Po zgjerohet edhe në drejtim të krimeve të mundshme seksuale hetimi ndaj ish-princit Andrea, vëllait të mbretit Charles III dhe djalit të preferuar të mbretëreshës Elizabeth II. Andrea ishte arrestuar dhe marrë në pyetje shkurtimisht në muajin shkurt, pikërisht në ditën e 66-vjetorit të lindjes, pasi dyshohej se kishte kaluar informacione qeveritare të rezervuara te miku i tij Jeffrey Epstein, financieri amerikan i akuzuar për pedofili që vdiq në burg në New York në një vetëvrasje të dyshuar.

Fillimisht bëhej fjalë për një hetim për shpërdorim detyre, por tani policia britanike ka bërë të ditur se po heton edhe për krime të mundshme seksuale, lidhur me vajza që Epstein dyshohet se ia kishte sjellë Andreas deri në rezidencat mbretërore. Policia pritet të bëjë një thirrje publike që viktimat e mundshme të dalin dhe të dëshmojnë. Vëmendja është përqendruar te një e re që kishte deklaruar se në vitin 2010 ishte ofruar për “qëllime seksuale” dhe ishte dërguar në Royal Lodge, rezidenca e atëhershme e princit në Windsor.

Shpërdorimi i detyrës është një krim që mund të marrë forma të ndryshme, çka e bën kompleks këtë hetim”, thanë hetuesit. Një burim për Sky News shtoi se “njerëzit gabohen nëse mendojnë se po hetohen vetëm krime financiare. Shpërdorimi i detyrës përfshin shumë gjëra, përfshirë krime seksuale, mashtrim, korrupsion, pengim të drejtësisë dhe të tjera. Po hetojmë çdo aspekt”.

Është interesante se arrestimi i Andreas në shkurt ndodhi pak pasi ish-kryeministri laburist Gordon Brown publikoi një artikull të gjatë ku kërkonte që Andrea të çohej para drejtësisë. Vetëm tre javë më parë, Brown publikoi një tjetër shkrim në New Statesman ku kërkonte që policia të hetonte edhe aspektin seksual të krimeve të mundshme të Andreas. Pas kësaj, hetimet morën drejtim të ri.

Përkeqësimi i pozitës së ish-princit – të cilit vitin e kaluar iu hoqën të gjitha titujt pas publikimit të detajeve të tjera mbi marrëdhënien me Epstein – po vë në vështirësi edhe familjen mbretërore dhe mbretin Charles. Vetëm dje dolën dokumente lidhur me emërimin e Andreas si i dërguar për tregtinë në vitin 2001, ku rezulton se vetë mbretëresha Elizabeth kishte ushtruar presion që djali i saj të merrte atë rol. Imazhi i ish-mbretëreshës, deri tani pothuajse i idealizuar, po dëmtohet gradualisht ndërsa bëhet e qartë se ajo kishte mbrojtur një djalë, sjelljet e papranueshme të të cilit njiheshin prej kohësh.

Por “çështja Andrea” është problem edhe për Charles, i cili ka deklaruar se do të bashkëpunojë me hetimet. E gjithë familja mbretërore vështirë se mund të mos ketë ditur për aktivitetet e Andreas, i cili megjithatë është mbrojtur vazhdimisht nga pasojat. Sa më shumë që ish-princi komprometohet, me rrezikun që të akuzohet zyrtarisht dhe të dalë në gjyq, aq më shumë rasti i tij përbën një rrezik reputacional për monarkinë dhe, në fund, një kërcënim real ekzistencial për të./Corriere della Sera