Gjin Frrok Macaj, një ushtarak dhe aktivist i Legaliteit gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, do të jetonte për paradoks, gjatë asaj periudhe lufte,  vitet e fundit të lirisë së tij. Falë atij angazhimi do të përcaktohej më tej gjithë rrugëtimi i jetës së tij nën regjimin komunist. Ky fakt i gërshetuar edhe me një lidhje krushqie në familjen e Bardhok Bibës, do të bëhej shtysë e një historie të dhimbshme personale, e cila do të trashëgohej edhe tek fëmijët dhe nipërit e mbesat e tij. Fakti se ai ishte dhëndri i bardhok Bibës nuk do ta shpëtonte atë nga burgu komunist. Do të arrestohej 2 herë. Herën e parë pasi ishte dorëzuar në besë tek kunati i tij Bardhok Biba, pas shumë kohësh në arrati em forcat e Rezistencës në mal, dhe herë e dytë pas vrasjes së Bardhok Bibës. Historia e mëvonshme e tij ëhstë e mbushur me ngjarje të pabesueshme dhe mbikqyrje e pandërprerë, duke e survejuar deri ditën që vdiq. Djali i tij Pali,  ishte rreth 4 vjeç në gusht të 1949  kur vritet bardhok Biba në Mirditë. Ai vit ka shënuar, gjithë rrjedhën e jetës së tij. Babai do ti burgosej për të dyti, nëna do ti vdiste po atë vit dhe të qenët bir i një armiku të popullit e njëkohësisht edhe nip i një daje si bardhok Biba do ta mbushte jetën e tij me kundërshti e vështirësi të pafundme.

  Pal Macaj: Unë quhem Pal Macaj, i biri i Gjin Frrok Macajt, nga fshati Ujshtrez. Fshati im e ka marrë emrin nga fshati Uj sepse laget me ujin përmes fshatit.Është i përbërë nga dy krahët me nga dy fshatra: Lurth dhe Shtrez. Në 1946-n kemi qenë së bashku Uja e Shtrezi, por ishte fshat i vogël dhe e kishte emrin Uja dhe Ujlurth i thoshin. Prapa  nw Lurth u shtuan shtëpitë edhe mbetëm Ujshtrez quhet sot.

Në atë fshat të Mirditës, i cili do të kishte rolin e tij në ngjajret e rezistencës kundër komunizmit, i ati i Palit, Gjini kishte mjaft influencë.  Kjo për disa arsye, si shkollimi i tij në Itali, në vitet 30,  angazhimi dhe roli i tij  gjatë luftës me forcat e Legalitetit të Abaz Kupit, dhe në fund të luftës pozicionimi në krah të Mark Gjonmarkut,  me forcat e rezistencës antikomuniste. 

Pal Macaj:  Babai e pati kryer ushtrinë në kohën e Zogut. Gjyshi im ka qenë xhandar i Zogut. Babai shkoi ushtar dhe atje u seleksionuan nxënësit e mirë, që kishin dalë me rezultate të mira. Ai bëri kërkesë dhe shkoi në Itali në një kurs për doganë. Atje doli me rezultate të shkëlqyera edhe erdhi në Shqipëri, edhe shkoi në Tuz. Nga Tuzi në Kukës, në doganë me një fjalë, në zonat kufitare.   Nga aty shkoi në Tiranë. Në Tiranë atje u bë me partinë e Legalitetit, me një fjalë, të Abaz Kupit, gjatw Luftws.

Babi ka qenë në mbrojtje të Mbledhjes së Mukjes, ka qenë roje e atyre të deleguarve që kanë bërë marrëveshjen.  

Pali thotë se pas asaj ngjarje në Mukje, e cila për fat të keq nuk arriti ti mbajë në një front të gjithë forcat politike, pasi komunistët e prishën marrveshjen, i ati Gjini,  kishte qenë protagonist edhe në një ngjarje ku forcat e Abaz Kupit ishin përplasur me komunistët pas prishjes së marrëveshjes.

Pal Macaj:  Nga aty, atëherë erdhi puna që u bë edhe një përpjekje, ka qenë bërë në Perlat-Prosek, qe bërë një luftë aty, me një fjalë, dhe çeta e Abaz Kupit pati luftuar kundër partizanëve.

Fundi i luftës, e gjen Gjin Macajn  në një situatë të vështirë, ku presionet  e komunistëve e detyrojnë të arratiset në mal e të bashkohet me forcat e rezistencës antoikomuniste.  Ishin betuar që sdo ta lejonin komunizmin të depërdonte në Mirditë  dhe për për këtë ishin gati të sakrifikoheshin.

 

Pas shumë muajsh duke rezistuar në atë Zonë, Pali tregon se grupi i rezistencës ku ishte dhe i ati me Mark Gjomarkun, kishin vendosur të lëviznin e të bashkonin forcat me grupin e Kol Bib Mirakës.  Por në atë  përpjekje, do të ndesheshin me një të papritur tragjike që do tua përmbyste gjithë planet.

Pal Macaj:  Ndenji rreth 1 muaj Mark Gjonmarku në fshatin tonë, pra në pyjet e fshatit tonë se në fshat s’bëhet fjalë. E ka mbajtur fshati ynë atë kompani të arratisurish, as u pre kush nga ata, as u eliminua kush, as u vra kush nga ata sepse ishte babai si sipërmarrës i atyre dhe në fund të herës vendosën të largoheshin, të shkonin të bënin një takim në mbledhje në një pikë të malësisë. Atje u ndanë detyrat. Babai u caktua pararojë me grupin që do të rrugëtonin së bashku me Mark Dod Gjinin, ish-oficer, Mark Dod Gjin Lleshin, ish-oficer, kryer akademinë në Itali. Babai ishte i shkolluar në Itali, por jo akademist. Edhe 2 të tjerë: Gjon Mhilli, edhe ky, dhe ishin shumë 2-3 akademistë dhe Mark Gjonmarku në fund të grupit. Babai ishte pararojë, vetë i treti, me Mark Dod Gjinin, këtë akademistin. Preng Gjergji i Lurthit edhe babai, të 3 pararojë. Ranë në përpjekje. Ecën gjithë natën. Ranë në përpjekje në Prosek, në fshatin Prosek e Përlat, mes Prosekut e Përlatit. Ranë në përpjekje aty, hapën zjarr, çanë rrethimin, dolën këta nga rrethimi. Mark Gjonmarku prapa me grupin ndërruan drejtim, nuk shkuan pas këtyre se plasi pushka dhe ndërruan drejtim.Këta kaluan, Marku u vra prapa. U vra Mark Gjonmarku. Kur shkuan te pika e grumbullimit morën vesh se është vrarë Marku, por Sigurimi i Shtetit nuk e dinte se është Marku. Babai përngjante me Mark Gjonmarkun si ngjyrë edhe thirrën dajën, babdajën tim e thirrën ta shihte, Bib Mark Kolën, Gjonmarkaj. Se unë kam pasur dajë Bardhok Bibën. Pra Bib Marku, morën plakun të njihte se kush është vrarë, është vrarë Mark Gjonmarku apo Gjin Frrok Macaj. Kur shkoi plaku, tha: jo, është vrarë Marku i Gjonit.

Me vrasjen e Mark Gjonmarkut, historia do të merrte tjetër drejtim.

Falë edhe rolit që pati Bardhok Biba, pjesa dërrmuese e të arratisurve që i qenë bashkuar rezistencës u dorëzuan. Ishte një dorëzim në besë të tij, por historia tregoi se regjimi do të hakmerrej egërsisht ndaj tyre.  Dhe nuk do të kursente asnjërin, madje as vetë Gjinin që kishte bashkëshorte motrën e Bardhok Bibës.

Pal Macaj:  Mbaroi gjithçka se kishte bërë organizimin ky, për komunistët, - kishte thënë, nuk e lë komunizmin të kalojë urën e Zogut lart. Atëherë këta mbetën si berrat pa çoban, të arratisurit, se ky ishte kryetari. Bardhok Biba vendosi dhe nxori një, bëri thirrje që të dorëzohen të gjithë njerëzit, në besën time, që s’i prek kush, kush nuk ka lyer duart me gjak dhe kush, me një fjalë, kush nuk ka vrarë dikë, me një fjalë. Bëri mbledhje, e largoi Sigurimin e Shtetit, bëri mbledhje. Një ndër ta ishte edhe babai im dhe i tha: ti Gjin të dorëzohesh. Me një fjalë Bardhoku e kishte burrin e motrës babanë. Edhe babai u dorëzua. U dorëzuan 20-30 burra, se tha s’keni asnjë gjë, dorëzohuni. Se kjo ishte politika, mos të krijonte armiq shumë dhe njerëzit që s’kishin, veçse kishin qenë të pakënaqur, të shkonin te shtëpia.

Edhe pse ishin dorëzuar në besë të Bardhok Bibës, të gjithë të arratisurit do të përballeshin me hakmarrjen e regjimit dhe do të arrestoheshin të gjithë.

Pal Macaj:  Kur papritmas, themi ne ia prenë këtij në Shpal të Mirditës. I çuan në Shkodër, se ishin me qarkun e Shkodrës në atë kohë. Edhe atje i dënuan, i morën në pyetje, e dënuan 8 vite burg babanë, për përmbysjen e pushtetit popullor, i thanë, e para. E dyta, ke marrë pjesë për rrëzimin e pushtetit popullor. Thuaj po, në daç jo, ata këtë nen i kishin futur. E dënuan 8 vite. Bardhok Biba u mërzit shumë, sipas gojëdhënave, edhe babai ma ka thënë, se s’i m’i prenë në besë, se u kishte dhënë fjalën që nuk ju dënoj.

Edhe babai bëri 2 vite burg, nga 8 vite 2 vite burg bëri. Dhe shumë njerëz i nxori se ishte sekretar i parë, kryetar Dege, ishte i plotfuqishmi në Mirditë Bardhoku. Ishte i plotfuqishëm se opinioni ishte se ky ishte dhe me shkollë, ky ishte dhe njeri që kishte mbështetje se ishte i derës së Gjonmarkut, me 2 kobure, si i thonë dhe e përkrahte gjithë Mirdita. Ishte figurë, jo se ka qenë daja im, por ka qenë figurë e njohur. E njeh i gjithë veriu.

Pas dy viteve burg të mundimshëm, Gjini lirohet dhe kthehet në familje. Por historia e tij dhe sidomos ky burgim do të linin një njollë në biografinë e tij dhe Sigurimi i shtetit do ti qëndronte gjithmonë nga pas. 

Pal Macaj: Lirohet babai, vjen në shtëpi. Mirëpo babai kishte edhe një motër të internuar, prej shtëpisë së Lufit në Kurbnesh. Kanë qenë Lufajt atje.E kishte të shoqin të arratisur kjo, halla. Edhe vetë e kishin internuar, hallën me gjithë një djalë e një vajzë. Djali vdiq, vajza shpëtoi, por atje në Berat. Atëherë, babai shkoi atje edhe i çoi diçka motrës së vet dhe e thirrën. E thirri daja, me një fjalë Bardhok Biba. I tha: ke qenë në Berat. – Po, - tha. – Po pse ke shkuar? – Kam shkuar, - tha, - se kam motrën atje. Por kishte ndihmuar ky se ishin të internuar, Zot na ruaj. I tha: të mos shkosh më. – Nuk shkoj, - tha, - më. Erdhi te shtëpia babai me një fjalë, e i tha: të rrish mirë. Tha: dua të iki unë, në Mamurras, se kam motrat atje, se e kam prishur, kam qenë në burg. – Jo, - i tha, - sa të jem unë nuk të luan kush ty.

Pali tregon se i ati kujtonte në atë bisedë edhe një detaj tjetër që lidhej me një paralajmërim. Gjini e njihte mirë mentalitetin e banorëve të zonës, ua dinte pakënaqësitë dhe e kishte paralajmëruar Bardhok Bibën.

Pal Macaj: Bardhok je duke u sjellë keq, je duke shkuar vetëm, ata do të vrasin, mirditasit. I tha: s’më vret Mirdita mua. - Mirdita ka vrarë krajl e mbret, e ty të vrasin o Bardhok dhe na merr në qafë edhe ne të gjallët e tjerë. – Jo, jo, - thotë, - jo. Edhe u mbyll kjo punë.

Atëherë babai  hapi shkollën fillore vetë, me një fjalë. Në atë kohë kishin qejf ta bënin shkollën në Lurth, por ishte larg, nga fshati unë të shkoja në Lurth. Në Shtrez ishin pak shtëpi, Uja ishte qendra. Bardhok Biba e thirri babanë, e thirri edhe kryetarin e këshillit të Lurthit, edhe u thotë: njëri që do të bëjë nxënës më shumë, aty do të vendos shkollën. Mirëpo babai bëri nxënës më shumë, një ndër ta edhe motrën time 13 vjeçe e çoi në klasën e 1-rë. Se kështu ishte atëherë, edhe bëri nxënës më shumë. Edhe thotë: prandaj do të vendoset shkolla në fshatin Ujë. I thotë Bardhok Biba: tani çfarë do të bëjmë për shtëpi. I thotë babai: e gjej shtëpinë unë. Edhe kishim një shtëpi, se kishim kullën ne, poshtë një shtëpi me dërrasa. Edhe e dha babai shtëpinë. Edhe sot i themi aty: ara e shkollës. Bëri shkollën babai aty, me një fjalë, edhe nxënësit. Mësuesi i parë ka qenë Gjon Gjet Lurthi, mësuesi i parë aty, pastaj erdhi Kol Picaku. Me një fjalë Gjon Gjet Lurthi ka qenë mësuesi i parë.

Ishte gushti i vitit 1949. Ajo që kishte paralajmëruar Gjini për kunatin e tij do të bëhej realitet. Bardhok Biba do të vritej në rrethana misterioze, të cilat historiografia ende nuk i ka zbardhur të plota. Por ajo ngjarje do të ishte vetëm maja e ajsbergut sepse ajo çka do ta pasonte, me vrasje masive në të gjithë Mirditën, do të trondiste gjithë opinionin. 

Pali thotë se i ati nuk ndodhej në Mirditë, ditën që u vra Bardhok Biba, pasi ky i fundit e kishte nisur për në Vlorë për të marrë një grup nxënësish që regjimi i kishte çuar me pushime në kampin e Vlorës.  

Pal Macaj:  Daja i thotë: shko në Vlorë, na merr kampistët. Kishte çuar vëllanë tim në kamp, në gusht. Edhe i thotë: shko na merr kampistët në Vlorë. Shkoi babai atje me autobus, nga Rrësheni atje të merrte kampistët. Kur erdhi këtu e gjeti Bardhok Bibën të vrarë. - Si është e mundur kjo? Çfarë ka ndodhur? – thotë. – Kanë vrarë Bardhok Bibën.  

Erdhën natën, e thirrën babanë. Shkoi babai, e arrestuan në vend, te shtëpia dhe e çuan, ishin njerëzit të arrestuar në Rrëshen. Edhe e morën nga fshati e çuan atje të arrestuar babanë. I morën, i vunë në makinë, i çojnë në Shkodër. Këtij nuk i del asnjë gjë për rastin e Bardhok Bibës. S’kishte çfarë t’i dilte se s’kishte luajtur mendsh. Në bazë të akuzës së parë, që ishte dënuar atëherë, e dënojnë 7 vite prapë këtë, për së dyti. gjyq ushtarak, të dyja herët.

 Por neve na pati vdekur edhe nëna atë vit që vranë edhe Bardhokun. Na vdiq edhe nëna neve, na kishte vdekur edhe nëna. Kishim mbetur me plakën, gjyshen. Ajo na ka rritur, me gjithë motrën. Kam qenë 4-5 vjeç kështu, por s’e mbaj mend nënën, ku e di unë. E kam ndier humbjen e nënës. Ajo na la rrugëve por çfarë të bësh, kjo, në fund të herës, kur e kanë larguar nënën, kur ishte e vdekur, më kanë çuar te një familje tjetër që mos ta shoh. Këtë e di dhe e mbaj mend”.

Me babanë në burg dhe me plagën e humbjes së nënës, 4 fëmijët dhe e ëma e moshuar e Gjin Macajt mbeten në mëshirë të fatit.  Gjini ishte ridënuar, këtë herë me 7 vjet burg. Kalvari i vuajtjeve do të vijonte sërish nëpër kampe të burgosurish. Për 5 vite me rradhë do të vuante në kampin e Shtyllasit në Fier. Dhe vetëm pas 5 viteve kthehet në shtëpi tek fëmijët...

Pali kujton se ato vite ishin mjaft të vështira për të gjithë  familjen. Si i dënuar politik Gjini dhe fëmijët e tij do të përjetonin një presion ende me të madh se më parë. Vështirësitë ekonomike po ashtu i shtoheshin presionit të gjithanshëm. Dy djemtë e parë nuk kishin mundur të shkolloheshin përveç 4 klasëve të fillores. Për ti dhënë një mundësi Palit, të kryente 7 klasët, Gjini e dërgon djalin tek e motra e tij, por pa e ditur se një tjetër pritë i ishte ngritur nga  Sigurimi i Shtetit.

Pal Macaj:  Kisha dalë me nota të mira. Kisha edhe 2 vëllezër të tjerë para vetes, por me 4 klasë shkollë ata. Mundësi të shkonin në shkollë, s’kishte, s’i çonte kush. Vetëm nga 4 klasë motra, vëllezërit. Unë jam më i vogli. Shkollë 7-vjeçare fshati im s’kishte, vetëm fillore. Shkollën 7-vjeçare e kishim shumë larg. Më çon te motra e vet në Zhej të Kurbinit.

Kur erdhi me mua të më çonte te motra, ndenji 2 ditë aty. Kur u kthye i thanë: të kërkojnë në Degën e Brendshme se të janë ngatërruar disa dokumente për shlyerjen e detyrimit të tokës, si kanë qenë tatimet e këto gjërat. Edhe e thirrën. Por unë në shkollë, isha nxënës në klasën e 5-të. E çojnë babanë, e thirrën kur shkoi në fshat ky, nga Kurbini. Shkoi në Degën e Brendshme, e arrestojnë në Degën e Brendshme. 30 ditë i humbur babai. Erdhën vëllezërit tek unë të kërkonin babanë se, a thua ka ardhur këtu prapë? Me një fjalë, si s’erdhi babai, se s’kishte, sa kishte ardhur te shtëpia e çuan në Degën e Brendshme, këta: a thua ka ardhur tek unë babai. Pyesnin në Degën e Brendshme, u thoshin: s’dimë gjë. E shoqëruan me këshillin, me kryetarin e këshillit nga shtëpia ime në Degën e Brendshme. Dhe kryetari i këshillit erdhi dhe nuk na tregonte. Ne qaj te shtëpia, ne kalamajtë, se na ka humbur babai. Humbi babai, me mendjen tonë. Ata e paskan arrestuar, e çuar në Tiranë. Në Hetuesi e pyesin. Çfarë t’i pyesnin: kanë ardhur diversantët në Mirditë? A kanë ardhur te ti a s’kanë ardhur? Ke bashkëpunuar me ta, s’ke bashkëpunuar? Me një fjalë, ca akuza zero. Babai ishte, s’kishte bërë asnjë gjë, s’kishte si t’i pranonte se s’kishte bërë gjë. Megjithatë ishte i rrahur me ato punë, nuk, edhe sikur t’i kishte bërë, ky ishte, e dinte se çfarë më pret, s’kam si i pranoj. Ndenji atë natë. I thotë prokurori: për mua, edhe je, nesër lirohesh, për mua. Se gjatë gjithë ditës e merrnin në pyetje, i lexonte pretencën, firmoste dhe nesër prapë e thërrisnin, po ato fjalë, dhe në fund i tha: për mua nesër lirohesh. Edhe ky fle rehat, me mendjen se nesër lirohem. Trupi gjykues të nesërmen, doli drita, doli në trupin gjykues. Trupi gjykues i thotë: do shkosh në Lushnjë për pak kohë. – Sa vjet? – thotë. - Vjen dënimi prapa. Edhe internim-dëbimet, si quhen. Edhe shkoi në Lushnjë ky. Kur i shkoi dënimi, 5 vite.