"Dorëshkrimet e fshehta të burgut" të shkrimtarit Visar Zhiti u vlerësua sot gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021 nga Qendra e Librit si Vëllimi më i mirë poetik. I larguar pak ditë më parë nga Shqipëria për në Amerikë ku është zhvendosur së fundmi Zhiti ka shprehur mirënjohjen përmes një letre.
"Lajmi i dhënies së një çmimi letrar, aq më tepër Kombëtar, është i gëzueshëm. Unë do të thosha se çmimi për poezinë këtë vit është i veçantë dhe me domethënie si vetë libri për të cilin jepet. Nuk m’u dha mua, por një të riu dikur, që e dënuan me burg për poezitë e veta, thjeshtë njerëzore dhe ai shkruajti dhe atje, në ferr, fshehurazi. Me ndihmën e të burgosurve të tjerë, aq shumë shokë besnikë, ai mundi t’i shpëtojë poezitë dhe botuesi “Onufri” tani I publikoi të gjitha, anastatikisht, një mrekulli e pabesueshme për atë poet të ri atëhere…
Mirënjohës në emër të tij të atëhershëm bashkëvuajtësve, që e deshën dhe e mbrojtën poezinë dhe atje, ku nuk lejohej, mes rreziqesh. Ja, ku arriti libri i tyre! Mirënjohës ideatorit dhe pergatitësit të botimit, shkrimtarit Andreas Dushi dhe botueses Enxhi Hudhri, që bënë realitet endrrën e Edës time, madje dhe në ballinë të librit vunë pikturën e Atjonit tonë, që ai e kishte menduar për këto poezi.
Falenderoj jurinë e çmimeve të letërsisë të Ministrisë së Kulturës dhe Qendrën e Librit e të Leximit për ftesën.
Të bukurës në poezi, pavarësisht se e mynxyrshme në rastin tim, më duket se iu bashkëngjit dhe etikë nga kujtesa kolektive, nga morali dhe pergjegjshmëria e epokës…
Poezia edhe na ka mbrojtur, edhe na ka bashkuar jo vetëm me kushtrimin e saj, por dhe me ndjenjën, atë emocionin jete që na kuptimëson…
Nga larg, nga Çikago, SHBA, por dhe nga afër, nga zemra! ", shkruan Zhiti.
Lajmi kryesor: