SHKODER- Përplasjet me Bordin e Administrimit të Universitetit të Shkodrës për zgjedhjen e administratorit të ri, Mark Molla, duket se kanë qenë arsyeja kryesore që çoi në dorëheqjen e rektorit Tonin Gjuraj, e bërë publike një ditë më pare (e enjte).

Çështja e dorëheqjes përflitej prej javësh në korridoret e universitetit, që nga momenti kur Mark Molla u zgjodh administrator i Universitetit të Shkodrës me shumicë votash nga Bordi i Administrimit.

Burime pranë universitetit bënë me dije se Rektori kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj këtij vendimi, të cilin e konsideronte të paligjshëm, duke iu drejtuar edhe Ministrisë së Arsimit, por pa marrë një përgjigje konkrete.

Situata u tensionua më tej pas vendimit të Bordit të Administrimit në fund të muajit maj për shtyrjen me një vit të moshës së daljes në pension të administratorit Mark Molla.

Në letrën e dorëheqjes, publikuar një ditë më parë nga Shqiptarja.com, Rektori Gjuraj ka renditur arsyet që e çuan në vendimin e parevokueshëm për t’u larguar nga drejtimi i universitetit.

“Në këtë frymë, kam kërkuar mbështetje për përpjekjet e nisura dhe jo krijimin e barrierave artificiale, që pengojnë një proces transformimi të domosdoshëm për universitetin dhe rolin që ai duhet të ketë në jetën e qytetit.

Kjo qasje, mesa duket, nuk gjeti mirëkuptimin e duhur dhe, nëse ushtrimi i këtij funksioni shoqërohet me ndërhyrje që cenojnë autonominë institucionale, atëherë nuk po hezitoj të lë në tavolinë dorëheqjen time dhe t’i rikthehem jetës akademike si profesor. Rektori është i përkohshëm, Bordi i Administrimit është i përkohshëm, por Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ është dhe mbetet i përhershëm”, shkruan Gjuraj.

Ai e cilëson të papranueshëm vendimin e Bordit për emërimin e administratorit, duke theksuar se këtë qëndrim e ka bërë publik edhe më herët. Sipas tij, situata rëndohet edhe më shumë nga vendimi i Bordit për shtyrjen e moshës së pensionit të administratorit, të cilin e konsideron pa bazë ligjore dhe diskriminues ndaj pjesës tjetër të stafit akademik dhe administrativ.

Në letrën e tij, Gjuraj ngre shqetësime edhe për injorimin nga ana e Bordit të Administrimit të raportit përfundimtar të grupit të punës të ngritur nga Ministria e Arsimit për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të konkursit publik për rekrutimin e personelit administrativ gjatë vitit 2025.

Sipas rektorit në largim, raporti konkludonte qartë se “shpallja për punësim nga Bordi i Administrimit është e pavlefshme”, ndërsa vendimi nr. 2015, datë 15 korrik 2025, për kriteret e rekrutimit të stafit në varësi të administratorit, bie ndesh me ligjin nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë.

Gjuraj akuzon gjithashtu Bordin për shkelje të tjera ligjore, duke përmendur pagesa honorarësh projektesh në mënyrë preferenciale, përmes administratorit, jashtë procedurave të zakonshme të verifikimit institucional.

“Unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej Bordin e Administrimit, ndërsa ata kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar”, shprehet ai në letrën e dorëheqjes.

Në përfundim, rektori i dorëhequr kërkon nga Ministria e Arsimit zbatimin e nenit 39 të ligjit nr. 80/2015 për të garantuar vijimësinë normale të funksionimit të Universitetit të Shkodrës pas largimit të tij.

Gjuraj shpreh gjithashtu mirënjohje dhe ndjesë ndaj qytetarëve të Shkodrës, prindërve të studentëve, stafit akademik, administratës dhe studentëve që mbështetën projektin e tij për modernizimin, transparencën dhe transformimin institucional të universitetit.

“Përulem me mirënjohjen më të thellë dhe shpreh ndjesën më të madhe para qytetarëve të Shkodrës, stafit akademik, administratës dhe studentëve, veçanërisht atyre që mbështetën projektin tim të përditësimit të traditës, nxitjes së transparencës dhe transformimit institucional, i cili sapo kishte filluar të jepte frytet e para”, thuhet në shkresën e dorëheqjes.