TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për një tjetër fraksion të Dosjes 5D dhe ka kërkuar dënimin e 7 të pandehurve që u gjykuan me procedurë të zakonshme. SPAK kërkoi dënimin e 3 drejtorëve të Bashkisë së Tiranës dhe 4 të pandehurve të tjerë, përfaqësues të Bashkisë dhe kompanisë “5D”.
Konkretisht SPAK, ka kërkuar 11 vite burg për ish-drejtorin e Ujësjellësit të Tiranës Redi Molla, 9 vite burg për ish-drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Mariglen Qaton dhe 4 vite burg për ish-drejtorin e Planifikimit të Punëve Publike, Taulant Tushe. Për të pandehurit e tjerë, SPAK kërkoi 2 vite burg për Albano Jankun, nga 3 vite burg për Enton Punavijan dhe Julian Zanaj, 7 vite burg për Nestor Muhametllari. Krahas dënimit, SPAK kërkon që të pandehurit të mos ushtrojnë funksione publike për 5 vite.
I vetmi që ndodhet në burg nga ish-zyrtarët e mësipërm është ish-drejtori Mariglen Qato. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Redi Molla dhe Mariglen Qato thotë SPAK, kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, ndërsa vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tendera të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.., duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020.
Më herët, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë duke dënuar katër prej të pandehurve që u gjykuan në proces të ndarë për dosjen “5D”, por që nuk do të bëjnë asnjë ditë burg. Drejtoresha e klubit shumësportësh, Deborah Keçi, me tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi u dënuan me shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Sipas SPAK, ata krijuan kushte dhe privilegjuan kompaninë “5D” të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës në mënyrë që të shpallej fituese në procedura tenderash.
KËRKOHET KONFISKIMI DHE KALIMI NË FAVOR TË SHTETIT:
Shoqëria tregtare "5D Konstruksion", me seli në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si person juridik dhe njëkohësisht si pasuri dhe si mjet që është përdorur për kryerjen e veprave penale, por edhe subjekt tregtar në të cilën janë riinvestuar produktet e veprave penale. Vlera e aktiveve afatgjata të shoqërisë tregtare të deklaruar në organin tatimor në momentin e sekuestrimit ka qënë në vlerën totale 148,884,372 lekë.
Pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², si dhe pasuria e paluajtshme truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur në adresën rruga "Tefta Tashko", pranë Pazarit të Ri, Tiranë, të rregjistruara në emër të shtetasve Selim Molla dhe Ollga Molla. Vlera e produkteve të veprës penale të përdorura për financimin e blerjes dhe rikonstruksionit të tyre është 48,789,000 lekë.
Shoqëria "Restur" sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si dhe 24% e kuotave në shoqërinë tregtare "Mediterranean Investment Group" sh.p.k me, me seli në Durrës, të rregjistruara në emër të shoqërisë tregtare "Restur" sh.p.k, si pasuri vlera e të cilave iu korespondon vlerës së produktit të veprës penale. Vlera e 24% e kuotave të mësipërme është në masën 20,853,864 lekë, ndërsa vlerat e investuara nga shoqëria "Restur" sh.p.k në shoqërinë "Mediterranean Investment Group" sh.pk në formën e "dhënies hua nga ortaku" janë në total shumën prej 564,000 Euro.
Pasuritë e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², dy vendparkime me sipërfaqe secili prej tyre prej 42 42 m², si dhe pasuria e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², në emër të shtetases Sanie Qato, si pasuri të fituara si rezultat i veprimtarisë kriminale dhe që përbëjnë produkt të veprës penale. Vlera e përgjithshme e këtyre pasurive është në shumën 21,910,000 lekë.
Lajmi në përditësim....
Komente








Respekte per hajdutet e qeverisë edhe per keta trima qe vjedhin bravo I qoft se ky popull keshtu do,popullit pakesoi buken dhe shtoi drurin.
Përgjigju