Ambasada e Shqipërisë në Kosovë sjell shembuj konkretë të thellimit dhe intensifikimit te mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë kuadër Ambasada në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe pushtetin lokal të Kukësit organizuan në komunën e Shishtavecit një takim të zgjeruar lidhur me mundësitë e rritjes së prodhimit të patates, në këtë rajon kufitar me Kosovën. Në takim merrnin pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Panariti, ambasadorët e Turqisë dhe Mbretërisë së Hollandës, ekspertë të huaj dhe vendas si dhe prodhues nga Kosova dhe zona e Shishtavecit. "Jam këtu për të garantuar që Qeveria shqiptare të jetë bashkëkontribuese në krijimin e këtij zinxhiri vlerash, në krijimin e kësaj pasurie të përbashkët.

Do të krijojmë në këtë mënyrë një sistem të integruar zhvillimi infrastrukturor, i cili do të jetë komplementar në zhvillimin e patates. Patatja e Shishtavecit do të ketë emrin e saj. Do të jetë një patate, e cila do të ketë vlera unikale, të pakrahasueshme me të gjitha patatet që janë në këtë vend", tha Panariti.

Në përfundim të takimit,  u konkludua që qeveria dhe donatorët e huaj do subvencionojnë e financojnë për kultivimin dhe prodhimin e patates bio në këtë zonë malore të vendit tonë, rreth 1,400 m mbi nivelin e detit. Me këtë projekt synohet që prodhimi në një të ardhme të afërt të 3-4 fishohet dhe një pjesë të eksportohet. Në Qarkun e Kukësit, këtë vit janë mbjellë 554 hektarë tokë me patate dhe pritet që prodhimi të arrijë në rreth 12 mijë ton. Vitin e kaluar në qarkun e Kukësit, u mblodhën rreth 13.500 ton patate./ATSH/