‘Dosja e 1997-ës’, si u zmbraps Berisha pasi Ministrinë e Mbrojtjes donte t’ia jepte Ballit Kombëtar

‘Dosja e 1997-ës’, si u zmbraps Berisha pasi Ministrinë e Mbrojtjes donte t’ia jepte Ballit Kombëtar

Berisha, Dokle, Majko dhe Meta

Ish-kryetari i Parlamentit të Shqipërisë dhe zv.kryeministër i vendit, Namik Dokle, ka treguar pjesë nga negociatat e vështira me Sali Berishën për formimin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar që u drejtua nga Bashkim Fino. Dokle, në praradhënien e Librit të Shaqir Vukajt, ish-ministër dhe ish-ambasador: “Nga gjakosja e Shkodrës (pranverë 1991) tek pergjakja e Shqipërisë  (pranverë 1997)”, tregon se Sali Berisha, atëherë President i Republikës, refuzonte që të emëronte në krye të ministrisë së Mbrojtjes një politikan socialist nga Veriu, por në fund është tërhequr dhe ka pranuar kushtet e PS.

Politikani i Mirëkuptimit   

Nga Namik Dokle

Mendimi i parë që me lindi duke lexuar këtë libër, ishte keqardhja që nuk është shkruar dhe publikuar kohë më parë. Kanë kaluar mbi njëzet vjet nga koha e ngjarjeve që përshkruhen në këtë libër tepër interesant, dhe, në këto vite, kemi dëgjuar dhe lexuar kapica të tëra me artikuj, libra, kujtime e deklarata, të cilat në mjaft raste, ose nuk kanë patur informacion të mjaftueshëm, ose qëllimshëm janë përpjekur të deformojnë faktet e njohura, dokumentet e kohës, vlerësimet objektive, sidomos edhe të ndërkombëtarëve që ishin të pranishëm dhe aktivë në zgjidhjen e krizës dramatike të Shqipërisë në vitin 1997.Ky libër i Shaqir Vukajt ka vlerë të madhe sepse fakton me dëshmi dhe dokumente të vërtetën për ngjarjet e asaj periudhe të veçantë në Shqipëri, duke kontribuar në hedhjen poshtë të të gjithë falsifikimeve, deformimeve dhe keqinterpretimeve të tyre, qofshin të qëllimshme apo jo. Për ta shkruar këtë libër, politikanit Shaqir Vukaj i është dashur, natyrisht, të konsultojë dokumente të kohës, materiale serioze të shtypit vendas dhe të huaj. Por bazamenti themelor i librit është ajo ç’farë ai vetë ka përjetuar, si dëshmitar apo pjesëmarrës aktiv në ato ngjarje që përshkruan. Dhe shpesh i ka qëlluar te gjendet në  “Syrin e ciklonit” të atyre përmbysjeve të mëdha, falë detyrave që ka mbajtur, fillimisht si kryetar i Partisë Socialiste te Shkodrës, pastaj deputet dhe nën/Kryetar i Kuvendit, e me në fund, në detyrën sa delikate, aq edhe dramatike, të ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, të kryesuar nga Bashkim Fino (mars-korrik 1997 )

Libri ka analiza të paanshme, objektive, pa paragjykime partiake, edhe pse është shkruar nga një përfaqësues politik. Ne këtë libër, ashtu si e kam njohur edhe në jetë, Shaqir Vukaj shfaqet si një drejtues partiak dhe politikan i prirur drejt mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me të gjitha forcat politike, në të mire të vendit, të paqes dhe qetësisë se njerëzve. Ai ishte nga ata politikanë që përpiqej, edhe pse jo gjithnjë gjente po atë vullnet politik tek të tjerët, që në Shqipëri të sundonte mirëkuptimi dhe jo hakërrimi, thjeshtësia dhe jo gerdufja, pajtimi dhe jo hakmarrja, që, në fund të fundit, të gjithë së bashku të ndërtonim një Shqipëri normale.

Ka një ndërthurje interesante të ngjarjeve të njohura të kronikës historike, me përjetime dhe kujtime personale, me veçantitë e mjediseve (veçanërisht te Shkodrës) për të cilat pak është shkruar deri tani; gjithnjë në kontekstin e kohës për të cilën bëhet fjalë në libër. Ai tregon se i do njerëzit, respekton mendimin e tjetrit edhe pse nuk është dakord me të, vë në plan të parë vlerat humane dhe jo ato pasunore, apo politike. Është shumë interesant, për shembull, përshkrimi i bashkëpunimit me lirikun e madh, poetin Frederik Reshpja. Kur shumëkush synonte ta mbante larg këtë “rebel”, “ish të burgosur politik”, Shaqir Vukaj e ftoi te botonte dhe drejtonte gazetën “ORA” të Shkodrës dhe, më vonë, e propozoi edhe ne listën e deputetëve te Shkodrës për Partine Socialiste. Më emocionoi fakti që Shaqiri ruante akoma me shumë dashuri dorëshkrimin e një poezie të Frederikut, të shkruar rreth vitit 1992. E kërkova dhe e gjeta të botuar në librin “100 lirikat” të këtij poeti te madh dhe, krahasuar me dorëshkrimin origjinal, kishte vetëm një fjalë më tepër. M’u duk sikur po dëgjoja zërin paksa të ngjirur të Fredit, por gjithsesi të qetë:

Tani shkruani për mua parulla dhe i varni si pranga neper mure.

Vlerë tjetër e librit të Shaqir Vukajt është se kapërcen tej ngjarjeve “ngushtësisht politike”, duke dhënë një përqasje edhe ndaj shumë fenomeneve shoqërore, duke ruajtur në terezinë e vet një ton paqtues, pa mllef e urrejtje, duke ofruar mirëkuptim dhe dashamirësi. Një fenomen që e ka shqetësuar autorin është hakmarrja dhe gjakmarrja, në luftën ndaj të cilave ka qenë i angazhuar thuajse gjatë gjithë jetës së tij politike. Që nga takimet e njerëzve të ngujuar nga gjakmarrja, përpjekjet për pajtimin e familjeve e deri në diskutimet dhe interpelancat në Kuvend, duket qarte shqetësimi i një veprimtari shoqëror në interes të njerëzve të thjeshtë e në hall.

Autori, në shumë raste bën përpjekje që të nxis mendimin dhe konkludimet e vetë lexuesit, duke shmangur skemat dhe “kallëpet” e parafabrikuara. Ai shkruan me thjeshtësi dhe pa gërdufje. Shpesh, duke përdorur mençurinë popullore, ka momente pikante që me pak fjalë thonë shumë...Për shembull kur përshkruan një nga fushatat e Sali Berishës, në të cilën ai përsëriste çdo dite sloganin “kam ardhur t’u kërkoj besë” një burrë i thotë: “Me ke je në gjak he burrë, që po na lyp besë?!” Një pyetje asgjësuese që nuk ka nevojë për koment dhe, me të drejtë, autori i librit nuk i shton asnjë fjalë tjetër.

Në libër trajtohen një serë temash dhe problemesh të rëndësishme si: Situata ekonomike, Dhuna politike, Pavarësia e gjyqësorit, Deformimet e demokracisë, Pronat dhe korrupsioni, Zhvillimet ne Partinë Socialiste etj. etj.

Gjate leximit te librit kam shkëmbyer mendime me autorin, për shumë nga temat e trajtuara në faqet e tij. Një prej tyre ishte edhe takimi i Ramiz Alisë me intelektualët. Shumëkush ka hedhur idenë se pjesëmarrësit në takim nuk u treguan kurajozë etj. etj. Opinioni im është krejt ndryshe. Boll kurajë treguan, po të mbahet parasysh që jo me shumë se dy vjet më parë ishte varur poeti i fundit ne Europë, Havzi Nela, për të cilin Ramiz Alia nuk pranoi të firmoste dekretin e faljes. Ai i mblodhi intelektualët jo për ndryshimin, por për alibinë e mosndryshimit.

Por, për mendimin tim, një nga pjesët më me interes te librit, është ditari i kohës kur Shaqir Vukaj ishte ministër Mbrojtje (mars-korrik 1997). i mbajtur ditë për ditë, shkruar netëve të vona, kur edhe flinte brenda në ministri, ky ditar është një nga dëshmitë me autentike të shkatërrimit dhe, me pas, të mëkëmbjes së ushtrisë shqiptare. Një përkushtim i jashtëzakonshëm i ministrit dhe drejtuesve të tjerë, ushtarakë dhe civilë. Duke i lexuar ato faqe mendova që ka qene një veprim i mençur i udhëheqjes se Partisë Socialiste caktimi i Shaqir Vukajt si ministër Mbrojtje në qeverinë e drejtuar me përkushtim dhe pasion atdhetar nga Bashkim Fino. Kujtoj se kur në tavolinën e partive politike po ndaheshin ministritë, ish-Presidenti Berisha propozoi që Ministrinë e Mbrojtjes ta drejtonte një përfaqësues i Ballit Kombëtar. “Po bëni një provokim të rëndë dhe të papranueshëm!”- i thashë. “Dijeni se po e bëtë këtë hap, jo vetëm të gjallët që janë ngritur kudo, por do të ngrihen edhe të vrarët nga varri e nuk do ta pranojnë!!!” Në situatën e acaruar, Sabri Godo, me urtësinë qe e karakterizonte, propozoi që të bëhej një takim veçmas i ish-Presidentit me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Takimi u bë menjëherë, në sallën e dekorimeve, në Presidencë. Berisha, Majko, Lakrori dhe unë. U kthyem pas një ore diskutimesh të ashpra dhe pa ndonjë vendim përfundimtar. Sapo hymë, Kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar, Hysen Selfo, tha që partia e tij nuk e donte Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ajo ministri është e mbushur me komunistë” - tha ai.

 

“Por nuk ka pula!”- i thashë dhe u mbyll diskutimi.

Por mbas dite u përplasëm përsëri me Berishën për emrin e ministrit. Ne menduam që dy përfaqësuesit tanë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në atë të brendshmen (Sekretari) të ishin domosdo nga Veriu, përkundër përpjekjeve të poshtra dhe përçarëse Jug-Veri. Dhe propozuam Shaqir Vukajn dhe Lush Perpalin. Por nga telefoni i Presidencës me erdhi gjëmimi:

“ Ne asnjë mënyyyrëëë!”

“ Atëherë bëje vetë qeverinë!”- i thashë. Vonë në darkë, Berisha telefonoi përsëri dhe me tha qe Lushin e pranonte, por Shaqirin jo.

“ Jam Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura! Nuk ma impononi dot!”

“Ministri ynë i Mbrojtjes do të jetë nga Veriu dhe pikërisht Shaqir Vukaj”, i thashë, “Hidhu në qiell e bjer në tokë, emër tjetër nuk të japim!”

Pas mesnate, telefonoi për herë të tretë...

“ Zoti Dokle, si do ta sjellim Finon nga Gjirokastra?”

Kuptova qe e kishte dekretuar qeverinë sipas propozimeve të Partisë Socialiste. Duke lexuar ditarin autentik të ministrit Shaqir Vukaj, shumëkush mund të kujtojë ngjarjet tronditëse që ka përjetuar në ato ditë, por edhe do të marrë mesazhin që demokracia dhe të drejtat e njeriut duhen mbrojtur çdo ditë e nga të gjithë, për të garantuar të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Marrë nga Libri i Shaqir Vukaj: “Nga gjakosja e Shkodrës (pranverë 1991) tek pergjakja e Shqipërisë  (pranverë 1997)”. Kortezi e Shtëpisë botuese, Geer.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?