Në progres raportin e KE për Shqipërinë thuhet se vendi ynë ka shënuar “njëfarë progresi në fushën e lirisë së shprehjes”, por ende nuk ofron garanci të mjaftueshme ligjore, ndërsa pavarësia dhe pluralizmi i medias ndikohen nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike.
Në progresraport, Komisioni Europian kërkon transparencë të pronësisë dhe financimit të mediave, dekriminalizim të plotë të fyerjes dhe shpifjes.
KE rekomandon gjithashtu mbrojtje efektive të gazetarëve nga kërcënimet, si dhe përmirësim të kushteve të tyre të punës.
Pjesë nga raporti për lirinë e shprehjes dhe lirinw e medias
Shqipëria ndodhet ndërmjet një niveli të caktuar dhe një niveli mesatar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka shënuar njëfarë progresi gjatë periudhës së raportimit, veçanërisht sa i përket përafrimit të kuadrit të saj ligjor me acquis-in e Bashkimit Europian dhe standardet europiane.
Shqipëria nuk ofron garanci të mjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes, ndërsa mjedisi në të cilin operojnë mediat duhet të përmirësohet, në mënyrë që ato të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre lirisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
Shqipëria ka përjashtuar gazetarët e regjistruar nga dispozitat penale për shpifjen, në kushte të caktuara, megjithëse dekriminalizimi i plotë i shpifjes ende nuk është arritur.
Pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të ndikohen nga depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike dhe nga ndërthurja e interesave politike, ekonomike dhe interesave të tjera.
Faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht janë mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i lartë i pronësisë së mediave, si dhe frikësimet dhe fushatat denigruese, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) dhe kushtet e pasigurta të punës së gazetarëve.
Vijuan të ngrihen shqetësime lidhur me ndikimin politik në emërimet si në autoritetin rregullator të medias, ashtu edhe në transmetuesin publik.
Rekomandimet e Komisionit Europian të vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.
Rekomandimet e Komisionit Europian për vitin e ardhshëm
Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të përqendrohet veçanërisht në këto drejtime:
1. Reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator të medias
Të miratojë reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, me qëllim:
• Zbatimin e plotë të masave për garantimin e transparencës së pronësisë së mediave, forcimin e pluralizmit mediatik dhe pavarësisë editoriale.
• Forcimin e transparencës së financimit të mediave nga burimet private dhe shtetërore.
• Forcimin e autonomisë së autoritetit rregullator të medias dhe pavarësisë së transmetuesit publik.
• Shfuqizimin e plotë të dispozitave penale për fyerjen dhe shpifjen.
• Përafrimin e aspekteve civile të shpifjes me standardet europiane.
• Garantimin e mëtejshëm të shpërndarjes së drejtë dhe transparente të reklamave shtetërore, si dhe forcimin e aksesit në informacionin publik.
2. Mbrojtja e gazetarëve nga kërcënimet, sulmet dhe paditë SLAPP
Të garantojë më tej tolerancë zero ndaj frikësimeve, kërcënimeve dhe fushatave denigruese, si dhe të sigurojë mbrojtje efektive kundër padive strategjike ndaj pjesëmarrjes publike (SLAPP).
Gjithashtu, të garantojë zbatimin e ligjit në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë ndjekjen e tyre nga organet gjyqësore.
Të forcojë më tej kapacitetet e organeve ligjzbatuese për trajtimin e rasteve të dhunës, përfshirë incidentet që ndodhin gjatë ose në kontekstin e protestave, si dhe rastet e tjera penale që përfshijnë gazetarët.
Në veçanti, duhet të garantohet respektimi i standardeve të larta të të drejtave të njeriut gjatë trajtimit të incidenteve që përfshijnë gazetarët, përmes:
• Udhëzimeve detyruese për organet ligjzbatuese.
• Procedurave disiplinore, administrative dhe/ose gjyqësore.
• Mbledhjes dhe administrimit të të dhënave.
• Masave për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
3. Përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve
Të përmirësojë kushtet e punës së gazetarëve shqiptarë, veçanërisht duke forcuar mbrojtjen e të drejtave të tyre të punësimit dhe të drejtave sociale, si dhe duke garantuar zbatimin e njëtrajtshëm të Kodit të Punës.
Lajmi kryesor:
Integrimi/ Progresraporti për Shqipërinë: SPAK rezultate pozitive, por korrupsioni mbetet sfidë! Ballukut s’iu hoq imuniteti? Shqetësim për balancën mes pushteteve! Duhet dialog konstruktiv për protestat









