Tashmë që situata e COVID është nën kontroll Tirana po i kthehet jetës normale, e bashkë me të, edhe aktiviteteve sportive. Të gjithë të pasionuarit pas notit, vrapit apo biçikletës do të mund të sfidojnë veten duke marrë pjesë në garat e Tiranathlone, që do të zhvillohet më 20 qershor në liqenin e Farkës.
Triathlon, që është kthyer në një traditë nga Bashkia e Tiranës, organizuar në bashkëpunim me Ambasadën greke, është një sport multidisiplinar i rezistencës, në të cilin sportisti mbulon, sipas radhës disiplinat: not, çiklizëm dhe vrap, pa ndërprerje.
Konkurrentët në fakt duhet të kalojnë pa ndërprerje nga një pjesë e garës në tjetrën, duke demonstruar aftësi të shkëlqyera të kushtëzuara si forca dhe qëndrueshmëria, por edhe aftësi të mira koordinimi duke sprovuar veten në not, pedalim dhe vrapim.
Për të marrë pjesë në këtë garë, të gjithë qytetarët e interesuar do të mund të aplikojnë online në faqen zyrtare të Tiranathlon dhe në stendën pranë Bashkisë Tiranë.