë. Zjarri u favorizua nga era. Kishim shumë familje që ishin në zona të shpërndara pyjore dhe vështirësia ishte për të ndërhyrë edhe për shkak të largësisë dhe për shumë shkaqe të tjera. Deri në këto momente nuk kemi dëme në banesa dhe në jetë njerëzish dhe kjo është kryesorja. Kemi larguar njerëz nga banesat. Jemi bashkë me familjarë të tyre afër banesave për t’i mbrojtur. Vijon të jetë realisht e vështirë situata, por me ndihmën edhe të mjeteve zjarrfikëse që kanë ardhur shtesë, me 2 helikopterët që po hedhin ujë pranë banesave, shpresojmë që do të normalizohet situata, që të largojmë rrezikun nga jetët e njerëzve. Duket që janë zjarrvënie të qëllimshme. Duket që këtu ka një dorë që do t’i djegë pyjet. E kam biseduar me shefin e komisariatit, me të gjithë njerëzit që kanë fuqinë e ligjit për të vepruar, që të gjithë ata që po djegin natyrën, duhet të shkojnë para ligjit. Këtu është fshati Ten, janë të shpërndara banesat. Ngjitur me fshatin Tenë, është fshati Malaj. Patjetër që duhet të vëmë një kufi për të ndaluar zjarrin që të kalojë në fshatin tjetër. Patjetër që ka pasur probleme edhe nga tymi”, theksoi kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi.
Lajmi kryesor:
Beteja me flakët/ ‘Lëvizni, të gjithë jashtë’, evakuime në Gojan të Pukës, digjen 4 banesa! Largohen banorët nga shtëpitë në Tenë të Mirditës (VIDEO)









