TIRANE- Prokuroria e Tiranës tërhiqet nga zhvillimi i eksperimentit tre dimensional në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku në 21 janar u vranë nga Garda e Republikës katër persona. Shkak i tërheqjes së organit të akuzës është bërë koha e pamjaftueshme për të kryer një gjë të tillë, por dhe fakti se drejtimet prej nga kanë ardhur plumbat mund të nxiren nga pamjet filmike dhe dëshmive të personave të plagosur dhe atyre që kanë qënë shumë afër 4 personave të vrarë. Në fillim të hetimeve të kësaj çështje, prokuroria e Tiranës me asistencën edhe të prokurorit amerikan ka kryer dhjetëra matje në teren, me qëllim që të nxirnin të dhëna prej nga do të dilte skema 3D. Mirëpo për shkak se koha s'mjafton për një veprim të tillë, pasi në 8 maj përfundon afati i hetimeve të dosjes "21 janari", grupi hetimor ka vendosur të tërhiqet nga një veprim i tillë, duke u bazuar tashmë vetëm tek pamjet filmike dhe dëshmitë e personave të plagosur. Do jenë pikërisht këto prova si dhe ekspertiza e FBI-së ato që do përdorë prokuroria në gjykatë kundër efektivave të Gardës së Republikës. Ndërkohë që mësohet se pak ditë më parë në prokurorinë e Tiranës kanë mbëritur nga SHBA plumbat që vranë Faik Myrtaj, Aleks Nikaj si dhe ata të gjendur në godinën e UNCHR. Këta plumba ishin dërguar në laburatorin e FBI-së për ekzaminim balistik, dhe pas përfundimit të ekspertimin, FBI fillimisht ka dërguar konkluzjonet e raportit të ekspertit dhe më pas në një zarf të vulosur ka dërguar në Shqipëri plumbat. Momentalisht pritet vetëm ardhja nga SHBA e dy pistoletave tip "Bereta" të cilat janë përdorur nga ish-kryekomandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe shoferi i tij personal gardisti Margarit Kume. Shumë shpejt prokuroria e Tiranës do zhvillojë një analizë, ku pritet të përcaktojë dhe emrat e gardistëve që do meren të pandehur për katër vrasjet e ndodhura në 21 janar të Hekuran Dedës, Faik Myrtos, Aleks Nikaj dhe Zivër Veizit.
(sg/shqiptarja.com)