Dosja e Gjirit të Lalzit / Deklarata i Joana Qeleshit para inspektore: Pse dhe si ia dhashë 45 mijë m2 katrorë tokë Pal Seçunit

TIRANE - Vendimi i shumëdebatuar ish-kryegjyqtares së Durrësit, Joana Qeleshi, duke njohur 75-vjeçarin Pal Seçuni si pronar të 45 mijë metra katrorë tokë e pemishte, më parë pronë e shtetit, në Gjirin e Lalzit, dyshohet dhe përflitet si burimi i konfliktit mes të fortit të Sukthit Landi Muharremi, biznesmenit të dhunuar libanez Fadi Mitri dhe qeverisë. Libanezi Fadi Mitri kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë deri në fillim të vitit 2016, në një sipërfaqe që rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit. Por, më datë 25 mars të vitit 2016, Joana Qeleshi, dha vendimin që 45 dynymë tokë t’i njihet si pronë një familje nga Durrësi.

Nga Ministria e Drejtësisë u pretendua se prona në fjalë kishte të bënte me sipërfaqen që qeveria i kishte dhënë biznesmenit. Në shtator të 2016, biznesmeni Mitri u dhunua barbarisht, i cili u detyruar të largohej nga Shqipëria. Mes personave të ndaluar në atë kohë si të dyshuar për dhunimin ishin edhe Landi Muharremi, i cili së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho dhe njohur me nofkën "Rrumi". Gjatë atentatit disa ditë më parë në mbikalimin e Shkozetit, ‘Rrumi’ ishte në makinë me prokurorin Arjan Ndoja, i cili po hetonte tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Pas rrahjes së biznesmenit libanez, akt i cili mbeti pa autor të ndëshkuar, qeveria doli në krah të biznesmenit, ndërsa Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Joana Qeleshit, e cila kishte dhënë vendimin.

Kërkesa bazohej në inspektimin e kryer nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, inspektim i cili është iniciuar mbi bazën e ankesës së kompanisë “Omnix” të Fadi Mitrit. Nga procesverbali i siguruar nga Shqiptarja.com, Qeleshi ka hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë, me argumentin se palët ndërgjyqëse nuk e kanë ankimuar vendimin e saj. Më tej, znj. Qesheli thotë se sipërfaqja në fjalë është “një pronë shtetërore jo publike pasi bëhet fjalë për një pasuri të paluajtshme e cila ka qenë e llojit pasuri tokë arë, e llojit tokë pemishte nuk është një pasuri publike”.

Në rrëfimin e saj, Qeleshi thotë se parcela për të cilën ajo kishte në gjykim, nuk kishte lidhje me sipërfaqen që shoqërisë Omnix Albania i është dhënë për përdorim nga Këshilli i Ministrave. E pyetur se duke qenë një sipërfaqe kaq e madhe 45.000 m2 dhe me vlerë, pra nuk është gjykuar me tre gjyqtarë por më një, Qeleshi ka pohuar se “praktikën tonë si gjykata, kur bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme objekt gjykimi, gjyqtari... merret për të identifikuar vlerën e objektit të padisë vetëm në rastet kur njëra nga palët ka pretendim”.

Në përfundim, KLD vendosi të mos e shkarkonte Qleshin, por kjo e fundit, dy vjet më vonë dhe kur KLD ishte shkrirë, dha dorëheqjen nga funksioni i gjyqtares.

Deklarata i Joana Qeleshit në KLD për dosjen e Gjirit të Lalzit

-Joana Qeleshi:...Pretendimi i parë ka qene se është shkelur ligji procedural dhe ka qenë një shkelje e rëndë duke qenë se gjyqtari nuk ka caktuar vlerën e padisë për shqyrtim dhe ju ka mohuar palëve shqyrtimin e çështjes me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Theksoj që në fillim vendimi për të cilin po flasim është një vendim gjyqësor i formës së prerë i cili ju është komunikuar rregullisht palëve ndërgjyqëse dhe asnjëra prej tyre nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit në gjykim. Ndërkohë në seancën e parë të veprimeve përgatitore sipas kodit të procedurës civile është seance kur palët mund të kërkojnë zhvillimin e çështjes me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, pra është e drejtë e tyre. Palët kanë qenë të pranishme dhe asnjëra prej tyre nuk ka kërkuar zhvillimin e çështjes me tre gjyqtarë. Në qoftë se kjo e drejtë do t’ju ishte mohuar nga unë si gjyqtare palët do të kishin mundësi të bënin ankim në fund gjë nuk ka ndodhur as që nuk e kanë kërkuar dhe as në përfundim të procesit askush prej tyre nuk ka bërë ankim për këtë shkak. Shkelja e dytë është pretendimi se Gjykata ka zhvilluar një proces gjyqësor me ndërgjygjësi të parregullt pasi Bashkia Durrës nuk ka qene pronare e sendit dhe duhej të thërritej në gjykim me cilësinë e personit të tretë,Drejtoria e Shërbimit Pyjor, Ministria e Mjedisit dhe Shoqëria OMNIX Albania Sh.p.k Sa i takon elementit kryesor dhe palëve kryesore në gjykim të paditurve nga bashkia Durrës. Në raportin e tyre Inspektorët dhe më pas ish Ministri i Drejtësisë kanë pranuar që në këtë gjykim i paditur nuk duhet të ishte bashkia Durrës sepse nuk ishte subjekti të cilit i takonte kjo pronë. Në mënyrë të detajuar në faqet 4 deri 6 të vendimit tim të arsyetuar është arsyetuar shprehimisht pse pronare e pronës në fjalë është bashkia Durrës dhe fakti nqs një palë është pronar apo jo i një pasurie të luajtshme apo të paluajtshme është një element të cilin e përcakton ligji nuk e përcakton as gjyqtari as palët as ministria e

Drejtësisë dhe konkretisht për të folur nëse një pasuri e caktuar dhe në rastin konkret pasuria që unë kam patur objekt gjykimi ka qenë pasuri: e para, pronë publike apo jo? Dhe e dyta në pronësi të bashkisë apo jo unë i jam referuar ligjit përkatës dhe cilat janë pronat e paluajtshme të shtetit e përcakton ligji 8743 dt 22.02.2001 i cili përcakton në mënyrë të detajuar diferencën mes pronave publike, pronave shtetërore dhe më pas ligji 8744 dt 22.02.2001. Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore përcakton dhe cilat do të jenë subjektet të cilat gëzojnë titullin e pronësisë për pasuritë në fjalë. Referuar këtyre 2 ligjeve është e qartë se pasuria objekt gjykimi që unë kam patur ka qenë në pronësi e para njëherë është një pronë shtetërore jo publike pasi bëhet fjalë për një pasuri të paluajtshme e cila ka qenë e llojit pasuri tokë arë, e llojit tokë pemishte nuk është një pasuri publike sepse neni 3 i ligjit përcakton shprehimisht cilat konsiderohen pasuri publike siç janë p.sh vija bregdetare, ujërat territoriale etj.. që i keni në mënyrë të shprehur sipas ligjit dhe së dyti për sa i përket ligjit për transferimit të pronave të paluajtshme publike të shtetit dhe qeverisjes vendore në nenin 3 pika i të tij përcaktohen shprehimisht se u transferohen qeverisjes së njësisë vendore pronat që përdoren për realizimin e funksioneve etj etj ..është e cituar dispozita. Mbi bazën e këtyre dy ligjeve kanë dalë edhe vendimet e këshillave të ministrave të cilat kanë përcaktuar transferimin dhe ....

Artan Broci: Zonja Qeleshi të të ndërpres,fabulat dhe materialin ne e kemi sepse e keni bërë observacionin shkurtimisht kush kanë qenë palët, a kanë patur të drejtë ankimi, a është njoftuar rregullisht vendimi pikëpamjen procedurale, përqendrohu krejt shkurt faktet i dimë ne të tjerët , kush ka qenë palët subjekte të këtij vendimi ,kemi të bëjmë me një vendim të formës së prerë i cili nuk është bërë ankim qoftë për vlerën qoftë për ndërgjyqësisë ku di unë për përfundimin e procesit dhe përfundimisht opinion juaj në lidhje me këtë vendim të formës së prerë.

-Joana Qeleshi: ..palët në këtë gjykim kanë qenë paditës ka qenë z. Pal Seçuni dhe i paditur ka qenë Bashkia Durrës dhe nga ana ime si gjykatë është njoftuar edhe Avokatura e Shtetit në referim te nenit 77 te kodit të procedurës civile për të marrë pjesë në gjykim. U ndala tek ai moment vetëm për të thënë se në mbledhjen e kaluar e cila nuk u zhvillua nga ana ime është vënë në dispozicion dhe besoj se duhet të jetë shpërndarë edhe 2 shkresa të cilat janë njëra e avokaturës së shtetit. Raporti i avokaturës së shtetit institucion ky pranë ministrisë së drejtësisë i dt 05.10.2016 i cili është një raport i bërë për këtë çështje në të cilën vetë avokatura e shtetit, po citoj vetëm pjesën përkatëse ku thuhet pasi është verifikuar pronësia mbi këtë sipërfaqe toke pra për të cilën në po flasim ka rezultuar se me VKM 34 dt 24.01.2007 për miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme jopublike shtetërore që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Ishëm të qarkut Durrës, pasuria me nr. 152/9 zona kadastrale 1522 është transferuar në pronësi të komunës Ishëm sot bashkia Durrës. Pra vetë një Institucion pranë Ministrisë së Drejtësisë ka konfirmuar atë që unë e kam thënë në vendimin tim me arsyetimin si gjyqtare pavarësisht këtij institucioni që aktualisht pasuria, kur nisa të referoja bazën ligjore pasuria ka qenë pronë e komunës Ishëm deri në vitin 2015 ku me ligjin 115 /2014 për ndarjen administrative territoriale të gjitha pronësitë e komunave i kanë kaluar bashkive përkatëse dhe sipas atij ligji kjo pasuri i ka kaluar në pronësi bashkisë Durrës, kjo është arsyeja që palë ndërgjyqëse në cilësinë e të paditurit ka qenë në gjykim bashkia Durrës dhe pse kjo është pranuar nga unë si gjyqtare për të qenë si palë e paditur në gjykim me legjitimimim e duhur real pasiv në gjykim. Ndërkohë lidhur me pretendimin se nuk janë thirrur në cilësinë e personit të tretë në gjykim shoqëria OMINX dhe Drejtoria e shërbimit pyjor, për sa i përket drejtorisë së shërbimit pyjor shumë shkurtimisht po ju them se si pas ligjit përkatës Drejtoria e shërbimit pyjor është një strukturë pranë bashkisë Durrës, pranë bashkive e cila nuk ka një personalitet juridik të saj që prej vitit 2015 kur ligji ka hyrë ne fuqi dhe për sa kohë unë kisha palë të paditur në gjykim bashkinë Durrës nuk kisha arsye përse unë të thërrisja në gjykim një subjekt i cili nuk ka patur legjitimim procedural dhe nuk mund të vinte kurrsesi si palë në gjykim. Për sa i përket shoqërisë omnix në gjykim unë kam marrë provë me ekxpert dhe eksperti me aktin e tij të ekspertimit në faqen 3 te aktit te ekspertimit se ekzaktësisht se pasuria objekt gjykimi që po shqyrtohet para meje nuk ka patur asnjë lloj kufizimi rrethimi pronësomi, pra ishte një lloj sipërfaqe i lirë në tërësi, pra kjo është arsyeja që pse ne gjykim mund të gjykohej nëse kishte interes ndonjë person tjetër apo mua të më ketë rezultuar gjatë gjykimit i cili më pas të thërritej nga ana ime si palë në poçes...

...Parcela me nr. Pasurie 152/9 -1 që është një pjesë e pasurisë, zona kadastrale nr. 1522 me sipërfaqe 45.000 m2 në pronësi të zotit Pal Seçuni me vendndodhjen ne Draç Durrës nuk është pjesë e sipërfaqes prej 28.018 ha të hequr nga fondi pyjor sipas VKM përkatëse. Pra edhe një institucion tjetër ka konfirmuar atë që në fakt ka rezultuar dhe nga gjykimi që pasuritë nuk kanë lidhje dhe këtë element e theksoj vetëm për një arsye sepse si rregull nuk duhet të ndalesha këtu, por për faktin se mediatikisht edhe ministri, ish ministri i drejtësisë në raportin e tij dhe propozimin për shkarkim ka pranuar sikur vendimi që është dhënë nga ana ime ka patur një mbivendosje me një sipërfaqe që shoqëriisë Omnix Albania i është dhënë për përdorim në një formë të caktuar nga Këshilli i Ministrave, në një kohë që këto pasuri nuk kanë asnjë lloj lidhje me njëra tjetrën për sa i përket dokumentacionit përkatës.

Sa i përket mos përcaktimit të regjimit juridik unë kam patur një shkresë nga ana ime si gjyqtare dhe është marrë informacion në formë zyrtare nga ana e zyrës vendore të regjistrimit te pasurive të paluajtshme Durrës, në lidhje me të gjithë situatën, me origjinën e pronës, me gjendjen juridike të saj dhe është reflektuar edhe në vendim. Së fundmi lidhur me respektimin sa i takon tejkalimit të vlerës së objektit të kërkimit me një keqardhje shumë të madhe kam konstatuar që nga ana e mistrisë së drejtësisë është konsideruar si shkelje urdhërimi nga ana ime në pikën e fundit të dispozitivit që pasi vendimi të merrte formë të prerë, një kopje e tij ti dërgohej zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Durrës.

....Sa më sipër unë vlerësoj që kërkesa e Ministrit të Drejtësisë për shkarkimin tim nga detyra është e pa bazuar në ligj është e pa bazuar në prova dhe nuk shoh asnjë personalisht dhe nuk kam parë as momentin e parë asnjë lloj shkaku apo arsye që të konsiderohet shkelje proceduriale jo më e tillë që të përbëjë shkelje për fillimin e një procedimi disiplinor apo vazhdimin e tij ndaj meje. Gjithsesi ju falënderoj për dëgjimin dhe për çfarëdo pyetje jam e gatshme t’ju sqaroj.

-Petrit Çomo: Tani, ajo kontrata që ka pas ajo shoqëria, pavarësisht se juve thatë që nuk përputhen ato, kur është prishur?

-Joana Qeleshi: Atëherë, në fillim të procesit është marrë edhe një masë për sigurimin e padisë, kjo për faktin sepse është pretenduar që Drejtoria e Shërbimit Pyjor, më përpara, mund të dispononte edhe pjesë të pasurisë (po ndalem shkurtimisht). Dhe rezultoi që dhe i keni edhe të arsyetuara në vendim, megjithatë po i citoj në datën 27.09... domethënë, ka pasur – me pak fjalë – ka pasur një kontratë mes Shoqërisë “Omnix Albania” sh.a. dhe Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, të lidhur në vitin 2008 për një pjesë të pasurisë, e cila fillimisht, në qoftë se shihni kërkesë padinë, objekti i padisë ka qenë pasuria 158/9 në tërësi sepse nuk dihej ku pozicionohej ky 45.000 m2 dhe në momentin e parë, duke qenë se kontratat e lidhura mes Drejtorisë së Shërbimit Pyjor dhe Shoqërisë “Omnix” i referoheshin po të njëjtës pasuri, për një sipërfaqe tjetër, por nuk dihej ku vendoseshin derisa u bë akti i ekspertimit, ka pasur një masë sigurimi padie e cila dhe është regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, po siç e parashikon ligji, për t’iu bërë me dije palëve që mund të kenë interes, etj., etj., dhe nga gjykimi rezultuan dy fakte: e para, që me shkresën nr. 521, datë 27.09.2013, Drejtoria e Shërbimit Pyjor i kishte prishur për një pjesë të caktuar Shoqërisë “Omnix” kontratën dhe në 22...

Petrit Çomo: E kuptova.

-Joana Qeleshi: Jo vetëm kaq. Por tani për faktin sepse duke qenë se unë u ndodha në këtë situatë dhe ajo që rezulton është që në korrik të vitit 2016 është vendimi i Këshillit të Ministrave që i ka dhënë pasurinë Shoqërisë “Omnix” për të zhvilluar... për të bërë zhvillimin përkatës. Është mbas vendimit të dhënë nga ana ime dhe nuk ka lidhje me situatën që unë kam pasur për gjykim. Domethënë po flas për këtë situatë që unë kam trajtuar. Sa i përket pjesës që ju pyetët. Unë e kam mirëpritur inspektimin e Ministrisë së Drejtësisë në kushtet kur situata mediatike dhe politike, u hodh e gjithë situata e një ngjarjeje që kishte ndodhur, kriminale, u hodh sikur ishte përgjegjësia ime si gjyqtare dhe siç e thashë, duke qenë se nuk kisha asnjë mundësi që të sqaroja se çfarë kishte ndodhur, e mirëprita inspektimin e Ministrisë së Drejtësisë, duke menduar që një inspektim profesionistësh do të rivendoste dhe do të sqaronte atë situatë që kishte ndodhur.

Fatkeqësisht, ajo që ndodhi ishte që përpara se raporti i inspektorëve të dilte, ish ministri i Drejtësisë së asaj kohe, ka mbajtur një konferencë publike, në të cilën më ka shkarkuar publikisht si gjyqtare, duke cituar ai se cilat ishin shkeljet që unë kisha kryer, të cilat pa diskutim më pas do reflektoheshin në raportin e inspektimit që doli 10 ditë më pas sepse ka një farë logjike nga pikëpamja institucionale, kur titullari i një institucioni thotë publikisht që këto janë shkeljet. Çfarë do ndodhë me personat që kryejnë raportin përkatës. Nuk kam dhe nuk dëshiroj të bëj asnjë lloj komenti tjetër, por kjo është çështje fakti dhe siç e thash unë nuk mendoj që qëndron asnjëra prej tyre, kështu që për rrjedhojë e quaj që ka qenë e parakohshme,qoftë edhe për të marrë në konsideratë ato që kanë qenë shkresa të vetë institucioneve të shtetit, siç ishte avokatura e shtetit për shembull, e cila nuk është marrë në konsideratë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë apo as objeksionet/observacionet e mia të dërguara me shkrim, të cilat nuk janë reflektuar në propozimin përfundimtar nga ana e ministrit.

-Xhezair Zaganjori: ...Lidhur me vlerën e padisë. Domethënë, duket që sipërfaqja është shumë e madhe, rreth 45.000 m2. Sot po e shihja në fakt. Se unë në rastet e tjera në masat disiplinore nuk kam marrë pjesë, për shkak të situatës që ka qenë më përpara, ndërsa tani, ankimimet sipas rregullimeve Kushtetuese duhet të bëhen në Gjykatë Kushtetuese dhe jo më në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Pse me një gjyqtar dhe cila është  praktika në përcaktimin e vlerës së padisë? Dhe jo me tre, në rastin konkret?

-Joana Qeleshi:...Në rastin konkret, vlera e objektit të padisë nuk është përcaktuar sepse në praktikën tonë si gjykata, kur bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme objekt gjykimi, gjyqtari... merret për të identifikuar vlerën e objektit të padisë vetëm në rastet kur njëra nga palët ka pretendim sa i përket formimit të trupit gjykues, pasi taksa që paguhet... sepse elementët e përcaktimit të vlerës së padisë janë dy, taksa dhe formimi i trupit gjykues. Taksa që paguhet në raste të tilla është standarde sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave, që është 3 mijë lekë... dhe sa i përket formimit të trupit gjykues, në qoftë se palët nuk kanë kërkime apo pretendime, gjyqtari nuk mundet që kryesisht... e ndalon ligji që kryesisht të vendosë shqyrtimin e çështjes me trup gjykues të përbërë me tre gjyqtarë.

G.M./xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi