Kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Gentian Sala ka dhënë dorëheqjen. Sala mori zyrtarisht detyrën e kryetarit të AKEP-it më 19 shkurt 2025. Kryetari i AKEP-it propozohet nga Këshilli i Ministrave dhe ka një mandat pesëvjeçar.

Ndërkohë, Besmir Beja është larguar nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Doganave pas afro 10 muajsh në këtë post. Në vend të Bejës është emëruar me vendim qeverie Fation Shehu, i cili ka drejtuar Antikontrabandën për katër vite.

Vendimi i qeverisë

Dorëheqja e tyre vjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama që drejtuesit e 132 institucioneve të largoheshin nga detyra.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:08
Vetëm 10 muaj në detyrë, ikën Besmir Beja! Në krye të Doganave vjen Fation Shehu

Besmir Beja është larguar nga drejtimi i Doganave pas afro 10 muajsh në detyrë. Në vend të tij është propozuar Fation Shehu, emërimi i të cilit pritet të zyrtarizohet të premten në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Shehu ka drejtuar Antikontrabandën për katër vjet. Vitin e kaluar, ai mori çmimin e parë nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC) për rezultatet në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Në një mesazh drejtuar punonjësve të Doganave pas largimit, Beja bëri bilancin e punës, duke veçuar projektet për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe gjurmimin e karburanteve. Sipas tij, nga janari në tetor 2026, penalitetet e vendosura nga Antikontrabanda arritën në 33,5 milionë lekë, nga 5,5 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa referimet në prokurori u rritën nga 17 në 31.

Beja tha se në të njëjtën periudhë të ardhurat doganore arritën në 207 miliardë lekë, 7,6 miliardë më shumë se një vit më parë. Ai falënderoi qeverinë, ministrin e Financave dhe punonjësit e Doganave për bashkëpunimin.