Domenico Morgante, vlerësohet
në Durrës studiuesi italian

Domenico Morgante, vlerësohet<br />në Durrës studiuesi italian
Bashkia e Durrësit ka nderuar këto ditë muzikologun Italian Domenico Morgante me titullin “Mirënjohje e qytetit”, me motivacionin “Për ndihmën e dhënë në zbulimin e vlerave kulturore të qytetit”.

Prof. Morgante, në edicionin e 6-të të Bienales muzikore “Netët e muzikës klasike”, që zhvillohet prej 10 vitesh në qytetin bregdetar, prezantoi pjesë nga punimi i tij shkencor mbi Antifonarin e kompozitorit mesjetar durrsak Gjergj Danush Lapacaja, e njohur si vepër muzikore kishtare e shkruar në vitin 1532.

Gjatë takimit në bashkinë e qytetit, drejtori i Departamentit të kulturës, Ardian Gurra, vlerësoi veprimtarinë 35-vjeçare të prof. Morgantes, kushtuar figurës shumëplanëshe të Gjergj Lapacajës, i cili njihej shumë pak në qytetin e Durrësit. Domenico Morgante, pasi falenderoi për nderimin që iu bë, vlerësoi se njohja e mëtejshme e kompozitorit Lapacaja do të shërbejë për të ngritur ura të reja bashkimi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë. Njëlloj si studiuesi i tij, Morgante, edhe Gjergj Danush Lapacaja jetoi në Monopoli të Puljas. Gjergji pati edhe dy vëllezër të tjerë.

Ai vetë ia kushtoi jetën karierës kishtare dhe në vitin 1532, pikërisht kur shkroi Antifonarin, u emërua kryekanonik i kishës së Monopolit. I njohur edhe si matematicien, 10 vjet më vonë ai shkroi tekstin “Traktat rreth aritmetikës dhe gjeometrisë”, vepër e cila deri në vitin 1784 u ribotua nëntë herë. Prof. Domenico Morgate, gjatë qëndrimit të tij në Durrës ka prezantuar veçanërisht vlerat që ka sjellë në fushën e muzikës Gjergj Lapacaja, Antifonari i të cilit është shkruar 23 vjet para se të botohej Meshari i Gjon Buzukut.Kori kamertal i Filarmonisë së Prishtinës në të njejtën mbrëmje me koralet e Jan Kukuzelit këndoi në mjediset e amfiteatrit edhe disa pasazhe nga Antifonari, vepra e shquar e durrsakut Gjergj Danush Lapacaja.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.06.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri