Gati 1.1 milionë euro (me kursin aktual) ose 100.840.264 lekë kaluan në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, pas kërcënimeve të Ermal Beqirit ndaj shoqërisë AESS shpk të shqiptaro-gjermanes Migena Schroeder, e cila ishte bërë pjesë e realizimit të projektit ‘SmartLab 2” në shkollat shqiptare, financuar nga AKSHI.
Historia nis që përpara se të niste procedura e prokurorimit. “Në muajt Shkurt-Mars të vitit 2022, më kujtohet që ka ardhur të më takojë shtetasi Daniel Shima, (nëndrejtor i AKSHI-t) i cili më ka thënë që e kishte dërguar "shefja”. Më sugjeroi që të bëhesha pjesë e një projekti që lidhej me implementimin "Smartlab 2", në shkollat”, ka treguar Schroeder. Sipas saj interesi i Shimës lidhej me faktin se shoqëria e saj kishte ekskluzivitetin e "Ruckus", kompani amerikane, nga më të mëdhatë në botë e njohur për fibrën optike.
Në dosjen e siguruar nga Report Tv, thuhet se Schroeder ka shpjeguar përpara hetuesve se bëhej fjalë për një procedurë prokurimi, që do të bëhej nga AKSHI-i që nuk ishte bërë ende, por se ishte paracaktuar. “Danieli më thotë që ky projekt është caktuar që do të realizohej nga shoqëria "Albascan", dhe se për këtë arsye duhet të takohesha me përfaqësuesin e kësaj shoqërie, Elision Jorgjis”.
Në dosje nuk jepen detaje të takimit, por lihet të kuptohet se AESS dhe Albascan e Jorgjit kishin rënë dakort për të bashkëpunuar për projektin. Por ndërsa realzimi nuk kishte përfunduar ende, në Janar të vitit 2024 “më erdhi në zyrë Elision Jorgjis, i cili më tha se Daniel Shima nuk do ishte më përgjegjës për çfarë ndodhte në AKSHI dhe se tashmë gjërat i kishte marrë në dorë një shtetas me emrin "Gysi”, ka rrëfer Schroeder, sipas së cilës Jorgji i kishtë thënë se “ai do më kalonte në llogari lekët dhe se unë duhet ti mbaja në llogari dhe ti kaloja me fatura të vogla nga pak e nga pak, por se deri në atë moment nuk e dija tamam se kujt duhej t’ia kaloja”.
Pas këtij episodi, Schroeder i ka thënë hetuesve se është ankuar te drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Kjo e fundit i ka lënë të kuptohet se nuk kishte njohje me Jorgjisin, i cili, sipas saj ishte futur në lojë nga Daniel Shima, që në atë kohë kishte lënë detyrën si zëvendës drejtor i AKSHI-t.
Më vonë, Schroeder tregon se ndërsa ishte në një tjetër takim me Jorgjisin, i mbërrin një mesazh nga Karçanaj e cila i sugjeron një takim me Ermal Beqirin. “Ai më tha në vijim të bisedës që unë kisha hyrë në një “pishinë peshkaqenësh” dhe se ai ishte këtu "për të zgjidhur historinë”, ka rrëfyer Schroder, sipas së cilës po atë ditë, ajo shkoi në orën 18:00 në zyrën e Beqirit së bashku me kontratat, i cili i bëri të qartë se një pjesë të fitimeve do duhet t’ia kalonte kompanisë ‘EA Solution’ të Argys Agasit.
“Gjatë takimit më pyeti për vlerën e kontratës dhe aty më tha se sa lekë do të mbaja unë në llogari dhe se një pjesë të shumës së fituar, për të cilën do më kontaktonte një punonjësja e tij me emrin Gesta, me të cilën duhet të diskutoja për të bërë një kontratë shërbimi me shoqërinë EA Solution. Për këtë gjë, Emali më tha që duhet të kisha parasyesh që këto lekë nuk ishin të miat dhe se prandaj më kishte thënë që kisha hyrë "në një pishinë peshkaqenësh”, ka treguar Schroeder, e cila ka thënë se e ndjerë nën presion kishte kërkuar NIPT-in e shoqërisë ‘EA Solution’, dhe kishte dalë nga takimi.
Si përfundim, AESS shpk, nënshkruan një kontratë me kompaninën e Agasit për shërbime të llojit projektim, konsulencë dhe trajnim në fushën e teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit. “Në faturën tatimore të shitjes të dorëzuar nga Migena Schroeder, dokumentohet se më datë 13.02.2024, ajo i ka prerë një faturë shoqërisë EA Solution, në vlerën 100.840.264 lekë”, shpjegohet në dosje.
Lajmi kryesor:
Dosja 'AKSHI'/ 11 mln euro dhe verëra të shtrenjta, shpërblime për Ergys Agasin! Për të, Ermal Beqirin e 6 të tjerë, shtohet dhe akuza e korrupsionit











