Kur Donald Trump sulmon, zakonisht i shoqëron fjalët e forta me imazhe provokuese, shpesh edhe ironike, në stilin e tij të zakonshëm, atë të “bully-t”. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë: në Truth, rrjeti i tij social që tashmë është kthyer në një mjet zyrtar komunikimi, është publikuar një imazh ku presidenti amerikan paraqitet si Jezus shërues.
Në foto, Trump shihet me dorën mbi ballin e një burri, sikur po e shëron nga një sëmundje.
Imazhi është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe është mjaft i thjeshtë nga ana grafike, por i ngarkuar me simbolikë fetare. Në sfond shfaqet një flamur i madh amerikan, shqiponja simbol e SHBA-së, disa ushtarë amerikanë, avionë luftarakë të ashtuquajturit “Departament i Luftës”, Statuja e Lirisë dhe një monument që të kujton Kapitolin.
Në skenë janë edhe figura të tjera: një infermiere, një tjetër ushtar, një burrë me kapele dhe një grua duke u lutur. Të gjithë janë njerëz të zakonshëm, të bardhë dhe jashtë elitave – një përfaqësim i qartë i bazës elektorale të Trump, e cila në shumicën e rasteve është edhe shumë fetare.
Në dorën e majtë të presidentit ndriçon një dritë shumë e fortë, si për t’i dhënë mesazhin botës se ai është si një mesia: i vetmi që mban të vërtetën dhe i vetmi që mund të udhëheqë kombin. Fotoja është publikuar më 13 prill në llogarinë zyrtare të Donald J. Trump.
Por kjo foto nuk vjen rastësisht. Ajo pason fjalët e forta të Trump kundër Papa Leone XIV, Papa i parë amerikan në historinë e Kishës Katolike. Sipas analizave, reagimi i Trump duket si përgjigje ndaj kritikave në rritje të Papës për konfliktin e nisur nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit, si dhe për politikat shumë të ashpra të emigracionit të administratës së tij.
Papa, i njohur për gjuhën e matur, këtë herë ka folur hapur për “çmendurinë e luftës”.
Trump u shpreh pa filtra: “Leone duhet të më jetë mirënjohës, sepse emërimi i tij ishte një surprizë e pabesueshme. Nuk ishte në asnjë listë dhe u zgjodh vetëm sepse është amerikan, pasi mendohej se ishte mënyra më e mirë për të menaxhuar marrëdhënien me presidentin Donald J. Trump. Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leone nuk do të ishte në Vatikan”, tha ai të dielën.
Ai shtoi gjithashtu se “Leone duhet të sillet siç duhet si Papë”, duke tentuar edhe të krijojë përçarje brenda familjes së tij, mes Papës dhe vëllait Louis, i afërt me linjën Maga.
Ndaj këtyre sulmeve, Prevost reagoi shkurt: “Nuk kam frikë nga administrata Trump”.
Ndërkohë, rrjetet sociale kanë shpërthyer në kritika. “Zoti President, me gjithë respektin, hiqeni këtë postim. Ju nuk jeni Jezusi”, shkruan një përdorues në Truth.
“Ka pasur vetëm një shërues”, thotë një tjetër. “Nuk dukeni mirë, zoti President”, shkruan një komentues tjetër. “Ju vrisni njerëz, jeni një Zot i rremë” shkruan një tjetër.
Në debat është përfshirë edhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian, i cili e ka dënuar ashpër situatën.
“Në emër të kombit të madh iranian, dënoj këtë fyerje ndaj Papa Leone XIV. Përdhosja e Jezusit, profetit të paqes dhe vëllazërisë, nuk është e pranueshme për asnjë njeri të lirë. Ju uroj lavdi nga Allahu”, është shprehur ai në X, duke iu referuar deklaratave të Trump.












