Dorëshkrimet, 3 poezi të pabotuara të Dritëro Agollit

Dorëshkrimet, 3 poezi të pabotuara të Dritëro Agollit

Dritëro Agolli

Dy poezi të vitit 1988; jo shumë i largët si vit; në prag të këmbimit të sistemeve. Këto dy poezi janë mesa duket të fshehura e të pabotuara. Janë vitet e kritikës së tregimeve Nipi Plangprishës apo Martesa e papritur e Pasho Velçanit (1986).

Lutje natyrës

Natyrë, 
Ftomë në gjirin tënd ngaherë,
Merrmë e prishmë prehje e paqe,
Thirrmë në vapë e në shi, në zheg e në erë,
Se s’dua të ble farmacive ilaçe.

Natyrë ,
Hiqmë nga farmacitë një orë e më parë ,
Ndamë nga diagnozat e shtira,
Që na caktojnë ca njerëz të marrë
Me frymë të ndotura dhe të pështira...

Natyrë,
Këto farmaci janë të shpikura në jetë,
Ato në vend të ilaçeve kanë fjalime të paketuara, 
Që i pimë për t’u bërë të qetë
Ndaj halleve të trazuara...

Natyrë,
Të lutem, më bëj një të mirë,
Më hiq nga kjo botë, farmaci e pështirë!...

1988

Të lindet fëmija
Të lindet fëmija, pa emrin ia gjejmë brenda një dite!
Po prapë kjo s’është një punë aq e lehtë,
Se emrin njeriut ia vemë ta mbajë me vite,
Se emrin njeriut s’ia ndërrojmë si shkronjēn në letër.

Për nënën emri ka pak rëndësi në çastet e dhimbjes,
Madje dhe mendja tek emri s’i vete,
Mbi nënën ngrihet flaka e lindjes,
Dhe flaka e merr me vete.

Po prapë emri s’është një punë aq e lehtë, 
Se vjen pas një flake që del nga zemra dhe hyn në zemër, 
Ndaj nëna kërkon që fëmija në jetë
Emër të ketë dhe të bëhet me emër ...

1988

     ***

Mblidhen harabelët”,e 135-a në radhë , mes të shumtave poezi të viteve ‘80 , dorëshkruar në një fletore shkrimi me logon Rilindja-Prishtinë. Vajza e shkrimtarit mendon se nuk është botuar asnjëherë, “mbetet për ta verifikuar gjithsesi”, pohon Elona Agolli .

Mblidhen harabelët
Mblidhen harabelët vetëm me një cicërimë,
Mblidhen tufë e çepkasin grimëza e fletë,
Pastaj të gjithë largohen e krahët në gjeth fërfërijnë
E çukasin me sqepat e mprehtë.

Si mblidhen harabelët e vegjël pa ftesa?!
Si shkojnë secili pa urdhër në punët e tyre
Dhe s’duan as lajmërime , as shkresa,
Dhe s’kanë nevojë për shefa e përgjegjësa zyre?

Ne, njerëzit , bëjmë mijëra shkresa me vula 
Me mijëra firma me shkronja si vemje,
Me mijëra zarfa me numëra e pulla 
Dhe prapë mezi na shtyjnë këmbët në mbledhje.

Çudi! harabelët bëjnë në shesh miting menjëherë
Pa shkresa , vetëm me një cicërimë
Dhe janë në mbledhje plot shend e verë,
Ndërsa ne , njerëzit , mërzitur mbledhjeve rrimë.

1985

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë