Ilir Kumbaro, ish oficeri i SHIK-ut, i akuzuar për rrëmbimin dhe torturën me pasojë vdekjen e shtetasit Remzi hoxha, nuk gjendet në Britaninë e Madhe. Zyrtarisht autoritetet britanike i janë përgjigjur Gjykatës së Krimeve të Rënda se Kumbaro nuk gjendet dhe për këtë arsye pyetja e tij dhe më pas ekstradimi për llogari të procesit që po zhvillohet në Tiranë prej 2008-ës, nuk mund të realizohet.

Gjyqi ndaj Kumbaros dhe dy të akuzuarve të tjerë Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit, kishte ngecur me kohë prej 7 muajsh në pritje të ardhjes së përgjigjes nga Anglia për marrjen në pyetje të të pandehurit Kumbaro.

Ish shikasi u arrestua në Angli pas 12 vitesh kërkim, por vendimet e drejtësisë shqiptare i lanë rrugë të lirë për të rifituar lirinë cka bëri të mos realizohej dot ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Ai qëndronte pej vitesh në Britaninë e Madhe i maskuar me identitet të rremë si Shaqo Shatri.

Në tetor të 2011-ës Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së lartë rrëzuan Kumbaron duke çelur rrugën për ekstradim. Por pak ditë pas këtij vendimi, Kumbaro u zhduk pa lënë gjurmë dhe pavarësisht kërkimeve të policisë britanike ai ende nuk është gjetur. Zhdukja pa gjurmë e Kumabros detyron në këtë mënyrë Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të heqë dorë nga pyetja e tij.

Seanca e radhës ndaj tre të akuzuarve i mbetet shtatorit. Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini, ish drejtues të larte të Shik-ut në vitin 1995, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rrëmbyer, torturuar dhe zhdukur Remzi Hoxhën në tetor të atij viti. Fati i biznesmenit shqiptaro maqedonas nuk u mësua kurrë .

Drejtësia shqiptare nuk do ketë fatin të pyes Ilir Kumbaron, ish shikasin e akuzuar për rrëmbimin, torturën dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro maqedonas Remzi Hoxha. Autoritetet britanike i kanë kthyer përgjigje drejtësisë shqiptare se Kumbaro nuk gjendet dhe marrja e tij në pyetje është e pamundur.
(gm/shqiptarja.com)