TIRANË - Bashkë me ish-ministrin Arben Imami, në prokurori kanë përfunduar edhe anëtarët e tjerë të komisionit të tenderimit për spotet publicitare me vlerë 1.2 milionë USD. 

Kallëzimi penal u depozitua nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, pasditen e të hënës, disa orë pasi titullarja e këtij institucioni Mimi Kodheli bëri publike akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe abuzim me tenderat për paraadhësin e saj Imami.

Kallëzimi penal, i hap rrugën hetimit të prokurorisë në kushtet që deputetët nuk e kanë më imunitetin.

Për procedurë dosja pritet të verifikohet për elementë të veprës penale dhe ti kalojë Task-Forcës për hetim. 

A1Report ka zbardhur disa nga detajet e kallëzimit penal, të cilat lidhen me datën 21 maj kur Qendra e Kulturës së Forcave të Armatosura, ka xhiruar nga buxheti rreth 1.2 milionë dollarë për llogari të një kompanie, "Zoom Event", që si për koçidencë ishte krijuar vetëm disa muaj para këtij vendimi.

Fondi i ishte kaluar nga kjo kompani menjëherë kompanisë "PRO Image", e cila ka bërë ndarjen e fondeve, për të cilat edhe më herët deputetë të PS-së, e kanë akuzuar për shpërndarje në mënyrë preferenciale. Përfituesi kryesor i fondit me rreth 70 % ka qenë grupi mediatik Media 6. 

Më herët ministrja Kodheli, kishte deklaruar edhe për shkelje të tjera të ish ministrit Imami në detyrë, në lidhje me harxhimi e rreth 61 mijë tonëve karburant nga ky dikaster për periudhën maj-qershor, sasi e cila dyshohet të ketë shkuar për fushatën elektorale. Por kjo akuzë nuk rezulton të jetë përfshirë në kallëzimin penal të depozituar pasditen e të hënës. 

Vetë Imami në një deklaratë të së hënës është shprehur se kallëzimi penal është thjesht hakmarrje politike ndaj tij.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)