Reali i Madridit është eleminuar nga gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve duke i hapur dritën jeshile ekipit të Dortmundit që të presë biletën për në finalen e 'Uemblit'. Spanjollët kanë qenë të pafuqishëm për të kthyer rezultatin e ndeshjes së parë 4-1 në Gjermani. Edhe pse me Ronaldon dhe formacionin më të mirë në fushë, madrilenët nuk arritën të përmbysin katër golat që pësuan në DOrtmund duke treguar edhe njëherë se nuk janë të pathyeshëm në arenën ndërkombëtare.

Murinjo ka zbritur në fushë me formacionin më të mirë, me mungesën e vetme, portierin Casillas që qëndroi në stol si gjithmonë në ndeshjet e fundit. Ndeshja ka nisur mjaft e mirë për vendasit që sulmojnë pa pushim nga krahët me Di Marian dhe Roanldon, por edhe me ndihmën e Ramosit dhe pjesës tjetër të ekipit.

Në minutat e para është Ronaldo që tenton të shënojë nga distanca, por nuk arrin të shënjestrojë mirë kuadratin. Më pas radhën e ka Higuain që zgjat këmbën për të devijuar një top të Di Marias, por pa rezultat. Portugezi është i pandalshëm dhe përsëri ka një rast të artë për të shënuar, pasi stopon jë top të bukur me gjoks gjuan përballë portierit, por gardiani gjerman neutralizon gjithcka. Borusia tenton disa herë që të dalë në gjysmëfushën e Realit, por Essien dhe Alonso janë të pakalueshëm, ndërsa Levandovski nuk duket fare në fushë, kjo edhe për meritë të Varanes që nuk iu nda për asnjë cast gjatë gjithë ndeshjes. Në minutat e fundit të pjesës së parë janë përsëri madrilenët që kanë shansin të shënojnë një gol por edhe fati nuk është me ta.

Ndërsa Murinjo, Perez, por edhe princi i Spanjës ndjekin me dëshpërim dhe ankth lojën duke kryqëzuar gishtat për një gol të paktën në pjesën e parë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Në pjesën e dytë Reali rrit itensitetin e lojës dhe presionin ndaj Dortmundit duke e goditur më shpesh portën, por pa shumë fat. Në minutën e 83' të ndeshjes është Benzema që i jep shpresë Realit për kualifikim pasi shënon golin e parë të ndeshjes. Ndërsa Borusia tkurret në mbrojtje Reali shënon edhe golin e dytë me Ramos në minutën e 88' pas një stopimi të bukur të topit në zonë. Në minutat e mbetura Borusia vonon lojën ndërsa Reali nuk arrin të shënojnë golin e kualifikimit.