KUKËS - Sali Berisha është një 82-vjeçar i konsumuar politik, i shpallur "Non Grata" nga aleati kryesor i Shqipërisë, SHBA, dhe i cili nuk mund të mobilizojë demokratët dhe qytetarët e thjeshtë për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Edi Rama.

Kështu tha Ervin Salianji, i cili synon të garojë për kryetar të Partisë Demokratike, gjatë një takimi me demokratë të Kukësit që zhvilloi këtë të dielë. Ish-deputeti theksoi se ka qenë një ndër vendimet e tij më të duhura, shkëputja nga "nga një politikë 36-vjeçare e baltës, e përbuzjes, e shpifjes, e goditjes së kundërshtarit politik brenda partisë".

"Ne e dimë të nderuar miq dhe nuk e ndryshojmë dot kundërshtarin politik, kundërshtari i PD-së dhe i Shqipërisë është Edi Rama dhe duhet ta mundim, nuk duhet të themi gjithmonë që Edi Rama na rrahu, duhet të stërvitemi dhe ta rrahim dhe ta mundim Edi Ramën. Jam krenar që në çdo sallë mbështetem nga njerëz si ju. Më të vërtetët e demokratëve janë në këtë sallë sepse e njohin shqetësimin dhe instinktin e demokratëve për të fituar, disa thonë ku i keni figurat, figurat janë këta që i votojnë demokratët.

Ata që janë drejtues dhe lidershipi i PD flasin nëpër tavolina siç flasim në këtë publik.Në këmbim kemi marrë mashtrime dhe shpifje. Kam bërë gjënë e duhur që po ndahemi nga një politikë 36-vjeçare e baltës, e përbuzjes, e shpifjes, e kundërshtarit politik brenda partisë",- tha Salianji.

Ish-deputeti pranoi para demokratëve të Kukësit që edhe ai vetë duhej të kishte folur shumë më herët për agoninë politike që po i ndodh Partisë Demokratike.

"Edhe unë pavarësisht se kam fituar në zonat që më janë ngarkuar, kam një barrë përgjegjësie që duhet të kisha folur më parë. Tani PD është një dyshezë që nuk po ndalet, po shkon drejt një gremine",- tha Salianji. 

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:52
Salianji: Berisha nuk e bashkon dot opozitën as nuk mobilizon njerëzit! SPAK po bën më shumë opozitë se PD

Ervin Salianji thotë se Sali Berisha nuk ka më aftësinë për të risjellë në pushtet Partinë Demokratike. Sipas ish-deputetit, vetë PD-ja ka humbur aftësinë e saj të opozitarizmit dhe ky rol po bëhet më mirë nga SPAK.

"Është treguar që Berisha nuk e hap partinë, nuk e bashkon opozitën, nuk i bashkon dot njerëzit dhe ia vetë është dorëzuar, nuk mund të fitojmë dot kurrë nëse nuk ndryshojmë. Sepse pyetja që është për drejtuesit e PD, si do t’i çojmë më shumë se 800 mijë demokratë në kutitë e votimit kundër pushtetit të Edi Ramës. I thonë shqiptarëve çdo javë është kilometri i fundit, thonë nuk mundim Edi Ramën, po kë të mundim, ne Edi Ramën kemi për të mundur. Opozitë po bën më shumë SPAK-u se PD",- tha Ervin Salianji.

Ora 18:39
Salianji sfidon Berishën me demokratët e Kukësit: Dil në zgjedhje dhe përballu në garë

Nga Kukësi, ku zhvilloi një takim me anëtarët e Partisë Demokratike atje, Ervin Salianji sfidoi drejtpërdrejt Sali Berishën, duke i kërkuar të lejojë një garë të hapur në zgjedhjet për kreun e PD-së, votimet për të cilin do të mbahen më 23 maj.

"Kemi nga viti 2013 që me të njëjtët drejtues po humbim në çdo palë zgjedhje sepse nuk duan të heqin karriget e veta, me ne demokratët u ka hasur sharra në gozhdë sepse nuk po u ecin më mashtrimet. A i vjen turpi atyre që në këtë mënyrë të gënjejnë çdo ditë shqiptarët. Kam një thirrje të sinqertë për drejtuesit dhe zotin Berisha, dil dhe përballu në garë. Jepi mundësinë demokratëve të shprehen e votojnë. Shqiptarët kanë kuptuar një gjë, që të mundet autoritarizmi i qeverisë, duhet të mundet autokratët e opozitës, nuk mund ta lënë që PD të shkatërrohet",- tha Ervin Salianji.