
Përveç transaksionit të kryer me kompaninë Sokolaj, Prokuroria e Durrësit e akuzon kompaninë Kurum edhe për shkelje të tjera mjedisore, të cilat lidhen me transferimin e një sasie të madhe mbetjesh të rrezikshme drejt kompanisë “Alliance Resource”.
Kürüm International sh.a. ka lidhur tre kontrata për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme me Alliance Resource sh.p.k, në vitin 2021 për 2 780 ton mbetje të rrezikshme kundrejt çmimit prej 54 USD /ton me TVSH. Po ashtu janë lidhur kontrata në 2023 për 8 611 ton mbetje të rrezikshme dhe 2024 në 2024 për 2 000 ton mbetje të rrezikshme. Por, sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetarja Keti Banushi, ekziston mospërputhje serioze sasish mes regjistrave zyrtarë dhe tabelave operative (995 ton diferencë për vitin 2024), që ngre dyshime për deklarim jo të saktë të mbetjeve.
Në dosje thuhet se Kurum ka deklaruar në regjistrat zyrtarë se i ka dorëzuar Alliance Resource mbetje të rrezikshme. Por, Alliance Resource ka raportuar se ka marrë nga Kurum mbetje jo të rrezikshme, duke i klasifikuar si produkt "oksid zinku". Gjatë inspektimeve të vitit 2024, janë konstatuar fizikisht mbetje e rrezikshme, çka për hetuesit ka ngritur dyshimet se falsifikimi i klasifikimit të mbetjeve është bërë qëllimisht.
“Shoqëria "Kurum International sh.a" sh.a në deklarimet e saj në Regjistrat e transfertave Individuale të mbetjeve deklaron se dërgon te shoqëria "Alliance Resource" sh.p.k, mbetje të rrezikshme me kodin 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca te rrezikshme), ndërkohë që shoqëria "Alliance Resource" sh.p.k nga ana tjetër deklaron se ka tërhequr nga "Kurum International sh.a” sh.a, mbetje jo të rrezikshme me kodin: 10 02 08 (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve), të tjera nga ato të përmendura në 10 02 07, edhe pse mbetjet me kod 10 02 07* janë evidentuar edhe gjatë inspektimit në vitin 2024”, thuhet në dosjen hetimore.
Nga dokumentacioni rezulton se Kurum ka deklaruar për vitin 2023 dorëzimin e 8 611 tonëve mbetje të rrezikshme te Alliance Resource, si dhe për vitin 2024 një tjetër sasi prej 2 000 tonësh. Ndërkohë, për të njëjtat periudha, Alliance Resource ka raportuar pranë institucioneve mjedisore se nuk ka pasur aktivitet, ose se ka qenë në fazë “remonti”.
“Nga analiza e kontratave, dokumentacionit financiar, regjistrave mjedisorë dhe deklarimeve doganore rezulton se shoqëria "Alliance Resource" sh.p.k ka marrë nga "Kurum International" Sh.a mbetje të rrezikshme me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve që përmbajnë substanca të rrezikshme), të cilat, në kundërshtim me objektin e kontratave dhe detyrimet ligjore, nuk janë trajtuar si mbetje, por janë faturuar, magazinuar dhe tregtuar si produkt "oksid zinku", duke u eksportuar në tregje të huaja”, thuhet në dosje.
Në këto kushte, rezulton se mbetjet e rrezikshme janë maskuar si lëndë e parë/produkt, janë futur në qarkullim tregtar dhe janë eksportuar, pa u trajtuar sipas kërkesave të legjislacionit mjedisor në fuqi.
Kontrolle të kryera nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit kanë konstatuar se Alliance Resource nuk ka vënë në dispozicion dokumentet e transferimit për mbetje jo të rrezikshme të gjeneruara nga procesi teknologjik që disponon. Po ashtu, subjekti nuk paraqiti dokumentet e dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme të marra nga subjekti Kurum International sha.
Agjencia ka evidentuar gjithashtu mungesë provash për kapacitete teknike reale, përfshirë menaxhimin e skorieve, trajtimin e ujërave teknologjike dhe lejet përkatëse për shkarkimet.
Përveç faktit që nuk ka disponuar dokumentacionin, sasia e mbetjeve është gjendur në stok, ndërkohë që subjekti marrës i mbetjes së rrezikshme ka detyrën e trajtimit të tyre dhe jo të magazinojë sasi të mëdha mbetjesh duke i lënë të patrajtuara duke shtuar efektet e rrezikut të lëshimit të gazrave toksikë në mjedis e në ajër.
Po kështu, Alliance nuk ka paraqitur dokumentacion provues se çfarë ka ndodhur me këto mbetje, si janë trajtuar, nëse janë tranportuar a shitur tek të tretë, apo janë eksportuar, duke shtuar dyshimet se shoqëria Kurum në bashkëpunim me shoqërinë Alliance shpk ka shkelur legjislacionin për menaxhimin e mbetjeve duke i transferuar mbetjet tek të tretët në sasi shumë të mëdha, me kosto të ulët për të shmangur kostot e asgjësimit. Po kështu, Kurum nuk ka ndjekur në vijmësi (mbikëqyrë) si prodhuesi i mbetjeve deri në procesin fundor se ku kanë përfunduar këto mbetje e si janë trajtuar.
Krahas mospërputhjeve të të dhënave që Kurum raporton si përsa i përket sasisve dhe kodit të mbetjeve, Kurum ka shitur mbetje të rrezikshme tek shoqëria "Alliance Resource" sh.p.k. e cila nuk disponon kushtet e nevojshme për trajtimin e këtyre mbetjeve. Po kështu, sasitë e shitura nga Kurum janë mbetje të rrezikshme në sasi shumë të mëdha, për të cilat Alliance nuk ka kapacitet ti menaxhojë.
Lajmi kryesor:
2800 tonë mbetjet e rrezikshme të ‘Kurum’, Prokuroria e Durrësit lëshon 33 masa sigurie, mes tyre 2 administratorët turq, zyrtarë të Doganës dhe Agjencisë së Mjedisit! Report Tv zbardh dosjen (EMRAT)








