Dom Gjergj Meta promovon në
Shkodër “Ditarin e periferisë”

Dom Gjergj Meta promovon në<br />Shkodër “Ditarin e periferisë”
Emri dhe figura e Dom Gjergj Metës, meshtarit nga qyteti i Durrësit, që shërben prej dy vitesh për besimtarët e Kamzës, është bërë tashmë mjaft i njohur, jo vetëm për shërbimet fetare që ai i kryen me një devotshmëri të përkushtuar, por falë pasionit dhe diapazonit të tij të gjerë, ai është jo pak në vëmendje edhe të botës mediatike.

Krahas programeve të shumta televizive, apo edhe radiofonike, duke qenë shumë aktiv në tryezat e debateve dhe diskutimeve të organizuara për çështje të ndryshme sociale, tashmë ai shfaqet edhe si një botues i mirëfilltë. Pikërisht për këtë, Biblioteka "Marin Barleti" e qytetit të Shkodrës, në bashkëpunim me Drejtorin e Institutit të Historisë, Ardian Marashi, që ishte në rolin e kordinatorit, organizuan promovimin e librit të tij "Ditar Periferie".

Pas një dokumentari të shkurtër, që përmblidhte portretin e autorit të këtij libri, Dom Gjergj Metës, të realizuar nga Simeon Daberdaku, të pranishmit, duke diskutuar rreth librit në fjalë, përcollën vlerësime për figurën e këtij meshtari, i cili krahas detyrës së viteve të fundit si famullitar i Kamzës, shfaqet si një mik i afërt i letërsisë dhe artit.

Në veçanti, emocionuese ishin fjalët e përcjella nga shkrimtari Primo Shllaku, duke e cilësuar, Dom Gjergj Metën si një penë shumë pikante, ku falë talentit dhe cilësive shumëplanëshe që ai disponon, e ardhmja e tij garanton për një prodhimtari të madhe në këtë fushë.

Duke iu referuar librit, pjesë e të cilit janë kryesisht shkrime të botuar prej tij në harkun kohor të viteve 2003-2012-të, ai tha se, "libri është i ndarë në disa tema të grumbulluara në disa kapituj, ku krahas klerit, spikasin edhe ato me fakte, argumenta, parime filozofike, estetike, analiza politiko-shoqerore, teza dhe hipoteza, etj".

Ndërkohë, për drejtorin e bibliotekes "Marin Barleti", Gjovalin Çuni, prania e Dom Gjergj Metës në mjediset e institucionit që ai drejton ishte një kënaqësi e veçantë pasi libri i botuar prej tij do jetë një vlerë më shumë për lexuesit e shumtë që ka kjo bibliotekë. "Unë u ndjeva i mirëpritur shumë.

Në fakt kam zgjedhur të filloj promovimin në Shkodër se edhe librin tim e nis me meshën e parë të dom Simon Jubanit në qytetin e Shkodrës. Ishte një rast për t'u takuar me njerëz që njihja vetëm virtualisht.", tha autori i librit, Dom Gjergj Meta, duke shtuar se  “ky është libri i parë që botoj, falë pasionit që kam për këtë fushë, me të gjitha gjasat, dhe shumë shpejt do të vijojë edhe me të tjerë".

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset