/ATSH-AFP/ - Diskutimet mes Greqisë dhe zonës euro po përshpejtohen, por mbetet ende shumë punë për të bërë deri më 20 prill, datë në të cilën Athina duhet të paraqesë një listë reformash në kuadër të marrjes së parave për të cilat ka nevojë, konfirmoi dje Komisioni Evropian.
"Në këtë moment, diskutimet po përshpejtohen, por na mungon koha. Ka shumë punë për të bërë deri më 20 prill, që është data paraprake në të cilën Greqia duhet të paraqesë një listë reformash", deklaroi zëvendëspresidentit i Komisionit i ngarkuar me euron, Valdis Dombrovskis, për stacionin televiziv, "Bloomberg TV".
Partnerët evropianë të Greqisë i kanë dhënë kohë deri më 20 prill për të paraqitur një listë reformash të pranueshme, në këmbim të këstit të fundit nga programi i ndihmës ndërkombëtare, një shumë prej 7,2 miliardë euro.
Kjo çështje do të jetë në qendër të diskutimeve në takimin e ministrave të Financave të zonës euro në Riga më 24 prill.
"Ky është një rast i mirë për të kuptuar", theksoi Dombrovskis, pa dhënë detaje nëse do të vendosej diçka në lidhje me dhënien e këstit gjatë këtij takimi.
"Kjo varet nga gjendja e avancimit të negociatave teknike", nënvizoi ai, edhe pse autoritetet greke këmbëngulin për situatën e tyre financiare shumë të vështirë.