Milorad Dodik vazhdon të mbështesë fort Viktor Orbanin, duke e cilësuar atë si “zërin e arsyes” dhe një aleat të rëndësishëm për Republikën Srpska.

Duke folur pas zgjedhjeve, Dodik u shpreh se Orban tregoi që në ditën e parë se akuzat ndaj tij si “diktator” ishin të pavërteta, pasi njohu rezultatin dhe bëri kalimin e pushtetit pa asnjë pengesë.

Ai shtoi se qytetarët e Republikës Srpska janë shumë mirënjohës ndaj Orban, sidomos sepse, sipas tij, “e ka kuptuar situatën tonë”.

“Ne kemi qenë shpesh vetëm këtu, përveç Serbisë dhe Rusisë, përballë një bote neoliberale. Orbán ishte zëri i arsyes. Do të doja ta takoja sa më shpejt për të diskutuar si të vazhdojmë më tej”, u shpreh Dodik.

Sa i përket projekteve mes Republikës Srpska dhe Hungarisë, ai theksoi se ato janë rënë dakord me qeverinë e drejtuar nga Orban dhe pjesa më e madhe tashmë është zbatuar.

“Nëse ndonjë prej tyre ndërpritet, do të jetë vendim i njëanshëm nga pala hungareze. Ne do të vazhdojmë nga ana jonë, nëse është e mundur. Nëse jo, kemi jetuar edhe pa to pesë apo gjashtë vite më parë”, tha ai.

Sipas mediave, qeveria e Viktor Orban e ka mbështetur Dodik në disa momente kyçe, si financiarisht ashtu edhe përmes lobimit. Megjithatë, kjo marrëdhënie duket se ka marrë një goditje të fortë së fundmi, pasi Dodik ka humbur një partner të rëndësishëm politik.