Policia ka vënë në pranga pas 8 muajsh në arrati kushëririn e biznesmenit Ergys Agasi, Eno Agasin, për të cilin Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’, pasi dyshohet se zhduku shishet e shtrenjta të verës që u sekuestruan nga SPAK në vilën e Ergys Agasit në dhjetor të vitit 2025.
Eno Agasi u prangos te Kodra e Diellit teksa po lëvizte me automjet, ndërkohë që ai dyshohet për 'vjedhje' dhe 'pengim për zbulimin e të vërtetës'. Eno Agasi ishte lokalizuar nga Prokuroria e Tiranës dhe i ishin dhënë koordinatat Policisë. Hetimet ndaj tij po kryhen nga prokurori Bledar Valikaj.
Hetimet për zhdukjen e verës së Agasit nisën pas kontrolleve që SPAK ushtroi në vilën e tij në një zonë në periferi në Tiranës lidhur me hetimet për abuzimet me tenderët e AKSHI-t.
Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën për këtë dosje dhe ia ka kaluar atë SPAK, e cila u bashkua me procedimet penale për abuzimet me AKSHI-n.
Bëhet fjalë për rreth 600 shishe verë të markave të shtrenjta. Gjatë kontrolleve në vilën e Agasit në dhjetor 2025, agjentët e BKH-së, të cilët ushtruan kontroll me urdhër të SPAK kishin konstatuar se pijet ishin pa pullë fiskale. Për këtë ato njoftuan Doganën, e cila bllokoi mallin, por pa e vënë atë në ruajtje, deri në momentin kur do duhet të shkonin për të tërhequr shishet e bllokuara, të cilat ishin zhdukur. Për këtë episod u shpall në kërkim Eno Agasi.
Në atë kohë kur ndodhi operacioni u tha se do të hetohej edhe roli i Doganave apo personave dhe institucioneve të tjerë që kishin në ruajtje mallin e gjetur.






Komente
Komento