Apeli i GJKKO pritet të marrë një vendim nëse do të nisin apo jo hetimet për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu në lidhje me çështjen e shpërthimit të Gërdecit, ndërsa është caktuar edhe gjyqtarja e çështjes. Bëhet me dije se do të jetë Kryetarja e Apelit të GJKKO-së, Saida Dollani që do të vendosë për fatin e Mediut.
SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO për të mos hapur hetimin për ish Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen e shpërthimit të Gërdecit.
GJKKO rrëzoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për Mediun për çështjen e Gërdecit me pretendimin se vepra është parashkruar.
Sipas vendimit të GJKKO të shkallës së parë, prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për t'u hetuar dhe vepra është parashkruar.
Ndërkaq në shkurt të këtij viti, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes. SPAK e trajtoi pozitivisht këtë kërkesë, duke e vlerësuar se ishte e drejtë të rifillonte ndjekja penale ndaj këtij personi dhe tashmë çështja është në dorën e Apelit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe djali i familjes Durdaj, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.