Për organin e akuzës Gjykata e Apelit ka marrë vendim në kundërshtim me ligjin procedural, si edhe nuk ka marrë parasysh praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në një tjetër çështje, pikërisht në një rast kur një shtetas shqiptar ankohej pranë asaj gjykate për të njëjtin argument.
Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda, në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës së Lartë, e shpreh kundërshtimin e saj për vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në dy pika.
“Nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda janë ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe procedurialë për respektimin e parimit të mbrojtjes së të pandehurit. I pandehuri ka pretenduar se nuk ka pasur mundësi financiare që të paguajë mbrojtës dhe për këtë arsye, nga ana e gjykatës është kërkuar të caktohet avokat kryesisht. Por, pavarësisht se është ezauruar e gjithë lista e avokatëve penalistë të Dhomës së Avokatisë, asnjë prej tyre nuk mori përsipër mbrojtjen e të pandehurit, ku shumica e tyre kanë paraqitur justifikime joligjore, për të cilat gjykata ka vënë në dijeni instancat përkatëse, si Ministrinë e Drejtësisë, KLD”, theksohet në njoftimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Sipas organit të janë plotësuar detyrimet për sigurimin e mbrojtjes së të pandehurit, por ky i fundit ka hequr dorë nga e drejta e tij e mbrojtjes. Pra,gjykata nuk mund të mbajë përgjegjësi për neglizhencën apo abuzimin që i pandehuri ka treguar më se qartazi se nuk dëshironte të përfitonte nga e drejta për të patur mbrojtje ligjore
“Në argumentat e saj kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria risjell në rekursin e saj edhe vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ankimi nr. 74727/01), datë 16 qershor 2005, vendimi i bërë përfundimtar në datë 30.11.2005, në çështjen Balliu kundër Shqipërisë. Ankimi i qytetarit shqiptar në GJEND ishte paraqitur me të njëjtat argumente të cilat ka përdorur Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda për të prishur vendimin dhe për ta rikthyer për rigjykim çështjen kundër të pandehurit Dritan Dajti. Në vendimin e saj, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, duke argumentuar se në dispozicion të ankuesit kishin qenë mundësitë për të zgjedhur mbrojtësin dhe kjo mundësi nuk ishte shfrytëzuar, ajo gjykatë është shprehur se “GJEND çmon se në tërësi procesi penal kundër ankuesit nuk mund të konsiderohet si i parregull” thekson Prokurorisa e Krimeve të Rënda.
Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, në vendimin e saj, argumenton vendimin për prishjen e vendimit dhe rikthimin e çështjes në shkallë të parë, me argumentin se “konstatohen shkelje te renda proceduriale ne lidhje me sigurimin e mbrojtjes se te pandehurit gjate zhvillimit te procesit gjyqesor, duke shkelur kerkesat e nenit 49 K.Pr.Penale, si dhe percaktimet e nenit 378 K.Pr.Penale per zhvillimin e diskutimeve perfundimtare”.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)