Apeli i Gjykatës së Posaçme ka pranuar kërkesën e Taulant Tushës, për zëvendësim të masës së sigurisë "arrest në burg".

Për një nga ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, të përfshirë në dosjen 5D, gjykata caktoi arrest shtëpiak.

Në këtë proces ndodhen edhe dy ish-drejtorët Mariglen Qato dhe Redi Molla së bashku me administratorë dhe punonjës të kompanisë 5D.

Ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë u arrestuan në muajin mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.

Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohorë të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022. Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”.

Më 17 qershor GJKKO dha 4 vite burg gjithsej për 5 të pandehur për një prej fraksioneve të dosjes ‘5D’.

Në fraksionin për shkelje në tendera për rastin “Tirana Parking”, u dënua me 1 vit burg Eglantina Zere, e cila paracaktoi fatin e procesit tenderues.

Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”  në bashkëpunim, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha dhe Kristo Zhulati, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë avantazhuar 5D për rikonstruksionin e sheshit të parkimit te Selman Stermasi në tetor 2019.