TIRANE- Edmond Islamaj, është gjyqtari që do të relatojë kërkesën e prokurorisë së Vlorës, për transferimin e dosjes “Gjika” nga gjykata e këtij qyteti në një gjykatë tjetër.

Pritet që brenda një afti dy javor, Gjykata e Lartë të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë, e cila tashmë shorti ka zgjedhur si relator gjyqtarin Edmond Islamaj. Çështja penale mban nr.1426/13 dhe se zyrtarisht si kërkesë është rregjistruar në sekretarinë e gjykatës në datën 20 nëntor të këtij viti. Objeti i dosjes penale është transferim i çështjes penale nr. 1532 të datës 21 shtator 2013 në ngarkim të të pandehurve Shpëtim Gjika, Eleni Dardhaj, Gezim Feta, Gentjan Sherifaj, Blerdi Liçaj, Mustafa Tartari, Artan Ferati, Aleks Ahmataj, të akuzuar respektivisht për kryerjen e veprave të “Falcifikimit të dokumentave” kryer në bashkëpunim më shumë se një here.

Dosja në Tiranë
Gazeta “Shqiptarja.com” zbulon se në kërkesën e saj prokuroria e Vlorës, kërkon transferimin e gjykimit në Tiranë, kjo për shkak se vetëm në këtë rreth mund të zhvillohet një proces i drejtë dhe ligjor, pa pasur ndikimin e presioneve të vazhdueshme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas organit të akuzës dhe gjykatat e Fierit, Gjirokastrës dhe Sarandës, si rrethe më të afërta me Vlorën, nuk e garantojnë zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, ndaj 8 të pandehurve të kësaj dosje,përfshirë këtu dhe kryebashkiakun e bashkisë Vlorë Shpëtim Gjika. Tashmë është në dorën e Gjykatës së Lartë, nëse do i thotë “ok” kërkesës së depozituar nga Gjykata e Lartë.

Çështja me dy dosje
Në një kohë, kur prokuroria e Vlorës ka bërë kërkesën për transferimin e dosjes penale nga gjykata e Vlorës në një gjykatë të një rrethi tjetër, mësohet se dhe pjesa më e madhe e avokatëve të të pandehurit, në seancën e rradhës do dalin me një kërkesë për ndarjes e çështjes në dy dosje. Disa nga avokatët, do i kërkojnë gjykatës së Vlorës, që dosja të veçohet, pasi kemi të bëjmë me dy raste ku janë dhënë leje ndërtimi, dhe se përgjegjësia penale e 8 të pandehurve nuk është e njëjtë, pasi disa akuzohen për “falsifikim dokumentash” dhe disa të tjerë kanë akzuën e “ndërtimit të paligjshëm”. Nisur nga këto rrethana, pritet që në seancës e rradhës disa prej avokatëve do dalin me kërkesa konkrete për veçimin e dosjes për disa nga të pandehurit. Aktualisht në gjykatën e Vlorës, nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, pasi edhe seanca e parë ka nisur me shtyrje pasi pjesa më e madhe e avokatëve nuk kishin marrë dosjen penale. Ndërkohë që procesi është shtyrë për në muajin dhjetor.

faksimile

Shkrimi u publikua sot (22.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)